Politika, keqinformimi, media – trekendeshi (anti)revolucionar i një shteti të dështuar

Diskutimi nëse televizioni ka arritur të ndihmojë gazetarinë dhe njëkohësisht hulumtimin mbi të vërtetën është relativisht i ri por gjithashtu edhe gjerësisht i trajtuar, sidomos në rrafshin sociologjik. Të qenit i ri si diskurs lidhet me argumentin se televizioni është filluar të shihet si promotor primar i gazetarisë në vitet 1960.videodrome_5

Projektimi i lajmeve dhe debateve politike do të ndikonte thellë, jo vetëm në kulturën e individëve, por edhe në sjelljen politike dhe elektorale të tyre. Ky impakt i televizioit në sjelljen politike të masave u vërejt në mënyrë të qartë që në fundin e shekullit të shkuar. Pas debatit të parë presidencial në SHBA, i cili u dha në televizion,  Kennedy do të ishte president i SHBA-së.

Në vendin tonë raporti i medias vizive me ndikimin në kulturë ka patur luhatjet e tij. Për shkak të traditës së të shkuarës së afërt moniste, ardhja e lirisë së shprehjes i dha fillimisht medias së shkruar mundësinë e protagonizmit politik. Numri i gazetave, por edhe numri i artikujve si dhe editorialeve në fillimet e pluralizmit ishte përgjithësisht i fokusuar në çështjet politike dhe sociale që lidheshin me të tashmen, por edhe me të shkuarën.

Mungesa e televizionit dhe gazetarisë televizive lidhej përgjithësisht me mungesën e televizioneve private dhe gjithashtu dhe me mungesën e kulturës mediatike që lidhet me to. Mirëpo pas ngjarjeve të vitit 1997 gjërat duket sikur morën një tjetër drejtim. Televizori, ndoshta edhe prej pamjeve që ofroi për ato vite, u kthye në një fushë investimi që do të sillte përfitime jo vetëm sa i takon marketingut dhe të ardhurave por gjithashtu edhe sa i takon imazhit.

Këtë e pat kuptuar edhe kryeministri aktual i vendit, i cili u përshtat më shpejt nga të gjithë me kameran dhe përdorimin e saj politik. Kushdo që e ka ndjekur kryeministrin si edhe politikanët e tjerë nëpër media, ka kuptuar se raporti i tyre me kameran ka qenë në përmrëisim e sipër. Politika arriti të kuptojë siç shprehet Kundera në librin e tij “Pavdekësia”, që një imazh fotografik mund të mbetet i përjetshëm por një filmim nga një kamera mund të të shndërrojë në të pavdekshëm.

Në këtë kontekst gazetaria televizive, si dhe ajo e gazetës së shkruar, filloi të përthyhej në një gazetari që u shërbente interesave të pronarit (qoftë edhe biznesit të tij), interesave të marketingut (që mbajnë në jetë televizorin) por edhe atyre të politikës (që lidhen pashmangshmërisht me të pronarit).

Kjo treshe e rëndësishme ka prodhuar, sipas sociologut Pierre Bourdieu, një trekendësh i cili e bën daljen në mediat vizive një problem më vete përsa i takon raportit me të vërtetën. Në esenë e tij “Mbi Televizionin” ai argumenton se ekzistenca e një raporti mes këtyre tre brinjëve i jep mundësinë spektatorit të përballet me një realitet tjetër.

Esse e botuar nga shtepia botuese Pika pa Siperfaqe

Esse e botuar nga shtepia botuese Pika pa Siperfaqe

Ne jemi dëshmitarë të këtij realiteti, duke qenë se vetëm në harkun e një viti në vendin tonë kanë ndodhur aq shumë ngjarje të cilat ose janë eklipsuar për shkaqe poltike apo nga krahu tjetër janë theksuar po për të njëjtat shkaqe. Në mendje, sa për të dhënë disa shembuj, më vjen ngjarja tragjike e fillimvitit në Paris (apo edhe kjo e para disa javëve po në Paris), ku tema më e nxehtë ishte “islami, xhihadi, islamiku, islamisti, terroristi, kurani, vrasja).

Të gjithë këto togfjalësha shoqëruar me fotografinë e katër klerikëve tanë që ecnin së bashku në udhët e Parisit, krijoi imazhin që nuk e di se sa real është por që në fund të ditës i shërbeu propagandës qeveritare. E cila u përkujdes që përkrah lapsave në xhaketën kryeministrore të nxirrte në pah edhe klerikët të cilët dënonin këto akte si joislamike, jo-islame, jo-kuranore. Debati që vazhdoi po ato ditë filloi të krijonte një gjendje të mbushur me një ndarje llogoresh dhe mendimesh që skena e teatrit të debatit përpiqej të ushqente dëgjuesit dhe shikuesit.

Pyetjeve të zakonshme “Përse ndodhën këto sulme?” i bashkangjiten aq shumë përgjigje dhe replika sa që jo pak herë dhe prezantimi i të ftuarve ka rrëshqitur nga skaleta e prezantuesit apo prezantueses.

Megjithëse e gjithë kjo nuk ka një qasje vetëm politike por edhe një shtysë apo frymëzim shikuesish. Kjo do të thotë që mesazhi apo zhurma që përcjell një debat është një tenativë për të mbajtur të gozhduar shikuesit, që pak rëndësi ka në të tallin apo përqeshin emisionin, të cilëve emisioni i mbush me adrenalinë.

