Një parlament apo një mausoleum

Gjergj Erebara

Emigrimi duhet të ketë diçka të çuditshme: të bën sentimental për ngjarjet në Atdhe, ngjarje që në fakt nuk janë as të reja dhe as për t’u habitur.

Nja dy javë të shkuara, në një sallë që quhet Parlament, por që fare mirë mund të quhet edhe “zyra kancelarike e kryeministrit”, u miratua një ligj, me të cilin qeveria i shet tokën turistike në Golem të Durrësit njerëzve që e vodhën atë gjatë viteve të shkuara kundrejt çmimit 10 mijë lekë të vjetra për metër katror, minus 30 për qind ulje.

Plot 7 mijë lekë të vjetra qe çmimi i përcaktuar për metër katror. Vjedhja nuk është kaq e tmerrshme, në fakt, as ndonjë fenomen i ri. Megjithatë, emigrimi të bën sentimental. Nja 30 kilometra më në jug, fshatari Pandi në Lushnjë nuk është në gjendje as të shesë e as të blejë tokë, për shkak se qeveria ka vendosur një si tip takse, që në rastin konkret varion nga 500 mijë në 700 mijë lekë për dynym, në një kohë që dynymi i tokës bujqësore jepet me qera për 10-20 mijë lekë (gjithmonë të vjetra) në vit, ose shitet për 2-3 milionë lekë. Taksa që fshatari Pandi duhet të paguajë është teorikisht 10 për qind e diferencës mes çmimit të blerjes dhe çmimit të shitjes. Çmimi i blerjes në këtë rast është zero sepse tokën e ka marrë nga reforma. Çmimi i shitjes është caktuar nga qeveria dhe është dy-tre herë më i lartë se sa çmimi real i tregut.

Në të njëjtën kohë, toka në Golem, do të shitet me 7 mijë lekë metri katror (10-20 herë më i ulët nga çmimi real i tregut) dhe, ironikisht, pa taksa.

Me tokën që mori nga reforma, fshatari Pandi ka mbajtur frymën gjallë gjatë këtyre viteve. Me tokën e vjedhur në Golem, hajdutët më së shumti investuan paratë që vodhën nga buxheti i shtetit.

Çmimi i tokës së Golemit u kthye në debat politik në parlament, por taksa që duhet të paguajë fshatari Pandi, nuk u përmend nga askush.

Në të njëjtën kohë, qeveria ka marrë nismë për të ndërtuar një parlament të ri, një ngrehinë goxha të impresionuese dhe të kushtueshme, pikërisht mbi mauzoleun e diktatorit komunist Enver Hoxha. Mauzoleumi i ri do të përjetësojë arritjet e Shqipërisë post-komuniste. Dy dekada të mbushura me diktaturë korrupsioni, ku parlamentarët nuk është se kanë bërë ndonjë gjë më të mirë se sa të miratojnë atë që ka kërkuar qeveria.

Çfarë bëhet aktualisht në parlament? Qeveria dërgon dy kategori shkresurinash: ligje që i ka kërkuar BE, që përkthehen, miratohen dhe harrohen ashtu siç janë dhe dy; ligje që bëjnë të mundur vjedhjen e pronave publike e prapësi të këtij lloji. Qeveria i dërgon, parlamenti i miraton.

Parlamentarët mund të ndahen gjithashtu në dy kategori: ish-policë që dinë të rrahin fshatarët nëpër zonat përkatëse elektorale dhe dy; ish-aparatçikë që dinë të duartrokasin.

Nganjëherë të merr malli për parlamentin e Dushkut. Ai nuk qe parlament përfaqësues i popullit, por gjithsesi grupime të ndryshme përfaqësonin interesat e veta. Debatet (gjithmonë jo për hatër të interesave të popullit), krijuan presidentin e parë me konsensus që Shqipëria ka parë që nga regjenca fetare e vitit 1920.

Gjigantizma të tillë si ngrehina të shtrenjta në formën e përkujtimoreve vijnë për fat të keq në kohë krizash. Piramida përfundoi së ndërtuari në vitin 1988. Tonët e kromit të nxjerrë me punë skllavi u konvertuan në mermer për të përkujtuar udhëheqësin komunist. Ekonomia kishte një dekadë që nuk ecte përpara.

Muzeu i diktatorit, sapo u krijua, u kuptua se nuk kishte me se të mbushej. Objektet e ekspozuara qenë të tilla: stilografi që udhëheqësi i dhuroi mbesës së vet.

Muzeu i ri i diktaturës së korrupsionit duket se do të ketë të njëjtin fat. Shqipëria gjendet prej tre vjetësh në stanjacion. Buxheti i shtetit aktualisht merr para borxh për të shlyer paga e pensione.

Imagjinoj që në parlamentin e ri, objekte të vyera do të duhet të ekspozohen si psh: ligji që i vendosi taksë fshatarit Pandi; ligji që shiti Golemin për 7 mijë lekë metri; ligji që krijoi Gërdecin. Ligji që sanksionoi se dokumentet e zgjedhjeve të vitit 2005 klasifikohen si sekret shtetëror për njëzet vitet e ardhëshme. Mundet që mauzoleumi i ardhshëm të ndahet në seksione: Parlamenti i Kallashnikovit, Parlamenti i Dushkut, parlamenti i kutive të mbyllura dhe vjedhjes së votave të klasifikuar sekret për njëzet vitet e ardhëshme.

Shkurt, parlamenti i ardhshëm do të jetë shumë i ngjashëm me Piramidën ekzistuese. Është vështirë të gjesh ndonjë dallim me përjashtim të formës. Nëse Enver Hoxhës i mjaftonte edhe një varr, por e a të arsyeshme të falimentonte vendin më tutje, edhe parlamentit të sotëm i mjafton vetëm një zyrë për të vulosur shkresurinat e kryeministrit. Nuk është realisht e nevojshme një ndërtesë madhështore për të përjetësuar turpin e një epoke.

You may also like...