Popullata dhe toka nje konflikt i paracaktuar?!

Teoritë e përgjithshme (1800-2000) dhe eksperienca shqiptare (1945-1990).

Gjergj Erebara

Në vitin 1798 Thomas Robert Malthus publikoi një libër: Një Ese mbi Parimin e Popullsisë paralajmëronte se popullata shtohet me një ritëm gjeometrik ndërsa prodhimi i ushqimeve mund të shtohet vetëm me ritëm aritmetik. “Popullata mund të dyfishohet brenda 25 vjetësh, por prodhimi ushqimor jo,” thoshte Malthus, i cili paralajmëronte se mbipopullimi shkaktonte një krizë mortaliteti kur limitet e shfrytëzimit të tokës kapërceheshin. Uria, luftërat, sëmundjet epidemike do të shkaktojnë aq vdekje sa është numri i njerëzve që toka nuk i mban dot.

Postulati i Malthusit qe: “Njeriu ka nevojë për ushqim që të mbijetojë. Aftësia e njeriut për t’u riprodhuar është shumë herë më e madhe se sa aftësia e tij për të rritur prodhimin ushqimor. Nëse ndihmon të varfrit duke i dhënë ushqime, nuk bën gjë tjetër veccse shkakton shtimin e tyre”.

Në 200 vitet e fundit, Malthus është debatuar gjerësisht. Analiza të shumta janë bërë për të parë nëse në historinë e njerëzimit ka ndodhur me të vërtetë kështu, pra a ka një vërtetim empirik për këtë teori apo jo. Kundërshtarët dhe mbrojtësit janë të shumtë, por dy emra janë të veccantë: Ester Bosserup dhe Amartya Sen.

Bosserup, një ekonomiste daneze, nga eksperienca e saj në vendet në zhvillim doli në konkluzionin se rritja e popullsisë është në fakt zgjidhja dhe jo shkaku i krizave të urisë. Sipas Bosserup, “Nevoja është nëna e shpikjes.” Kur bota ka 1 banor për 2 Km2, atëhere kemi të bëjmë me shoqëri gjuetarësh. Kur popullata rritet, bëhet shoqëri blegtorësh, më pas bujqësi ekstensive, bujqësi intensive, fara të modifikuara, etj.

Sen ka një përqasje tjetër: Krizat e urisë, sipas tij, shkaktohen nga sistemet politike, jo nga pakësia e ushqimit. Dy shembuj: Uria e madhe e Bengalit, 1943 dhe Uria e Patates së Irlandës (1845-1852). Në të dyja rastet, u zbulua se ushqimet qenë të mjaftueshme për të gjithë popullatën përgjatë të gjithë kohës së urisë, por mekanizmat e shpërndarjes së burimeve/prodhimit në shoqëri dhe pabarazia në shpërndarje shkaktoi miliona të vdekur nga uria. Në rastin e Bengalit, kolonizatorët britanikë u bazuan te teoria e Malthus dhe deklaruan se shpërndarja e ushqimeve mes të varfërve do t’i diskurajonte këto shtresa. Me mendimin se qeveria do t’i ndihmojë, ata nuk do të punonin tokën. Në zona të tjera të Indisë, prodhimi i tepërt ushqimor u eksportua, në vend që t’u dërgohej njerëzve që po vuanin nga uria.

Në Irlandë, tokat më të mira ishin ferma të mëdha dhe produktive. Për popullatën e gjerë kishte vetëm ngastra të vogla, ku vetëm patatja qe bima që ofronte kilokaloritë e mjaftueshme për mbijetesë për familjet me shumë fëmijë të Irlandës. Kur një sëmundje dëmtoi prodhimin e patates, miliona njerëz vdiqën ose emigruan drejt botës së re. Ndërkohë, nga fermat e mëdha produktive, prodhimi vijoi si më parë dhe përgjatë krizës së madhe, eksporti i ushqimeve nga Irlanda u shtua.

Në të dyja rastet, mungesa e një qeverie demokratike shkaktoi katastrofën.

Malthus u akuzua si pararendës i nazizmit. Ka historianë që besojnë se teoritë e tij qenë baza për planin e Hitlerit për pushtimin e Ukrahinës.