Adrenalinë që nuk tjetërsohet edhe kur shikuesi në çaste të caktuara shikon momentet e pauzës së aktorëve dhe protagonistëve të debatit teksa hedhin e presin miqësisht batuta me njëri-tjetrin. Ndjekja me vëmendje e OFF AIR Opinion, është një “kënaqësi” më vete, pasi aty sheh se si personazhet që qëndrojnë stoikisht para kamerave duke iu hakërryer njëri-tjetrit nga llogore të kundërta, në realitetin e pas kamerës kanë një marrëdhënie shumë më tepër miqësore sesa diskrete.

Imazhi kameradesk që ata përcjellin përpara se dritat të ndizen, të bën të kuptosh shkallën në të cilën objektivi i kamerës së ndezur i ngërdhesh këto personazhe në pozicionime partiake që në fund të ditës i shërbejnë sa emisionit, po aq edhe forcës politike. Duke dalë tërësisht nga ajo çfarë ato propagandojnë dhe mbi të gjitha duke e nxjerrë vetë televizionin zbuluar.

Por sadoqë televizioni del zbuluar, kjo nuk i sjell atij asnjë rrezik, sepse domosdoshmëria e politikës ndaj tij është po aq e madhe sa e televizionit ndaj politikës. Ndryshe Shoqëria e Spektaklit do të dështonte në përçimin e mesazheve të saj si dhe “ankthit” që media aq mirë e servir.

Përballë kësaj të vërtete të hidhur gjenden edhe mediat e shkruara, të cilat, për t’iu përgjigjur televizionit u duhet të prodhojnë lajme po aq sensacionale sa televizori. Për të qenë po aq të shitura, do t’u duhet jo pak herë të “harrojnë” rregullat e etikës dhe lojës duke prodhuar jo pak herë lajme të pështira dhe jashtëzakonisht jo etike.

Rasti më i fundit i një studente të vetëvrarë, e cila nga mediat u trajtua si një kavje eksperimentale, është shembulli për të kuptuar se si media përpiqet të shesë kronikën e zezë. Duke amplifikuar por pse jo edhe tjetërsuar tërësisht ngjarjen si e si për ta bërë atë sa më të dhimbshme për sytë e publikut. Apo rastet e intervistave të ish-funksionarëve komunistë që kanë lirinë absolute për të këputur gjithë mufkat e mundshme në një gazetë vetëm që kjo e fundit nesër të jetë e shitshme në treg.

E gjithë kjo qasje marketingu shpërfaqet edhe në faqet e ndryshme të lajmeve në internet. Ku seksizmi pa dallim feje, krahine dhe ideje bëhet lajm kryesor në mediat online si e si për të rritur numrin e vizitorëve. Gazeta si Tema, Newsbomb dhe simotrat e tyre e kanë për borxh të hyjnë deri në të brendshmet e personazheve të Shqipërisë por edhe deputetëve për të rritur sado pak klikimet e tyre.

Kjo metodë, duke përdorur në shumicën e rasteve foto, është përdorur edhe për qasje politike por edhe për krijuar një atmosferë kinse erotike apo “rozë” si e si për të rritur numrin e shikuesve. Por që në thelb as nuk ndihmon dhe as nuk përmison perceptimin e të tashmes dhe realitetit që po kalojmë por thjesht e tjetërson.

Në shkrimet e shumta që gazeta Tema nxjerr online, shihet qartë tendenca e saj për t’u marrë me detajet “Deputetet me veshje të shtrenjta” apo “Ora luksoze që proteston për varfërinë” duke u përpjekur të sajojë një element që ndodhet brenda ngjarjes me qëllimin për të delegjitimuar ose personazhin apo edhe vetë moralin e ngjarjes. Në rastin konkret  gazeta përpiqet që të evidentojë se si një deputet vishet me veshje të shtrenjta dhe se kjo nuk i jep aspak të drejtë që të flasë për varfërinë. Apo se si një personi me orë firmato nuk i takon aspak të protestojë kundër varfërimit.

Një qasje e tillë është jo vetëm qesharake, e në mendimin tim nuk ka nevojë për përgjigje, por nga krahu tjetër është dhe tërësisht e inskenuar për të prodhuar komente poshtë shkrimit. Përse duhen ato komente? Jo vetëm për të etiketuar një person apo një grupim, por gjithashtu edhe për të mundësuar një lexim të shkrimit që në thelb është i parëndësishëm dhe nuk përcjell kurrgjë.

Nga darka e Kryeministrit ne fund te vitit 2015 me gazetaret!

Nga darka e Kryeministrit ne fund te vitit 2015 me gazetaret!

Bourdieu shprehet se pikërisht këto problematika i kanë shndërruar televizionet franceze (por edhe globale) në pasqyra që pasqyrojnë me një detaj më të madh imazhin dhe legjendën e një tjetri. Duke i hequr kështu mundësinë mendimit të vërtetë të marrë frymë dhe jetë. Duke krijuar ato çfarë ai i quan fast-thinker të cilët i përgjigjen çdo pyetje që mund t’i lindë gazetarit por që kanë instiktin e panelistit që idetë i ka të dëgjuara.

Për pasojë, ky produkt ushqen jo pak mendimet dhe qëndrimet tona mbi tema me rëndësi jo vetëm për të sotmen por edhe për të ardhmen. Prandaj nuk është dhe kaq e habitshme që kryeministri aktual është sa tiran dhe mizor me mediat që do t’u ngarkojë shpifjen si barrë penale aq edhe i dashur sa t’u ofrojë atyre një vend nderi në Pallatin e Brigadave.

You may also like...