“Po nuk dola në televizor, unë nuk ekzistoj!”

“Po të mos dal në televizor, unë nuk ekzistoj!” Ky qe komenti i thënë me sinqeritet nga një politikan demokrat i dorës së dytë disa vite më parë, kur në Shqipëri partitë politike filluan të zhvillojnë shkencën e daljes në televizor në mënyrë të organizuar, me mesazhe politike të paracaktuara, të mirëkoordinuara e me përballje taktike të mirëmenduara me kundërshtarin.

Dhe për të plotësuar aksiomën se po nuk dole në televizor nuk ekziston, dje politikanët shqiptarë të të gjitha palëve na e demonstruan edhe një herë se nuk ka dhe kurrsesi nuk mund të ketë asnjë pengesë për të dalë në televizor.

Kjo mosdalja në televizor nuk mund të ndodhë as kur, fjala vjen, 1 qershori, dita ndërkombëtare e fëmijëve, qëllon që të jetë e dielë.

Ministria e Arsimit organizoi një pafundësi aktivitetesh me rastin e ditës së dielë, 1 qershorit, pa marrë parasysh se mësuesve pjesëmarrës në këto aktivitete, nuk u paguhet rrogë shtesë për ditën e pushimit të cilën e kaluan në punë. Prefekti i Tiranës shkoi në një kopësht, i cili teorikisht duhej të qe i mbyllur si ditë pushimi, për të dhënë filozofinë e tij të ndërlikuar se si duhen të rriten fëmijët.

Ministria e Mirëqënies e pa gjithashtu të arsyeshme të kalojë ditën e pushimit në punë me një aktivitet allasojsh, siç bëri edhe Ministria e Mbrojtjes, e cila përmes ministres Kodheli, shprehu angazhimin e vet në përkujdesjen e fëmijëve të ushtarakëve.

Dhe qershinë mbi tortë e vendosi kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, i cili gjeti një shkollë të mesme për ta përuruar në ditë të diele, për të dalë edhe ai në televizor për herë të dytë brenda një dite.

Të gjithë këta politikanë, do të bënin shumë mirë që me rastin e 1 qershorit, ditë e dielë, të bënin një ditë pushim nga daljet e tyre të paepura në televizor dhe t’i kalonin këto ditë me fëmijët e vet dhe larg kamerave televizive.

You may also like...