Malthus, ashtu si edhe Nietzsche apo Ëagner u konsideruan frymëzues të Nazizmit dhe të teorisë së lebensraum, hapësirës së nevojshme për mbijetesë të popullit Gjerman.

Shkencëtarë të ndryshëm, demografë, ekonomisë, biologë etj, i kanë hyrë debatit mbi teorinë Malthusiane me pasion. Disa besojnë se Malthus nuk qe në gjendje të parashikonte aftësinë e njerëzimit për përmirësim teknologjik, gjë që besohet se e shpëtoi Europën nga një krizë Malthusiane gjatë shekullit të 19 përmes Revolucionit Industrial. Revolucioni i Gjelbër pas Luftës së Dytë Botërore prodhoi një mrekulli në Indi, Kinë e Meksikë, ku falë përmirësimit të farave të bimëve të arave, gjë që garantoi rritjen e prodhimit ushqimor me rritëm më të shpejtë se sa rritja e popullsisë. India u bë vend eksportues i drithërave, pavarësisht se popullsia e saj u rrit me 2.1 për qind në vit. Por ndërkohë, teoria e krizës Malthusiane është zgjeruar te kapaciteti i planetit për të ripërtërirë burimet afatgjata si nafta, apo te kapaciteti i atmosferës për të tretur gazrat e dëmshme të emetuara nga industritë.

 

Vijmë në Shqipëri.

Në vitin 1945, Shqipëria kishte 1.2 milionë banorë, rreth 40 banorë për km2. Nga standardet e perëndimit, kjo mund të quhet depopullim. Vendi merrej para së gjithash me blegtori. Nëse Malthus parashikonte dyfishimin e popullsisë brenda 25 vjetësh, Shqipëria e realizoi brenda 22 vjetësh. Megjithatë, në përputhje me teorinë e Bosserup, kjo rritje e shpejtë e popullsisë u shoqërua me hapjen e tokave të reja të bukës, tharjes së kënetave, zhvendosjes së kapaciteteve prodhuese nga blegtoria te bimët e arave, shtimit të vaditjes, mekanizimit, përdorimit të fertilizerëve.

Popullsia e Shqipërisë u rrit me mesatarisht 2.44 për qind mes peridhës 1950 dhe 1990, ndërkohë që popullata e botës u rrit me mesatarisht 1.84 për qind, sipas vlerësimeve të Agnus Maddison.

Kjo vijoi deri në mes të viteve ’70, kur këneta e fundit që mund të hapej u vu në punë. Pas kësaj, në përputhje me teorinë e Malthusit, shqiptarët filluan të punojnë tokat margjinale, kodrat, të cilat u kthyen në toka buke me rendiment të ulët. Ndërkohë, popullata vijoi të shtohej. Në vitin 1979 mund të thuhet se u arrit kulmi i prodhimit, pikë pas së cilës shtimi i popullatës qe më i shpejtë se sa shtimi i prodhimit ushqimor.

Mund të thuhet se disa politika të qeverisë komuniste të kohës e shkaktuan këtë mbipopullim dhe krizë ushqimore, në përputhje me teorinë e Amartya Sen.

  • Në vitin 1965, qeveria ndaloi me ligj migrimin nga zonat rurale në zonat urbane. (Pasaportizimi i brendshëm). Ndalimi i migrimit të brendshëm shkaktoi mbipopullimin e fshatit, mungesën e eficencës në punë, diferenca të mëdha në nivelin ekonomik me qytetet.
  • Në vitin 1976 qeveria ndali me kushtetutë importin e kapitalit nga jashtë vendit. Ka arsye të besojmë se vijimi i importimit të kapitalit do të bënte që teknologjia bujqësore të përmirësohej më tej, ndërtimi i hidrocentraleve të shtohej, prodhimi i naftës të mos ulej me ritëm po aq të shpejtë sa ndodhi.
  • Në vitin 1980, qeveria vendosi kolektivizimin e blegtorisë pa shpërblim, gjë që shkaktoi therje masive të blegtorisë dhe rënie drastike në prodhimin e mishit e të qumështit, gjë që përbën edhe memorien tonë më domethënëse për kohën e komunizmit. Të gjitha këto tregojnë se kriza e viteve ’80 qe pikërisht sicc përshkruhet nga Sen, një krizë e keqqeverisjes, mungesës së demokracisë dhe vendimmarrjes së popullatës.

