Një kandidat për zonën

Kamerdaria e shpëtimit, treni me dy lokomotiva dhe morali se zgjedhjet nuk janë aritmetikë!

Xhabyni

Kamerdare për të shpëtuar

Zgjedhjet vendore duket se po shndërrohen në një trampolinë për të shpëtuar lëkurën e atyre që mazhoranca e sotme i quajti bejlerë të qyteteve, komunave apo edhe njësive bashkiake. Klima që mbizotëron në zona të ndryshme të vendit të jep përshtypjen që këto bejlerë kanë filluar migrimin e tyre nga njëra parti në tjetrën në kërkim të ruajtjes së privilegjeve të tyre dhe të pushtetit të tyre të vogël.

Sikundër edhe e do zakoni, ato marrin me vete “plaçkën” e luftës për t’i dëshmuar zotëriut të ri që kanë pas tyre pushtet dhe “ushtarë” me të cilët do të fortifikojnë ushtrinë në betejën e radhës. Arsyet e këtij migrimi duket se lidhen sa me gjendjen aktuale të partive politike aq edhe me reformën territoriale.

Për sa i përket kësaj të fundit. Pushtetarët e vegjël që kanë patur një pushtet të siguruar në zonat e tyre me ndonjë favor të vogël, duket se po përpiqen të ruajnë të njëjtin pushtet sepse në bazë të reformës së re territoriale ato mundet të zhbëhen dhe pushteti i tyre mundet të zhduket. Prandaj, fjala vjen, një ish anëtar i minibashkisë apo komunës mund të kthehet në një administrator nga një kryetar bashkie. Për të siguruar këtë çmim, atij do t’i duhet të migrojë nga një forcë politike tek një tjetër dhe natyrisht të provojë fuqinë e tij për të bindur komandantin e ri se mund t’ia dalë në fushë betejë. Kështu lind një kandidat i pavarur që vjen nga shoqëria civile.

Ndërkohë që për sa i përket gjendjes së partive politike, kjo nuk është një lëvizje e re. Historia e politikës në këtë çerek shekulli demokraci topalle, na ka treguar se individë apo grupacione kanë lëvizur sa nga njëra parti politike në një parti tjetër që zakonisht është me pushtet. Kjo i ka ndodhur PD-së në vitin 1997, PS-së në vitin 2005 dhe këto parti kanë tendencën për të lidhur ekzistencën e tyre me ngjitjen pas një trupi që është në mazhorancë ndonëse në publik ato janë parimorë. Aktualisht, Partia Demokratike, nuk ka një figurë të fuqishme në kye të saj ajo nuk drejtohet më nga një lider i fuqishëm si Berisha. Reforma, të cilën PD pretendon se ka kryer, duket se ka lënë shumë të zhgënjyer (siç edhe është e pritshme) të cilët duke mos patur më hijen e Berishës mbi kokën e tyre, largohen nga kjo parti. Duke lënë të nënkuptohet se politika nuk ka asgjë personale sepse gjithçka është biznes.

Në të dyja rastet, individët kërkojnë një kamerdare për të shpëtuar dhe për t’i bërë ballë jetës pasi jo vetëm dora në Pushtetin Vendor të ndërrohet por edhe kur Reforma Territoriale të zbatohet nga Kryetari i ri.

Një tren me dy lokomotiva

Nga ana tjetër, kemi një mazhorancë të lodhur dhe të mbushur me shumë skandale ndonëse dy vjet pa katër muaj në pushtet. Një mazhorancë të rrethuar nga një skizmë e cila nuk dihet edhe sa do ta mbajë të bashkuar Ramën dhe Metën, që duket se mund të prishen edhe për mustaqet e Çelos. Kjo duket qartazi sepse numri i madh i partive politike që Rama po merr në aleancën e tij duke i dhënë mundësi të gjithëve për të zgjedhur ku duan të kandidojnë nuk flet për një siguri të një partie apo mazhorance që ka marrë 1 milion vota, por të një partie që ka frikë të përballet me elektoratin e saj.

