Nuk janë plehrat problemi

Kalimi i ligjit të plehrave, dëshmoi për disa pjesëtarë të mazhorancës si Blushi, se qeveria ka rënë moralisht. Për një shtet normal dhe një popull të ndërgjegjshëm natyrisht që ky veprim i qeverisë shoqëruar me gjithë dështimet dhe mosplotësimin e asnjë politike të premtuar, shoqëruar me degradimin e pandalshëm të shtetit dhe institucioneve të tij nën qeverisje. Duhet të përkthehej në një votë masive kundër kësaj qeverie po qoftë edhe establishmentit.

Gjasat për një sjellje të tillë elektorale nuk kanë shanse të ndodhin, kjo si pasojë e mënyrës se si shqiptarët kanë votuar deri më sot e mbi të gjitha deri në zgjedhjet e Dibrës, ku brekët e Shukriut duhet të jenë më të dashura për Ramën për shkak të rezultatit që sollën. Praktikisht, sjellja jashtë një logjike politike (siç edhe Baze vuri në dukje) nuk është aspak një veprim i menduar në të nxituar nga Rama. Jo vetëm sepse ligji për plehrat ka ardhur në kuvend që në Majin 2016 (ku shumica e protestuesve të shoqërisë civile protestonte krah Lu dhe Vlahutin për draftin e shumë diskutuar Xhafa),  por mbi të gjitha sepse Rama përmes skemës së përdorur në Dibër ka mundur të prodhojë opozitën që dëshiron në sy të popullit por njëkohësisht edhe mekanizmin (jo matematik r aq më pak politik) për fitoren e ardhshme të tij.20160924_eup503_0

Epiqendra e të keqes për shoqërinë por edhe leva e Arkimedit për qeverinë, nuk ndodhet fare në ligjin e plehrave sepse ky i fundit është pasojë e kanabizimit të vendit. Rilindja si qeveri, por edhe aleanca Europiane si mazhorancë ka prodhuar një ekonomi kanabisi i cili sot rrezikon Europën duke e mbytur në hashash (siç edhe përgjimet nga shteti fqinjë transmetojnë) por njëkohësisht duke prodhuar makinerinë e votave të gatshme për të sunduar sistemin e ngritur.

Përballë kësaj makinerie, opozita e vendit por edhe aktorët e shoqërisë civile kanë mbetur të pataksur nga sjellja e pabesë e një kryeministri që po dëshmon se nuk i intereson të qëndruarit me to.

Mënyra se si ai po sillet ndaj tyre promovon natyrisht edhe një farë opozite tjetër, që duhet të mbushë boshllëkun e një opozite që nuk po gjen busullën dhe që ka mungesë kredibiliteti në shumicën e shoqërisë. Por njëkohësisht prodhon një lëvizje mekanike e cila konkludohet në skena groteske si ai i të shënuarit të emrave të deputetëve që votuan ligjin e plehrave në kazanët e plehrave.  Kur në fund të ditës atyre nuk u bën përshtypje duke qenë se këto deputetë nuk mbahen si njerëz me ndërgjegje derisa kanë shkuar deri aty sa të shkelin parimet e pakta në jetë për të qenë ku janë.

Kësisoj, edhe PDIU edhe LSI të cilat bashkëpunojnë me këtë mazhorancë që ka prodhuar këtë makineri mashtrimi edhe blerje, nuk janë më të pakta në këtë aferë. Çfarë rëndësie ka për shqiptarët fakti se një pjesë e LSI apo PDIU nuk votuan kur në fund të ditës janë këto deputetë që mbajnë në këmbë një qeveri që krijon ekonominë e Kanabisit dhe prodhon mashtrime të vullnetit edhe demokracisë? Fundja edhe amendimi i ligjit për plehrat nuk ndryshon asgjë, siç nuk ndryshuan as “amendimet” për Ligjin e Arsimit të Lartë. Kjo sepse këto ligje nuk janë vetëm dorëzimi i një supermaxhorance të majtë para lobingjeve të riciklimit, por janë pasoja e dorëzimit të supermazhorancës para pushtetit absolut të kamofluar në demokraci për sy e faqe.

Duket e pabesueshme, por ligji i plehrave për shumicën prej nesh ishte një ligj që i dha dërrmën e fundit qeverisë para zgjedhjeve. Por në fakt, ky është thjesht iluzioni jonë, iluzioni i një shoqërie që ka heshtur dhe vazhdon të hesht tek ajo që është realisht gangrena që prodhoi rilindja. KANABIZIMI I VENDIT! Derisa shqiptarët dhe jo shoqëria civile, të protestojnë kundër kësaj, do të jetë e pamundur kthimi në binarët e duhur të një qeverie që mban përgjegjësi për veprimet dhe mosveprimet e saj.

Por nëse heshtim duke pranuar me kokëposhtë se vota shitet, se kanabisi ka qenë edhe në Lazarat, se këto vjedhin pak më pak, se do vijë rotacioni e kështu me radhë do të vijë një ditë kur kjo mazhorancë nuk do të na dhurojë as edhe kënaqësinë e propagandës qesharake.

You may also like...