Zgjedhjet në PD, Një ngjarje jo dhe aq historike

Gjergj Erebara images (1)  Partia Demokratike po mban sot zgjedhjet e para me parimin një anëtar, një votë për kryetarin e vet. Do të mund të konsiderohej si një moment historik për demokracinë, në rast se gara do të ishte e vërtetë. Por për fat të keq, është vetëm spektakli i radhës. Metodat e zgjedhjeve, metodat e administrimit dhe metodat e reklamimit të vetes nga ana e kandidatëve, e bëjnë garën një farsë. Zgjedhjet brenda partive janë thelbi i demokracisë në shumicën dërrmuese të vendeve demokratike. Anëtarët e partisë janë ata që duhet të debatojnë dhe përcaktojnë jo vetëm kryetarin, por kandidatët për deputetë, kandidatët për kryeministër, si dhe normalisht, programin dhe politikat. Përkundër këtij modeli, partitë shqiptare kanë modelin e votimit të deleguar, ku teorikisht anëtarët zgjedhin delegatë dhe delegatët zgjedhin udhëheqës. Kjo metoda e dytë i ka dhënë Shqipërisë diktatorë pas diktatorësh, disa prej të cilëve, qesharakë. Zgjedhjet në PD duken të organizuara si mos më keq. Vetëm 57 qendra votimi në mbi 2600 qendra të banuara që ka Shqipëria. Plot 105 mijë anëtarë duhet të votojnë, afërsisht 2 mijë anëtarë për qendër. Nga këto, 18 qendra janë në Tiranë. Demokratët e fshatrave do të duhet të udhëtojnë për shumë kilometra, ndërsa prania e shumë qendrave në Tiranë tregon kujdesin e organizatorëve për të lehtësuar aksesin në votim për demokratët e Tiranës. Nuk ka të drejtë vote për demokratët që jetojnë jashtë vendit, nuk ka votim në distancë. PD nuk deklaron se sa anëtarë ka në ccdo qark. Por në rast se do të ketë ndonjë transparencë mbi rezultatin, do të mund të mësojmë nëse kryetari i ardhshëm i PD-së do të jetë me të vërtetë mbarëkombëtar apo do të jetë rajonal. Situata është e njëjtë te partitë e majta, ku garat janë po aq farsë sa edhe zgjedhjet parlamentare. Pyeta disa aktiviste socialiste nëse mendonin se do të qe më mirë që kandidatët për deputetë t’i zgjidhte anëtarësia dhe jo kryetari, nëse programi duhej të votohej nga anëtarësia dhe jo të imponohej nga kryetari. Më thanë se nuk e ndjenin nevojën për diçka të tillë sepse kishin besim te Edi Rama. Farsa filloi në ditën që S208cf0e37c82d99d2b4f5152b6b4da08ali Berisha shpalli se edhe do të ishte në PD, por edhe do të ishte jashtë saj. Edhe do të lejonte garë, por edhe nuk do të lejonte anëtarët e kryesisë të dilnin hapur pro ndonjë kandidati. Vendimi për të bërë zgjedhje sipas parimit një anëtar, një votë, nuk u mor nga kongresi i partisë, pra nuk ishte një reformë. Thjesht kryetarit në hije iu mbush mendja se një votim i tillë do të ishte goxha spektakël. Në fund, me parimin një anëtar, një votë, duhet të zgjidhet i gjithë korpusi i drejtuesve nga degët te kryesia dhe te kryetari. Në një situatë të tillë, kur pas diktaturës vjen demokracia, vendet fillimisht ngrenë një asamble kushtetuese, që duhet të hartojë kushtetutën, të drejtat dhe detyrimet, pastaj vijohet me zgjedhje vendore e në fund, me zgjedhje parlamentare e presidenciale. Të gjitha këto kërkojnë kohë. Kjo nuk ishte çfarë ndodhi gjatë muajit të fundit me PD-në. Pas diktaturës së gjatë të Berishës në PD, vendoset që të zgjidhet drejtpërsëdrejti kryetari. Dje rastësisht mësova se një punonjëse e thjeshtë në një nga shumë institucionet e Bashkisë së Tiranës, ishte marrë në telefon dhe i ishte kërkuar në mënyrën e zakonshme urdhëruese, të shkonte te mitingu i Lulzim Bashës, sepse ky i fundit kishte nevojë për figurantë. Sali Berisha deklaroi para nja tri javëve se qe shumë i bezdisur nga komentet e medias për garën. Ai na tha se komentet kritike “vinin nga media e majtë”. Por pikërisht nga kjo media e majtë, përgjithësisht media e drejtuar nga ndërtues, dolën dje hapur në mbështetje të Lulzim Bashës, duke sajuar mes të tjerash, edhe sondazhe që tregonin se ky i fundit ishte i pëlqyer nga shumica e shqiptarëve. Sokol Olldashi, nga ana e tij, na foli për “aleanca fluide”, pasi pati akuzuar më herët Lëvizjen Socialiste për Integrim se po ndërhynte në zgjedhjet e PD-së në Fier e Berat. Olldashi nuk desh ta elaborojë, por dukshëm dy deklaratat e tij tregojnë se mes Bashës dhe LSI-së ka një aleancë fluide. imagesTë dy kandidatët në garë për kryetarin e PD-së nuk u morën pothuajse fare me partinë e vet. Të dy u morën me kundërshtarin politik dhe hynë në një garë se kush shan më shumë të majtën. Të dy hynë në një garë se kush lavdëronte më shumë liderin e dorëhequr, duke përsëritur vazhdimisht se gjithkush tjetër qe fajtor për humbjen e zgjedhjeve, por kurrsesi lideri, i cili vetë tha se ai ishte përgjegjësi. Olldashi pati një tentativë për të folur për ish të përndjekurit dhe pronarët, dy tema që as që u përmendën fare nga programi elektoral i PD-së për zgjedhjet e 23 qershorit. Premtimi më i përsëritur i Bashës është se “do të njohë kontributin e çdo anëtari”, do ta kontabilizojë atë. Duket se ai ka mësuar shumë nga punëdhënësi i tij Berisha për përdorimin e klientelizmit si mjet i të bërit politikë. Premtimi tjetër i Bashës ishte që “do të mbrojë” demokratët që janë të punësuar në administratën shtetërore aktualisht kur të pushohen nga puna nga socialistët pas shtatorit. Shkurt, gara nisi me vetëpërjashtimin e shumë figurave, pastaj me ndalimin e tyre me urdhër për të marrë pjesë publikisht dhe hapur duke mbështetur njërin apo tjetrin kandidat (nënkuptohet ndalimi i kryesisë në mbështetjen e Olldashit) dhe pastaj me mungesë transparence mbi listat e votuesve, numrin e votuesve, qendrat e votimit etj. Për t’i vënë vulën, dje u mësua se anëtarët e kryesisë dhe deputetët nuk do të votojnë në PD-në e lagjes së vet, por do të votojnë në një kuti të posaçme në selinë qendrore të PD-së. Të dhënat e asaj kutie do të shërbejnë për të matur nivelin e besnikërisë së figurave kryesore ndaj udhëheqësit të ardhshëm. Ajo çfarë duhej të ishte një ngjarje historike për demokracinë në Shqipëri, në fakt nuk është kështu.  

You may also like...