Problemi i Ramës me zgjedhjet

Ai ka në dorë të bëhet kryeministri i parë i Shqipërisë me prirje nga demokracia, ndarja e shtetit nga partia dhe me prirje nga krijimi i institucioneve të forta, të qëndrueshme e afatgjata, parakushte këto për një Shqipëri normale. Në vend të kësaj, ka zgjedhur të punojë fort për të arritur të njëjtin status te socialistët si Berisha te PD-ja apo Meta te LSI-ja.

Duhet të jemi të qartë. Nëse socialistët vihen të votojnë, në çfarëdolloj forme që vihen të votojnë, ata me _MG_0079të drejtë do të votojnë në mënyrë “publicitare” dhe plebishitare për Ramën si kryetar partie. Dhe me shumë të drejtë. Ai është kryetari që i ka sjellë në pushtet dhe që ka arritur t’i japë një jetë të re një partie të plakur. Ai po qeveris në një koalicion të vështirë duke kursyer partinë e tij nga skandalet e korrupsionit, të cilat, jo se kanë munguar, por janë lënë në hije nga skandalet e LSI.

Pikërisht duke parë këtë kontekst, duket e çuditshme se pse Partia Socialiste nuk e ka parë të arsyeshme të mbajë zgjedhje për kryetar edhe tani që mandati i Ramës si kryetar ka dy vjet që ka skaduar. Hera e fundit që socialistët kishin zgjedhje qe viti i largët 2009, shtator. Megjithëse Rama vinte humbës nga zgjedhjet, ai konkurroi me Maqo Lakrorin, natyrisht fitoi. Mungesa e faktorëve realë brenda një partie, dmth figurave që mund të jenë kandidatë të mundshëm dhe të besueshëm për kryetar në një të ardhme të afërt apo të largët është sakaq shqetësuese në vetvete si shenjë e mungesës së demokracisë së brendshme. Mosmbajtja e zgjedhjeve për dy vjet pas mbarimit të mandatit si dhe gadishmëria e socialistëve të shumtë për të mbrojtur publikisht këtë realitet, tregon jo thjeshtë mungesën e demokracisë, tregon se sa normale konsiderohet diktatura nga militantët partiakë në Shqipëri.

Rama nuk ka pse të lodhet shumë në këtë drejtim. Aktualisht shanset që ai të jetë i cënueshëm nga ndonjë proces i brendshëm demokratik në Partinë Socialiste janë zero. Edhe sikur ai të zbatojë standardet më të larta demokratike, sërish shanset janë shumë të pakta që ai të rrëzohet si kryetar.

Partia Socialiste ka një histori në Shqipëri ku udhëheqësi ka qenë gjithmonë babë i pamohueshëm. Megjithatë, përgjatë të gjithë ekzistencës së vet është përpjekur që ky baba të konkurrojë me dikë sa për numër. Ramiz Alia konkurroi për president me Namik Doklen, Fatos Nano konkurroi, jo thjeshtë për numër, me Pandeli Majkon. Edi Rama konkurroi dy herë thjeshtë për numër, herën e parë me Rexhep Meidanin dhe herën e dytë me Maqo Lakrorin. Ndryshe nga Partia Demokratike. Aty gara nuk është lejuar as thjeshtë për numër. Fakti që Partia Socialiste sot nuk po e voton Ramën as thjeshtë për numër, madje as nuk po bën zgjedhje fare, është domethënëse. Tregon që Rama ka zgjedhur të jetë një lloj Berishe te socialistët.

You may also like...