Në përputhje me teorinë e Malthus, mund të thuhet se:

  • Qeveria zhvilloi një propagandë pronatalitetit të lartë deri në ditët e fundit të ekzistencës së vet. Njerëzit reaguan ndaj mungesës së ushqimeve me uljen e numrit të fëmijëve, por ky reagim nuk u mbështet nga qeveria dhe nuk qe i mjaftueshëm.
  • Nuk qe vetëm limiti i tokës së disponueshme që solli krizën. Në fund të viteve ’80, prodhimi i naftës për frymë filloi të ulej, sicc ra edhe prodhimi i mineraleve bazë, nxjerrja e lëndës drusore për ngrohje nga pyjet.
  • Nataliteti i lartë i viteve ’60 (deri në 7 fëmijë për nënë në mesatare kombëtare), bëri që në vitet ’80, numri i shqiptarëve që arritën moshën e punës dhe që qeveria duhej t’i jepte një rrogë, qe i lartë. Kjo gjë solli rritjen e masës monetare në qarkullim dhe shkaktoi inflacionin e fshehtë, ku njerëzit kanë para, por në dyqane nuk ka mall.

Në lidhje me teorinë e Bosserup:

  • Shtimi i tokës së punueshme, mekanizimi, fertilizimi, bujqësia intensive etj. nuk patën burim të drejtpërdrejtë te shtimi i popullsisë. Teknika u importua. Inxhinjerët që hapën kënetat u arsimuan jashtë vendit falë ndihmës së Italisë, Amerikës, e vendeve të Europës Lindore. Mekanizimi dhe fertilizimi qenë kontribut i Bashkimit Sovietik e Kinës. Ky kontribut ka arsye të besojmë se do të kishte ardhur njësoj, edhe sikur popullata të mos shtohej. Rrjedhimisht, mund të thuhet se zhvillimi i viteve ‘50-‘70 që u pasua me katastrofën e viteve ’80, nuk qe një fenomen i përputhshëm me modelin Bosserup.

Hipotezat mbi shkaqet e rënies së Komunizmit:

Shkaqet Sistemike: Nënkuptojnë problemet në vetë sistemin e menaxhimit socialist të punës. Punëtorët nuk kanë incentivë të punojnë më mirë, të arsimohen e të përmirësojnë veten për shkak se pagat janë të barabarta.

Përplasja klasore: Problem tjetër sistemik është transformimi i partisë komuniste në një klikë sunduese ku lidhjet familjare janë më të rëndësishme se sa aftësitë individuale, gjë që e qelb peshkun nga koka. Shumica e popullsisë ndjehet e përjashtuar nga vendimmarrja dhe refuzon të punojë në shenjë proteste.

Izolimi: Pas vitit 1976, Shqipëria ia hoqi të drejtën vetes të marrë kredi të huaja, gjë që e bëri të pamundur importimin e teknologjisë së re.

Mungesa e transformimit sipas modelit Lewis: Pas vitit 1965, Shqipëria ia ndaloi vetes modernizimin pasi ndaloi emigrimin nga fshati në qytet. Mungesa e prodhimit të të mirave të sektorit modern, psh., veshje, argëtim, transport, i uli incentivat e fshatit për të prodhuar më shumë dhe shitur më shumë.

Perceptimi popullor: Qeveria e ndaloi qëllimisht zhvillimin dhe i zhvendosi burimet në sektorë joprodhues si Mbrojtja. Ky është një interpretim i epokës komuniste që ka zënë vend më shumë në letërsi. Novela Muri i Madh Kinez i Ismail Kadaresë tregon se klasa sunduese e Kinës vendosi ndërtimin e një sistemi masiv mbrojtjeje që për gjeneralët nuk kishte kuptim ushtarak dhe nuk kryente funksione mbrojtjeje, por elita dëshironte me këtë mënyrë të mbante popullin të lodhur me punë. Kjo qe një alegori për ndërtimin e bunkerëve në Shqipëri, një sistem që për ekspertët perëndimorë nuk kishte kuptim nga pikëpamja ushtarake. Romani Piramida flet afërsisht për të njëjtën gjë.

 

Prodhimi bujqësor

Gjatë periudhës mes viteve 1945 dhe 1990, sipërfaqja e tokës së punueshme u shtua në Shqipëri me 80 për qind, Një pjesë e saj qe tokë pjellore e ish kënetave. Nga 391 mijë hektarë tokë e punueshme në vitet ’50, u bënë 714 mijë në vitin 1988. Por nga tokat e reja, 220 mijë qenë ish-kullota me rendiment të ulët.

Gjatë viteve ’50-’70, administrimi i tokës në mënyrë kolektive, mekanizimi dhe fertilizimi, sollën rritjen e shpejtë të prodhimit të bimëve të arave. Nga ana tjetër, fshatarët ripozicionuan veten te blegtoria, gjë që solli rritjen e numrit të bagëtisë me ritëm më të shpejtë se sa ritmi i popullatës.

Por në vitet ’80 mbërriti tufëzimi. Numri i bagëtisë së trashë ra nga 606 mijë në 1980, në 573 mijë në 1984. Prodhimi i qumështit ra mes viteve 1979 dhe 1982 nga 388 mijë në në 338 mijë tonë. Vetëm në vitin 1987 prodhimi i qumështit u kthye në nivelin e vitit ’79 ndërkohë që popullata vijoi të rritet me 2 për qind ccdo vit.

Konceptet ekonomike të përdorura

  • Norma margjinale rënëse e kthimit mbi investimin: Diminishing Return.
  • Norma margjinale rritëse mbi investimin: Increasing return.
  • Sëmundja Hollandeze. Dutch Disease. E njohur gjithashtu si Republika e Bananes, është një koncept ekonomik që nënkupton varësinë e tepruar të një vendi nga një burim ekonomik dhe një katastrofë që pason mbarimin e këtij burimi ekonomik. Varësia e madhe nga të ardhurat e krijuara nga një burim ekonomik, shpesh bën pa leveri shfrytëzimin e burimeve të tjera ekonomike për shkak të kostos oportune. Rolin e sëmundjes holandeze në Shqipëri e kanë kryer financimet masive të huaja në faza të ndryshme të historisë apo rritja e shpejtë e prodhimit të naftës gjatë viteve 50-60. Gjatë dy dekadave të postkomunizmit, një sëmundje holandeze mund të konsiderohen edhe të ardhurat nga emigracioni.
  • Bibliografia
  • James W. Brackett and Earl E. Huyck (1962). The Objectives of Government Policies on Fertility Control in Eastern Europe. Population Studies, Vol. 16, No. 2 (Nov., 1962), pp. 134-146
  • Boserup Ester (1983). The Impact of Scarcity and Plenty on Development. Journal of Interdisciplinary History, Vol. 14, No. 2, Hunger and History: The Impact of Changing Food Production and Consumption Patterns on Society. (Autumn, 1983), pp. 383-407.
  • Ebrahim-zadeh Christine (2003) Dutch Disease: Too much wealth managed unwisely. Finance and Development, IMF magazine, March 2003, Volume 40, Number 1.
  • Hatziprokopiou Michalis, Karagiannis Giannis, Velentzas Kostas. (1996). Production Structure, Technical Change, and Productivity Growth in Albanian Agriculture. JOURNAL OF COMPARATIVE ECONOMICS 22, 295–310 (1996)
  • Malthus Thomas. (1798) An Essay on the Principle of Population. Printed for J. Johnson, in St. Paul’s Church-Yard.  Ebook: http://www.esp.org/books/malthus/population/malthus.pdf
  • Sen, Amartya: Population, Economic Development and the Environment. Oxford University Press 1994.

Kujdes! Ky shkrim, si cdo shkrim tjetër në këtë blog ka të drejta autori të rezervuara. Ripublikimi në faqe të tjera interneti mund të bëhet vetëm një paragraf me linkun shoqërues për te blogu origjinal.  

Për ata që nuk e kanë kuptuar, një paragraf do të thotë dy-tri fjali, ose më saktë, përmbajtja nga një kryerradhë në një tjetër…

You may also like...