Për një partneritet të fituar – strategjik

893221_10151763032793061_1046828230_oÇfarë bënë shqiptarët në Tiranë e gjetkë javën që shkoi? Festuan në secilën qoshe, sepse u ndien se u zgjuan nga gjumi, ndoshta për herë të parë, vetë, për vete…!

Avni Zogiani

Një partneritet strategjik që konsumohet përnjëherësh me një çështje të vetme, a mund të quhet i tillë? Të dielën në Tiranë, dhe pastaj në rrjetet sociale në Prishtinë, po duroja një histeri të “strategjistëve politik”, të cilët nuk kanë bërë as mundin më të vogël për ta kuptuar çka është partneriteti strategjik. E pati, mbaroi puna, iku rasti, u fshi gjithçka, na mori lumi, na ktheu shpinen Amerika….!
Çka në të vërtet ndodhi me protestat në Tiranë? Ishte ajo thjesht një shprehje e brenges së njerëzve që disa vite më herët e panë Gërdecin se një gabim i ardshëm mund të dëmtojë rënd jetën e shëndetin e njerëzve në Shqipëri, në një shkallë shumë më të gjerë sesa Gërdeci, apo ishte një manipulim i madh i medias, siç e quajti Kryeministri Rama, në fjalimin e tij dhelpërak kur pak a shumë tha “unë doja t’ua fusja, por ju si guxoni të refuzoni…? Unë doja t’ua fusja për të mirën tuaj…!”.
Shqiptarët në Tiranë e qytete tjera të Shqipërisë të shtunën dhe tërë javën që shkoi nuk filluan një luftë ballkanike, nuk dogjën ambasadat e huaja, nuk rikonfirmuan një ligj lufte, nuk bënë spastrim etnik, as ndonjë sulm terrorist. Po, kjo përshtypje u dha nga tentakulat e dreqit e t’birit me elitën shqiptare dhe siç tha pak a shumë kryeministri Rama. Ju jeni çmend, po kujtoni se jeni qendra e botes. Në të vërtet shumë nga këto që numrova më herët kanë bërë popujt e Ballkanit dhe askush, asnjëherë nuk iu tha se do humbni parneritetin tonë….
Shqiptarët thjesht dhe vetëm dolën për t’i thënë JO sjelljes së armëve kimike, në një kohë kur askush s’po iu sqaronte as po iu jepte garanci se kjo nuk do të dëmtojë shëndetin e tyre. Pra, ai refuzim, edhe po të ishte refuzim i Amerikës, u bë nga brenga për shëndetin e jeten e qytetarëve, që në fakt është gjëja më normale që duhet të ndodhë me një shoqëri që di se helmi, të helmon. Nuk u refuzua nga qejfi ky plan, as nga arroganca, por nga brenga për gjënë më normale: jetën dhe shëndetin. Ndëkohë atyre s’po iu thuhej asgjë, veçse po iu qarkulloheshin oferta nga më qesharaket si kandidimi i Shqipërisë për çmimin Nobel për paqen në këmbim me pranimin e armëve kimike. Ajo që po u thuhej shqiptarëve atyre ditëve është pak a shumë ajo që një protestues e përmblodhi të tërën në një pankartë: Armët kimike, janë kimike – Nard Ndoka…!
Dhe kush tjetër të fajsohet përveç medias? Ato që provuan njëherë të bëjnë gjënë që bëjnë mediat normale, të tregojnë se në qendër të kryeqytetit ka një protestë të të rinjëve. Natyrisht jo të gjitha bënë këtë. Kishte edhe të tilla që bënin atë që rëndom bën televizioni publik kosovar, i cili edhe kur në rrugë protestojnë dhjetra-mijëra protestues gjen një qytetar që është kundër protestave dhe atë e nxer në kokë të lajmit.
Të dielen, derisa me një grup shokësh e shoqesh po pinim kafen, ndërkohë që prisnim të shlirohej pak Panairi i Librit, që ngjante si një protestë, një nga këto tentakulat e organizatave të huaja me shoqërinë shqiptare po na e mbante një ligjeratë në kafen e mëngjesit. Aq rënd sa ishte mbas një nate me festë për ta dëgjuar, plus që nuk kishte asnjë shansë të flisje, sepse pesha e interlokutorit ishte shumë e madhe. Kishte eksperienca pa fund përkthimi me ndërkombëtarët dhe kjo e bënte atë të dinte më shumë, të kuptonte më mirë se çka humbi Shqipëria me refuzimin e armëve kimike. I paskësh thënë IMF dhe paskësh lexuar një letër konfidenciale të Obamas që fliste për 300 milionë euro ndihmë direkte në buxhet. Pra, po flisnim për 300 milionë euro! Aq sa kushton një copëz rrugë e Bechtel & Enka. Shumëfish më pak sesa vlerat që morën kompanitë e ndërlidhura me ta nga shoqëritë shqiptare…! Natyrisht, edhe obsesioni i integrimeve evropiane futej në tavolinë, a thua sikur ky integrim nuk qenka i bazuar në ato dhjetra mijëra kushte teknike të zhvillimit institucional që komunikon Komisioni Evropian me shtetet në akcesion. Kështu, ata banalizojnë integrimin, banalizojnë ndihmat për Shqipërinë, duke e shndërruar këtë marrëdhënje gati në raport porstitucioni, për t’iu provuar shqiptarëve se “bënë gabim” që than JO.
