Protestuesit poshtërojnë Berishën dhe Bashën

 

Organizata Politike duke i treguar gishtin e mesit Berishes dhe Bashes

Organizata Politike duke i treguar gishtin e mesit Berishes dhe Bashes

Mijëra vetë dalin në rrugët e Shqipërisë, dështon përpjekja e politikës për të shfrytëzuar rastin

Gjergj Erebara

Një protestë popullore kundër qeverisë, që fillimisht u nxit nga Partia Demokratike, përfundoi pasdreken e djeshme me poshtërimin publik të kryetarit historik të kësaj partie, Sali Berisha, dhe kryetarit të ri, Lulzim Basha.

Shqiptarët protestuan dje në shumë qytete të vendit shpesh të paorganizuar nga askush, me synimin për të ndaluar qeverinë “Rama” të pranojë shkatërrimin në vendin tonë të armëve kimike të regjimit diktatorial të Bashar al-Asad të Sirisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë një kërkesë Shqipërisë për të pranuar që në territorin e saj të kryhet procesi i shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë. