Progresive apo e sheshtë, debati ideologjik i një vendi utopik

Gjergj Erebara

Janë dy aspekte që të bëjnë për të vjellë në debatin e fundit mbi faktin se qeveria ka ndër mend të rikthejë taksën progresive në Shqipëri. Aspekti i parë është pikëpamja ideologjike e debatit me argumente idiote të të mirave dhe të të këqijave të të dyja sistemeve.

Aspekti i dytë është vlera praktike e kësaj mase që qeveria thuhet se ka ndër mend të marrë në emër dhe në shkelje të premtimeve të saj parazgjedhore për lugën e floririt. Nëse qeveria do të vendosë të ashtuquajturin taksim progresiv, është e siguritë më shumë se çdo gjë tjetër se arsyet për këtë masë nuk janë të lidhura me pikëpamjet ideologjike apo të politikave ekonomike. Qeveria ka një deficit buxhetor për të mbushur. Ky deficit kërkon luftë kundër evazionit fiskal dhe korrupsionit, ose rritje taksash. Duke qenë se nuk ka dëshirë për luftë, dalim te rritja e taksave. Taksat mund të rriten thjeshtë dhe ndershëm, por qeveria nuk ka ndër mend ta bëjë këtë gjë. Ajo ka ndër mend t’i rrisë taksat dhe njëkohësisht të thotë se po i bën për një arsye edhe më të madhe se sa thjeshtë rritja e taksave. Rrjedhimisht kemi ideologjinë e taksimit progresiv.

Ndërsa qeveria ka zgjedhur rritjen e taksave në vend të luftës kundër evazionit fiskal, (dhe fakti është që lufta kundër evazionit më vete mjafton për të zgjidhur çfarëdolloj deficiti buxhetor), shqiptarëve u është dhënë për karamele debati ideologjik “e sheshtë” apo “progresive”. E në këtë vend nuk mungojnë ideologët që të të japin 100 argumente pro dhe 100 argumente kundër për secilën formë taksimi, që të gjitha argumente që furnizohen nga shkolla e retorikës propagandistike politike dhe jo nga shkolla e ekonomiksit. Në ekonomiks ku rregulli i parë dhe i fundit është që bota është komplekse, në kohë të ndryshme dhe në hapësira të ndryshme funksionojnë ligje të ndryshme, se duhen bërë fillimisht studime empirike dhe pastaj të nxirren konkluzionet e jo anasjelltas. Shkurt, debati deri tani i përket një parajse utopike dhe jo realitetit. Pa folur për argumentuesit, të cilët të hapin barkun me “konfliktin e interesit”, siç e quajti një ekonomist në një status në Facebook. Biznesmenë që argumentojnë kundër sepse do të paguajnë më shumë, apo biznesmenë që pasi kanë përfituar nga licencat shtetërore për të ndërtuar biznese private propagandojnë ide neoliberale.

Nga e majta kemi ca që duan të na mbushin mendjen se po e bëjnë “për të varfrit” megjithatë nuk kanë vullnetin as të paguajnë ndihmën ekonomike për njerëzit me aftësi të kufizuar.

Situata është më e thjeshtë se sa kaq: Buxheti i shtetit ka një deficit të lartë për t’u mbushur. Qeveria ka zgjedhur të rrisë taksat mbi ata që paguajnë taksa. Kjo nuk është rishpërndarje pasi paraja e vërtetë dhe e bollshme është aty ku ka evazion fiskal dhe korrupsion. Milionat që marrin gjykatësit psh, nuk preken nga asnjë lloj sistemi fiskal. Dhe as fakti që dy në tre shishe birre që shiten në treg nuk kanë pullë fiskale. Dhe as fakti që korporatat e mëdha po transferojnë dhjetëramilionë euro çdo vit te kompanitë mëma dhe i deklarojnë këto transferta “pagesa për shërbimet”. Ky evazion fiskal nuk zhbëhet me vendosjen e taksimit progresiv.

Por fakti është që ajo shtresë e mesme profesionistësh që ka të ardhura relativisht të mira, do të paguajë më shtrenjtë. Por kjo nuk do të thotë se Shqipëria do të bëhet një vend më social. Do të bëhen taksat si faturat e dritave. Gjysma paguan faturë të shtrenjtë për të kompensuar vjedhjet e gjysmës tjetër. Kjo nuk ka kurrfarë lidhje me sistemin e sheshtë apo progresive, debati për të cilën në ndonjë ishull utopik mund të vazhdojë pafundësisht pa dalë në asnjë konkluzion të vlefshëm.

You may also like...