PD, Një garë mes partisë dhe familjes

Kafshët jashtë panë nga derrat te njerëzit dhe nga njerëzit te derrat dhe nga derrat te njerëzit sërish; por sakaq qe e pamundur të dallohej se cilët qenë derrat dhe cilët qenë njerëzit.

Ferma e Kafshëve, George Orwell

The creatures outside looked from pig to man, and from man to pig, and from pig to man again; but already it was impossible to say which was which.

Animal Farm, George Orwell

Ngjarja historike është që në Partinë aspak Demokratike është bërë një garë ku kandidati humbës nuk është rrahur nga truprojat e Berishës. Në krahasim me garën e fundit të zhvilluar më 1999, kjo është një arritje e madhe.  Në krahasim me garat e Partisë së Punës, ku kundërshtarët përfundonin të ekzekutuar, ndoshta qahemi kot.

Lulzim Basha dhe opinionistët klientelistë që e mbështetën bënë çështë e mundur të legjitimojnë kandidatin fitues me argumentime të stërholluara se gara qe reale, se votat nuk u vodhën apo se votimi shprehu vullnetin e qytetarëve.

Bislim Ahmetaj, një demokrat, tha se i kishte rënë në sy fakti që shumë demokratë kishin frikë të deklaronin votën e tyre. Përse të kenë frikë vallë? Në fund të fundit, a nuk po flasim për partinë që teorikisht solli lirinë?

Votimi duhej të qe i fshehtë. Por shumë shpejt u kuptua se nuk qe i tillë. Njësoj si komunistët e vitit 1945, me sistemin e famshëm me gogla që tingëllonin në kutitë e kandidatëve të opozitës duke identifikuar në këtë mënyrë të gjithë “armiqtë” e mundshëm, edhe në zgjedhjet e Berishës anëtarëve të PD iu dha një fletë me numër të identifikueshëm.

Aparatçikët e partisë do të dijnë të dallojnë çdo anëtar partie që ka votuar se për kë ka votuar. Kandidati Olldashi ua lehtësoi punën duke i thënë se votoi me fletën e votimit kaq e aq. Ai foli me gjysmë zëri edhe për disa mijëra votues që qenë shtuar në listën e Tiranës. Disa thanë se do të shpërthente, por kjo gjë nuk ndodhi.

Sokol Olldashi nuk mund të thuhet se qe një konkurrent pa rëndësi në garë. Në fund të fundit, kjo qe një garë mes Partisë Demokratike dhe familjes së Berishës e të parapëlqyerve të tyre. Qe një garë që renditi në njërin krah Olldashin, Topallin, Boden e shumë figura të tjera dhe Saliun, Argitën, Lulin dhe badigardët e Berishës në krahun tjetër.

Shansi për të patur një parti demokratike në Shqipëri humbi, ose më saktë nuk ka ekzistuar kurrë. E vetmja gjë që pritet tashmë është që familja të identifikojë të gjithë ata që kanë votuar për Olldashin për të filluar fushatën e spastrimit. Nuk po arrij të kuptoj nëse George Orwell ka patur fuqi profetike, apo Berisha e ka lexuar atë dhe po vepron pikërisht sipas mësimeve të derrit Napolon.

You may also like...