Dhe të gjithë njëzërit, i kërkonin palës tjetër të mos bëjnë ekspertin, por ata vetë e bënin ama. Që të gjithë e shihnin “partneritetin strategjik” me ShBA-të si një rast të humbur, e armët kimike benine, edhe pse nuk e kuptonin dot se bëheshin qesharak sepse një marrëdhënje që prishet në këtë mënyrë asesi nuk quhet partneritet strategjik. Unë jam i bindur që ShBA-të, ashtu siç e thoshin kudo dhe qartë, e kuptuan shumë mirë popullin shqiptar. Mirepo, këta donin të shifnin diçka tjetër. Donin të shifnin këtë partneritet në gërmadha, vetëm e vetëm që të kishin të drejt!
Po, ku qëndronte problemi i vërtet i tentakulave të tilla të shoqërisë shqiptare? Në të vërtet më shumë se çkado tjetër me këtë JO të shoqërisë shqiptare ishte cënuar roli i tyre prej tutori të elitës shqiptare. Janë mësuar të ushtrojnë frikë me pedigrenë e tyre prej njerëzve të afërt me ndërkombëtarët. Në emër të kësaj afërsie ata janë mësuar ta kenë shoqërinë shqiptare nën kontrollë të plotë. Ata janë posesivë, janë imponues, janë histerikë, dhe u premtojnë shumë atyre shërbimeve me të cilat flasin. Ata u dhënë shumë garanci se situatën e kanë nën kontrollë. Thelbësisht, ata e mendojnë popullin si budalla dhe e thonë haptazi se populli s’di gjë. Por populli di shumë ama. Elita mund të jetë budalla, pse i ka duruar në shpinë për dekada të tëra, ndërkohë që ata thjesht gjithçka që bëjnë, tërë ai terror e presion informativ që ushtrojnë ndaj elitës shqiptare, lidhet thjesht me çekun e pagës së tyre dhe me asnjë bindje që kanë.
Për këta njerëz nuk ka asnjë vlerë ajo që thotë i riu shqiptar. Ata thjesht thonë se partneriteti me të huajt është mbi të gjitha, edhe mbi jetën tonë. Nuk kemi luks t’i themi jo Amerikës, thonë ata. Pra, ata e konstatojnë se ne i tham JO Amerikës. Ata thonë, hajt për një moment hiqeni Amerikën si faktor nga zhvillimet e fundit mbi dhe rreth shoqërive shqiptare dhe shifeni si do të dalin llogaritë. Dhe përfundojnë duke konstatuar po vetë, po të mos ishte Amerika ne nuk do të ishim këtu ku jemi! Argumentim i zbrazët, krejt i thatë, i trashë, kërcënues, jonjerëzor. Ata në këtë mënyrë fyejnë rëndë Amerikën, duke pre-supozuar se ky shtet-djep i demokracisë nuk do na ndihmonte po të mos kishte interesa, duke mohuar tërësisht mundësinë që ne t’jem ndihmuar për shkak të bindjes së, së paku, krahut liberal amerikan se në disa zhvillime të këtyre dekadave, e drejta ishte në anën e shqiptarëve. Dhe mbi të gjitha, duke mohuar edhe interesat natyrore që kishte Amerika në këto zhvillime që fillojnë me shkatërrimin përfundimtar të komunizmit, paqen në Ballkan, dhe vazhdojnë me interesat e një sigurie të qëndrueshme në Evropë.
Mbi të gjitha, ky soj njeriu, ka humbur fort besimin tek shqiptarët, sepse të tillë nuk ndihen vetë. Shqiptarët janë të poshtër, thonë. Madje, interlokutori ynë të dielën në mëngjes, thoshte se edhe protestuesit e javës që shkoi janë të poshtër. Pra, ata mbajnë vulën në dorë, në të vërtet mbajnë disa vula në dorë. Me njërën i vulosin njerëzit si anti-amerikan-evropian, me njërën vulë vulosin njerëzit si të poshtër, e me një tjetër i vulosin ata si të padijshëm. Janë autoriteti që licenson si duhet të jetë një qytetar shembull. Qytetari shembull për ta është qytetari që ngarend mbas oportuniteteve finansiare që jep kjo situatë dhe barazon veten me zero, duke u shndërruar në një dëgjues të thjesht të “miqëve ndërkombëtar”, në një pranues pasiv të kërkesave që të huajt kanë për shqiptarët.
Ky soj i njerëzve nuk shef asnjë të vetmen rëndësi në faktin se për herë të parë politika u përzu nga protestat në Tiranë. As që e vejnë në kandar faktin se më në fund, në mënyrë të paqme, qytetarët shqiptarë po iu mësyejnë rrugëve thjesht me brengën për të ardhmen e tyre, pa asnjë pikëtakim me politikën. Thonë, aty kishte njerëz nga opozita, aty kishte berishianë. Nuk mjaftohen me faktin që protestuesit ndoqën simbiozën Berisha-Basha dhe desh e shtypën Ilir Meten para parlamentit. Protestuesit kësaj radhe kishin një shenjë dalluese për legenat: kushdo që ka kravatë në protestë, është legen!
Të mjerët ata (tentakulat) po flisnin me siklet të madh mbas të shtunes. Sepse po shifnin njerëz që i dëgjonin, por e kuptonin mirë që nuk pajtoheshin me ta. Po shifnin njerëz që guxonin t’i injornonin, t’iu thoshin, vazhdoni ju të flisni se unë kam pakëz punë me një festë që po bëhet në një nga lokalet e Tiranës. Dhe birra Korça ishte bërë më e ëmbël se kurdoherë. Të mos flasim për rakinë e skraparit… Apo s’janë bërë gjithë ato lokale me ushqim fantastik në çdo qosh të Tiranës..? Pra, gëzuar!

Botuar fillimisht te Zeri

You may also like...