Fabula e kaq shumë votave u konsumua shumë shpejt, përballë nismave që i ngjajnë flluskave të sapunit. Patriotizmi i veshur me kostumin e hipokrizisë nuk duket se do të hutojnë panoramikën e një mazhorance të mbushur me shok të ngushtë që janë më së paku kriminelë. Madje as dobësimi me një dietë me vezë dhe mish të bardhë në darke, nuk do të mund të mbulojë vragat dhe zemërimin e lokomotivës tjetër për atë që po ndodh çdo të enjte në parlament.

Praktikisht, dezertorët dhe ato zotërinj që tradhtojnë njërin krah për të shkuar aty ku numrat janë më të mëdhenj, janë më se të mirëpritur. Madje edhe mund të tolerohen sepse ajo që na duhet është pikërisht numri dhe jo esenca e këtij numri, që padyshim mund të tregohet në zgjedhjet e ardhshme.

Treni vazhdon të grumbullojë vagonë sa lart poshtë jo vetëm për të mbledhur në tokë letrat që kundërshtari i hedh sepse nuk po i del loja që do apo për një arsye tjetër. Ai vazhdon të mbledhë vagonë edhe për të përforcuar pozitat e veta dhe të dobësojë pozitat e kundërshtarit. Siç edhe investimi në sa më shumë kandidatë të pavarur, të cilët me arkën e tyre të boshatisur janë një ndihmë e madhe në një garë zgjedhore që nuk i dihet se si mund të dalë.

Jo përherë numra japin fitoren

Kur shtrohet pyetja se cili do të fitojë, le të themi në Tiranë, përgjigja është aritmetike më shumë se sa elektorale. Do të fitojë mazhoranca aktuale, sepse matematika ta jep këtë tendencë për të arritur këtë përfundim, madje edhe e shkuara të jep këtë përfundim. Por, zgjedhjet nuk janë aritmetikë Olimbi. Ka shumë qytetarë që për një arsye apo për një tjetër mund të ndryshojnë zgjedhjen e tyre në çastin e fundit, kjo sjellje zgjedhore natyrisht që nuk lidhet me militantët por me qytetarët që janë sado pak të pavarur nga partia dhe të lidhur me zgjedhjet personale.

Sjellja e mësipërme nxjerr si përfundim shumatoren elektorale, apo atë zonën gri (nëse mund ta quajmë kështu) e cila mund ta ndryshojë në çastin e fundit zgjedhjen e saj. Pikërisht kandidati i pavarur përpiqet të thithë këtë zonë me votat e tij, duke u përpjekur që me këto vota që tërheq ai të bëhet faktor i rëndësishëm tek kandidati që del fitues.

Të gjendur përpara pasigurisë elektorale që përkthehet në rezultat, mazhoranca e ka më të kollajtë (duke qenë se është në opozitë për Tiranën) që të përballojë kandidatët e pavarur se sa kundërshtari i saj. Opozita qeveritare, nga ana tjetër duket se është e pafuqishme të pengojë largimin e ushtarëve të vegjël që me nuhatje biznesi po largohen drejt kamerdares që u është hedhur në det.

Qytetarët, siç dihen, janë ato që kapen prej brirësh nga ato që pretendojnë se kandidojnë në emër të demokracisë. Ndonëse demokracia e tyre nis dhe përfundon me shqiptimin e kësaj fjale. Atëherë si mundet të votojë qytetari në këtë rast?! Përgjigja e kësaj pyetje lidhet me mënyrën se si qytetari dëshiron ta trajtojë zgjedhjen lokale, nëse e merr seriozisht duhet të kuptojë se do të zhgënjehet, nëse e merr me ironi me shumë mundësi nuk do të shkojë të votojë dhe nëse e merr me cinizëm atëherë duhet të dijë që nuk do të fitojë ai që do t’i zgjidhë hallet por gjithnjë një i/e keqe që do të ketë mundësi të tallet me të.

Për fat të keq, ajo çfarë i mungon qytetit të Tiranës si kandidat është pikërisht një personazh interesant që mund të jetë sa legjendar aq edhe epik. Një personazh që realisht do të ngrinte nivelin e diskutimit për kandidatët e pavarur, le të themi një kandidat si Visar Arifaj që me ironinë dhe sarkazmën e tij do të kënaqte të gjithë ato që do të votonin për të pavarurit e kryeqytetit. Më së paku, një kandidat i tillë do të qe i padëmshëm!

You may also like...