Një qasje mediatike ndaj korrupsionit!

Disa ditë më parë, media investigative BIRN na paraqiti vazhdimin e një investigimi të dalë muaj më parë (mund ta shihni këtu) për një nga skemat piramidale më të mëdhaja në vend. Bëhej fjalë për të shumëpërfolurën skemë të DIA, kompanisë së drejtuar nga Ismailaj, e cila i premtoi CEZ mbledhjen e detyrimeve të prapambetura por që nuk prodhoi asgjë vetëm se vjedhjen e miliona eurove.Daniel-Pudles-1207-001

Në mbrojtjen e avokatisë së shtetit Shqiptar në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë, mësohet se pala shqiptare ka përmendur ndër të tjera se Ismailaj është një person që ka korruptuar dhe ka paguar me para një ish ministër të METE dhe po kështu një kryeministër të akuzuar për korrupsion. Lehtësisht nga shkrimi i parë i kësaj serie investigative, Ilir Meta u qarkua si figura që përmbush të gjithë kriteret për të qenë ky person dhe më pas sikurse pritej edhe ky reagoi duke ia hedhur topin ish aleatit të dikurshëm.

Në mes të gjithë kësaj kakofonie, një ditë pasi Meta këmbëngulte se nuk qe ai njeriu, vjen edhe pjesa e tjetër e investigimit. Dëshmia e ish drejtorit të CEZ, që në 20 pika shpjegon se si lindi nevoja për një kompani të tretë dhe se si Ismailaj u prezantua tek CEZ përmes një ish ambasadori në Çeki, për një sy të vëmendshëm kjo duhet të ishte një tjetër provë që qartësonte implikimet e Metës dhe po ashtu të bërit qorr nga Berisha.

Mirëpo, nuk qe e thënë kështu, media apo thënë rëndomtë pushteti i katërt zgjodhi që të luante rolin e tellallit të zyrës së propagandës. Pa dyshim që të “intriguar” nga Berisha i përfshirë në atë dëshmi, atyre iu errësuan sytë nga 19 pikat e tjera ku shpjegohet se si jo vetëm Meta por edhe drejtori aktual i ERE-s, Petrit Ahmeti, ka qenë i përfshirë në këtë skandal gjithashtu.

E gjitha kjo e ndërtuar për t’i ardhur në ndihmë dikujt edhe pse e gjitha kjo shmang tërësisht vëmendjen nga çështja reale. Pra, nga fakti se Ilir Meta ka ndikuar përmes konjukturave të tij për të emëruar Kastriot Ismailaj si personin që do të bënte një gropë disa miliona euro. Gropë, që sipas zyrës së avokatisë, ka shkuar në xhepat e një ish Kryeministri të akuzuar për korrupsion.

Gishti kështu tregon hënën por mediat kanë vendosur të merren me gishtin dhe jo me hënën si për të dëshmuar për të n-të herë, që dëshira e tyre nuk është t’i shërbejnë shoqërisë por t’i shërbejnë një pushteti. Mediat vendosën të komentojnë mbi faktet apo më saktë të komentojnë mbi atë fakt që atyre u interesonte dhe jo mbi materialin, duke bërë kështu një ekstrapolim të të dhënave. E kjo, nuk është një akuzë që ngrihet nga hiçi por një vështrim i asaj që ndodhi edhe pasi doli pjesa e parë e këtij investigimi, ku asnjë media e shkruar nuk e publikoi atë (me përjashtime të vogla).

Një vështrim i asaj që media bën me një investigim duke u dorëzuar pa kompromise jo para së vërtetës por para pushtetit dëshmon se ajo nuk është se ndryshon shumë nga politikanët që ky investigim (si edhe të tjera investigime) nxjerrin palarë. Kjo, për një shoqëri është shpresë pakët po aq shpresë pakët sa edhe heshtja e institucioneve të përfshira në këtë mesele, po aq sa heshtja e prokurorisë që duhet të ishte e para që të reagonte pas këtyre akuzave. Por të gjithë kanë vendosur të heshtin, më keq disa kanë vendosur të flasin me kasetë.

Të bësh për budalla një shoqëri si kjo e jona, fakteqësisht nuk është fort e vështirë. Kështu që nëse do të mposhtësh një skandal duhet të bësh një tjetër më të madh. Nuk mund ta lexoj ndryshe reagimin e emailit që gazetat e paskan siguruar padashje por edhe eksluzivisht, të Kryeministrit Rama, email në të cilin ai fliste me tone të ashpra ministrave të tij.

Një lajm, që nuk kishte arsye përse të ishte lajm duke qenë se Onion mund ta publikonte fare mirë si lajm të saj eksluziv po ashtu, por që një media serioze aspak. Por ai u quajt i tillë, pikërisht sepse diskutimet thelbësore të një qeverie dhe mazhorance të ngërthyer nga skandale, i trajton me një lehtësi qesharake dhe periferike për problemin.

Kështu rikthehemi edhe një herë tek investigimi që në fakt dëshmon atë shtyllën kurrizore të sistemit që është ndërtuar këto vite në vendin tonë pseudo-kapitalist. Rikthehemi tek i paprekshmi Meta, që ka krijuar aureolën e një zoti që nuk do të mposhtet kurrë dhe që askush nuk mund t’ia marrë topin kur ai xhonglon. Në fakt, e gjitha atje rrotullohet dhe merr formë e në fund fare shpjegon imtësisht se në ç’lloj atdheu po jetojmë. Ndonëse, toka rrotullohet dhe fajtorin e dimë të gjithë kush është!

You may also like...