Po tani çfarë?

Andi Bushati shkruante dje se qe Prifti i cili i nxori disa prej politikanëve (veçanërisht të LSI?) lakuriq. Personalisht mendoj që nuk qe Prifti që i nxori të atillë, edhe pse ishte ai që u sulmua nën brez nga një grup politikanësh që kanë vendosur të përçojnë integrimin social.

E gjithë kjo çështje nuk do të qe e tillë sikur një investigim serioz (investigimi 1, investigimi 2) nuk do të ishte bërë, i cili për fatin e keq të shqiptarëve e mbi të gjitha të atyre që përpiqen të bëjnë intelektualin nuk merret parasysh në analizat e tyre. Mjafton të lexosh me vëmendje se çfarë masakrash iu bënë këtij investigimi nga armata e dizinformuesve publikë më në zë të medias sonë, për të ngritur amulli dyshime dhe deri diku pretendime absurde. Tendenca qe që argumenti dizinformues nuk merrej me provat, përkundrazi sa më shumë tirrej aq më larg provave shkonte, degdisej sa në figura të harruara historike e deri tek alibi e aludime qesharake!Ilir-meta-ne-kuvend-1-tetor-2015

E nisim që me tezën e parë se na qenka Rama dhe Basha që në fshehtësi absolute paskan rënë dakord t’ia hedhin Metës. Një tezë e tillë padyshim që i shërbente klaneve pranë Metës për ta bërë atë shenjtorin e këtyre ditëve de stabilizuese, ishte një mënyrë për të deligjitimuar këtë investigim që paraqiste qartësisht (sidomos dokumenti i plotë i Clifford Chance) një skemë të qartë piramidale nga e cila kishin përfituar minimalisht kreu aktual i ERE-s. Për të cilin në asnjë moment nuk u kërkua jo vetëm procedimin penal por as largimin nga detyra aktuale!

Për të vazhduar më pas me tezën që SHBA i është kundërvënë Ilir Metës për ta rrëzuar si një nga mamuthët e korrupsionit. Që po kështu përpiqet ta gjente armikun jashtë, tek amerikani i keq që përpiqet të dënojë më të pafajshmin e hajdutëve ndërkohë që lejon hajdutët e mëdhenj (Basha, Rama, Berisha?) që të bëjnë allishverishet e tyre.

E në fund, por jo për nga rëndësia, shkrimet e turbullta dhe pa ndonjë lidhje logjike që kanë përfolur se Ilir Metën e duan në burg biznesmenë të fuqishëm si Mane, Frangaj e kështu me radhë. Derisa këtyre emrave iu shtuan (me zellin e papërtuar kundër armikut?) Doshi dhe Prifti.

Të gjithë këto skenarë të marra së bashku dhe të hulumtuara me pak nuhatje si edhe përvojë politike do të rezultonin në nulë dhe qesharakë. Gjithë sa më sipër ishin buka me të cilat populli ushqehej ndërkohë që Meta kishte frikën se mos diçka më e madhe po vjen. Prandaj dhe ai u angazhua fuqimisht që të dëgjonte zërin e gjithsecilit prej aktorëve politikë; e kur pas një diversioni me kënd të gjerë (që përfshinte takimin me Idrizin e Ramës si dhe një flirtim me Berishën) priste një reagim më të fortë nga Rama. Ky i fundit, për fatin e keq të gjithë atyre që besuan tek idealizmi dhe tek përrallat se “Rama nuk ka çfarë t’i bëjë Metës” sikundër edhe tek teoria për një bashkëqeverisje “Rama-Basha”. E kuptuan se lideri i tyre realisht ka pranuar të bashkë-qeverisë me kriminelë dhe fundërrina vetëm se është i etur për pushtet.

Fatkeqësisht, Rama pranoi të shantazhohej nga Meta dhe në padijen e tij karakteristike (a nuk ju kujton Berishën?) jo vetëm që u soll si një njeri që nuk di asgjë por ndër të tjera i tregoi Metës se edhe ai do të varroset me të. A e bëri këtë veprim nga frika se Meta do të votonte pro hetimit ndërkombëtar të marrëveshjes së qeverisë së tij me CEZ, si për të treguar se nëse Meta mbytet do të marrë me vete dhe Ramën? A e bëri sepse ai ka frikë të zbresë nga pushteti dhe Meta është si ligji i Mërfit? Kjo mbetet ende për t’u diskutuar.

Por faktet flasin qartë dhe madje ulërinin, ndërkohë që një opozitë e lodhur dhe e drobitur jo aq nga numrat por nga fijet e një garuzhdeje që ka ngrënë për katër vjet me Ilir Metën e kthyen votimin dje në një farsë. LSI, duket se hë për hë ia ka arritur qëllimit të saj, ajo e shndërroi diskutimin serioz politik dhe jo vetëm në një video porno (siç shprehet Lubonja) ndërkohë që diskutimin në parlament për një ligj që më së paku do hapte hetimin për dy çështje ndaj së cilës kemi evidenca të qarta, në një votim porno.

Pikërisht kështu, amoraliteti politik i kësaj force e cila dita ditës zhyt në një dekadencë jo vetëm sistemin e kalbur politik por mbi të gjitha edhe vlerat e mbetura morale të një shoqërie që pranon të udhëhiqet nga lider të tillë. Hajdutë dhe njëkohësisht politikanë e kryetar parlamenti…është paksa paradoksale por gjithsesi është realiteti jonë që sado dhe sido ta zbërthejmë mbetet i pandryshuar.

Nëse nesër, lajme të reja do të na vijnë për këtë aferë të turpshme të vendit, jini të sigurtë se ushtria e analistëve dizinformues do të vijojnë të riprodhojnë lajme dhe histori. Kjo jo për faktin që Ilir Meta të mbetet i pastër penalisht (se të jemi të bindur ai nuk do dënohet nga kjo farsoj prokurorie e gjykate) por që ky i fundit të mbetet i pastër dhe bir kurve politikisht.

Kjo është edhe arsyeja se përse Ilir Meta zgjodhi në fund të kësaj beteje (sipas këndit të tij të vështrimit) të sulmonte edhe gazetaren si mashtruese, duke mos pasur guximin qytetar  ta çonte në bankën e të akuzuarve këtë gazetare. Guxim që i mungon jo sepse ka frikë se do të dalë i fajshëm, por sepse ka frikë që fytyra e tij e vërtetë do ishte më e qartë në sytë e shqiptarëve. E në ato çaste nuk do të kishte analist që do t’i bënte fajde.

Deri në këto momente, duket se Ilir Meta ka marrë maksimumin e mundshëm nga kjo situatë megjithëse asgjë nuk i dihet duke qenë se kjo aferë e tij me DIA-n nuk është e ngjashme me skenarin hollivudian që Doshi dhe të tjerë folën para disa muajve. Këtë Meta e ka të qartë, prandaj dhe po përpiqet të mbulojë lakuriqësinë e tij me lloj-lloj gjethesh!

 

You may also like...