Njoftime për vende pune nga Ministria e Punëve të Jashtme

Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë njoftoi sot se ka arritur të gjejë me sukses një musliman për ta bërë ambasador në Arabinë Saudite dhe një katolik për ta bërë ambasador në Selinë e Shenjtë të Vatikanit.

Ermir Gjinishi me cilësitë e besimtarit mysliman do të përfaqësojë Shqipërinë në diktaturën fetare të Arabisë Saudite. Ky i fundit ka premtuar që do t’i thotë arabëve se emri i tij i vërtetë është Emir dhe jo Ermir, për të fshehur rrënjët pagane shqiptare ndërsa Ministria e Jashtme e ka porositur që sa herë të kthehet në Shqipëri të rruajë mjekrën me qëllim që të shmangen kritikat e Ben Blushit.

Për Vatikanin, kandidati fitues është i mirënjohur si katolik dhe jo vetëm. Ai njihet si europianist i pastër, me lartësi të tilla sa ka sharë disa herë presidentin Bujar Nishani nga sëmundja e tij e përfolur, duke argumentuar se paaftësia fizike mund të prekë aftësinë e tij për të bërë punën e presidentit.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme bën të ditur se mbeten të hapura për kandidatët e interesuar, disa poste. Ambasadori ynë në Indi duhet të jetë budist, ai duhet të jetë në gjendje të kalojë në Nirvana në emër të paqes në botë. Për Kinën kërkohet një Taoist. Kandidati në fjalë duhet të plotësojë edhe kushtin tjetër, ai duhet të jetë Maoist. Si të tillë, nuk pritet të ketë probleme pasi ka ende në këtë vend komunistë të pareformuar.

“…Na mungon nje shqiptar me letra greke fallco por anëtar i Agimit të Artë që ta çojmë ambasador në Tel-Aviv, një agnostik pronar call-centeri që ta propozojmë ambasador në Itali (nëse s’e gjejmë dot një të tillë mbaron punë një komunist i zakonshëm)… dhe një ëahabist i moderuar që të na përfaqësojë denjësisht në Uashington… is it too much to ask?” bëhet e ditur në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.

Për në Gjermani vendi luhet mes një vegjetariani dhe një aktivisti për të drejtat e komunitetit LGBT. Në Rusi do çojmë Idajet Beqirin, …të maskuar si Hidayet Beqirovic, Msc, Ambassador Extraordinary and Plenipotentiary of the Tolerant Republic of Albania to the Most Orthodox Republic of Rooosia. ..dhe me këtë rast, pasardhësin e fundit të Skënderbeut (nga linja e Hamza Kastriotit) ambasador në Turqi, vijon më tej njoftimi.

Kuptohet, është i zënë vendi i ambasadorit shqiptar në Galaktikë. Ai është pronari i Universitetit Ufo, ose një i zgjedhur prej tij, ndërsa për në Mars do të emërohet Profesor Doktor Luan Memuuuushi, i cili prej kohës ka kultivuar njohuri të thella mbi këtë çështje si rektor i Universitetit Planetar të Tiranës.

You may also like...