Politika nuk dominon vetëm vdekjen, dominon gjithçka tjetër

Gjergj Erebara

Ngushëllimet plot zell të politikanëve në Tiranë e Prishtinë për ndarjen nga jeta të poetit Ali Podrimja bënë që shumëkush të ndjejë se politikanët kanë zaptuar më shumë nga sa duhet vëmendjen e medias së shkruar e asaj televizive. Thirrjet qenë të shumta drejtuar gazetarëve për të mos i kushtuar shumë vëmendje ngushëllimeve të tilla. Ngushëllimet e politikanëve në media shpesh rezultuan më të rëndësishme se sa vetë fakti që një poet simbol i një epoke në historinë e shqiptarëve, qe ndarë nga jeta.

Thirrje të tilla qenë me vend, por kam frikë se nuk e trajtonin situatën në themel. Merreshin me pasojat, jo me shkakun.

Jeta e shqiptarëve në Shqipëri e Kosovë është nën dhunën ekonomike, fizike e politike të politikanëve, të cilët kanë shumë më tepër pushtet se sa është e logjikshme të kenë. Nëse lexon gazetat apo faqet e internetit të agjencive të lajmeve, të cilat po arrijnë në një numër të tillë sa ngjan sikur çdo shqiptar bën nga një agjenci lajmesh që e lexon po vetë, dallon vetëm një format në tituj: Berisha: Rama: kryekomunari: deputeti i panjohur:

Nuk është problemi vetëm te fakti që lajmi fillon me një deklaratë të një politikani. Problemi është se lajmi përfundon po me atë deklaratë. Media shqiptare sot në tërësi nuk është asgjë tjetër veçse një përcjellëse e deklaratave të politikanëve. Shqiptarët i kanë kthyer kurrizin me kohë këtyre lloj lajmesh si të parëndësishme për jetën e tyre, të pakëndshme për t’u lexuar, të pavfleshme. Media vijon me të vetën. Ajo nuk varet nga paratë që paguajnë lexuesit apo shikuesit përmes reklamave, por subvencionohen rëndë nga politika apo nga biznese politike.

Ky dominim i hapësirës publike të debatit, ose i “kuvendit të burrave” në kuptimin modern, nga një grusht politikanësh, është ana e dukshme e dominimit të çdo aspekti të jetës së shqiptarëve nga struktura politike. Kjo është pjesë e një regjimi që synon t’i mbajë shqiptarët në errësirë. Disa politologë e quajnë regjim mediatik. Ky është një instrument i një regjimi të përgjithshëm që kontrollon aktivitetin politik, ekonomik, shoqëror, kulturor e shkencor të shqiptarëve. Nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Një e treta e vendeve të punës jobujqësore kontrollohen nga politika. Biznesmenët politikë kontrollojnë tregjet më lukrative në vend. Biznesmenët e vegjël janë të kufizuar te vetëpunësimi.

Shkaku se pse media i kushton aq shumë vëmendje politikës është se për fat të keq, media, si e gjithë shoqëria shqiptare është e tredhur nga pushteti i politikës.

Në një vend pa ligje, pa siguri prone e me biznes të rrezikuar në çdo kohë nga banditët politikanë, qoftë ai biznes i madh apo biznesi i një cigareshitësi, i pjekësit të misrave apo mbledhësit të kanoçeve në plehra, nuk ka se si të ketë liri. Nuk do të jetë çudi në një të ardhme të afërt kur politikanët t’i kemi “miq” dhe të na zënë ballin e vendit nëpër dasma e funerale.

Pyetja që duhet të shtrohet këtu është se si ndodh që shqiptarët tolerojnë deri në këtë pikë?

Njësoj si në kohën e komunizmit, kur shqiptarët kthenin kokën në anën tjetër kur shikonin se si shokët, kushërinjtë apo familjarët e tyre arrestoheshin, burgoseshin e internoheshin, edhe sot, shqiptarët po kthejnë kokën në anën tjetër kur shohin se si shokët e tyre apo edhe ato vetë dhunohen çdo ditë. I vetmi ndryshim është se sot shqiptarët kanë mundësi të ikin, siç kanë ikur me shumicë këto dy dekada. Për shkak të ekzistencës së kësaj alternative, ka shumë gjasa që politikanët nuk do të na bëhen dot kryedasmorë apo priftërinj nëpër funerale, pasi pas pak vitesh, nuk do të kenë se mbi kë të qeverisin. Ndërkohë media ka shumë gjasa që do të vijojë të dalë me tituj: aksh politikan: megjithëse as vetë politikani i publikuar nuk do të marrë mundimin ta lexojë.

You may also like...