Pikëpamja e kërkesë-ofertës për gjykatësit, një arratisje nga realiteti

Gjergj Erebara

“Shumica dërrmuese e gjyqeve në Shqipëri janë për të fituar të drejtën, jo për të ndëshkuar të padrejtën”, shkruan Flutura Açka në romanin e saj Kukullat nuk kanë atdhe. Një vëzhgim shterues i realitetit shqiptar të ditëve tona. Në gjykatë, më së shumti, nuk shkohet kur ke bërë ndonjë gjë të keqe, por kur dikush tjetër ka bërë një gjë të keqe ndaj teje.

Ne të gjithë e dimë se gjykatësit në shumicë janë të korruptuar, e në shumë raste, të paaftë. Paaftësia është gjerësisht trashëgimi e viteve ‘90, kur në përpjekje për të zëvendësuar kastën e vjetër të gjykatësve të kohës së komunizmit, u emëruan gjykatës njerëz me gjashtë muaj shkollë, të cilët vijojnë të bëjnë punën e gjykatësit dhe duket se pozicioni i tyre është çimentuar dhe ata janë bërë të paprekshëm, të pandëshkueshëm e të pakapshëm për nga niveli i pasurisë që kanë akumuluar përgjatë viteve.

Se si mund të dilet nga kjo situatë, askush nuk ka ndonjë ide të saktë. Prirja e përgjithshme e qeverisë në kuadër të luftës ndaj korrupsionit është që kemi të bëjmë me një problem sistemi dhe jo njerëzish. Por janë nja dy ide, njëra më e çuditshme se tjetra, që po qarkullojnë në këto momente.

Njëra ide thotë se gjykatësit janë të varfër, me rroga të ulëta për përgjegjësinë që kanë në dorë dhe kjo gjë bën që të jenë të prirur për korrupsion. Propozimi është që të rriten rrogat, në mënyrë që të luftohet korrupsioni.

Ideja tjetër, edhe më radikale, është që Shqipëria të importojë gjykatës nga vendet e Bashkimit Europian, për shkak se nuk qenka e mundur të gjenden njerëz që të jenë njëkohësisht të aftë dhe të ndershëm brenda vendit.

Ndëshkimi i të korruptuarve është pikërisht ideja nga e cila qëndrojnë larg të gjithë. Në fund të fundit, arsyetohet se të gjithë shqiptarët janë pak a shumë të korruptuar, në shpirt dhe, kur i kanë mundësitë, janë gjithmonë të etur të ngjyejnë gishtin me paratë që nuk u takojnë.

Ideja e parë absurde, ajo e rritjes së pagave, tingëllon sikur drejtësia është çështje kërkesë-oferte. Arsyetohet se keqbërësit janë të gatshëm të paguajnë para te gjykatësit (dhe prokurorët) dhe këta të fundit janë të joshur ndaj korruptimit, jo se janë të korruptuar të pakorrigjueshëm, por se janë të detyruar ndaj kushteve. Kuptohet që pikëpamja kërkesë-ofertë vështirë se mund të funksionojë. Kur një kriminel është në gjendje të paguajë 10 mijë, 100 mijë apo 1 milion euro për të fituar mosndëshkimin, taksapaguesit nuk kanë asnjë shans të konkurrojnë me shifra të tilla.

Ideja e dytë, ajo e importimit të gjykatësve, është një arratisje tjetër nga realiteti, dhe për më tepër, është një shmangie ndaj diskutimit mbi domosdoshmërinë e ndëshkimit të të korruptuarve. Një gjykatës i huaj, vështirë se mund të konsiderohet si i pakorruptueshëm automatikisht përballë joshjes për të liruar trafikantë droge apo politikanë miliarderë në këmbim të mijëra apo miliona eurove.

Rruga e vetme për të ndërtuar një sistem drejtësie normale është llogaridhënia. Në një situatë hipotetike, Këshilli i Lartë i Drejtësisë është gjykata e gjykatësve, ky institucion ka për detyrë t’u kërkojë llogari gjykatësve kur vërejnë se kanë shkelur ligjet, t’i shkarkojë si gjykatës e t’i dërgojë në ndjekje penale. Kjo që nuk funksionon për shkak se KLD nuk e bën punën e vet. Ai është pjesë e sistemit. Kështu mbetet rruga tjetër, ajo e kërkimit të llogarisë përmes kontrollit të pronave, makinave e stilit të jetesës së gjykatësve.

Gjykatësit duhet të detyrohen të japin llogari për shtëpitë, makinat dhe pronat që disponojnë. Në rast se vërehet se janë më të pasur nga sa justifikon rroga e tyre, duhet t’u konfiskohen këto prona e të futen në burg. Këtë punë mund ta bëjë i ashtuquajturi Inspektorat i Deklarimit të Pasurive, por mund ta bëjë edhe çdo punonjës tatimor.

Njerëzit që e kanë në dorë ta bëjnë diçka të tillë janë politikanët shqiptarë. Populli nuk ka gjë tjetër për të bërë veç t’u kërkojë llogari politikanëve. Por populli, për fat të keq, kujtohet për t’u ankuar për gjykatësit vetëm kur bie vetë viktimë e lakmisë së tyre. Solidariteti njerëzor me rastet kur komshiu, shoku, kushëriri apo një bashkëshqiptar i panjohur bie pre e padrejtësisë gjyqësore mungon. Pikërisht kjo është ajo që duhet të nxitet, me synimin për të vënë para përgjegjësisë politikanët që kanë për detyrë të vënë ligjet e duhura për të kontrolluar gjykatësit apo prokurorët, si dhe politikanët që në realitet kontrollojnë çdo institucion që teorikisht duhej të ishte i pavarur dhe jopolitik.

Çdo ide tjetër ngjan si një arratisje nga realiteti. Drejtësia nuk është çështje marrëdhënieje tregtare.

You may also like...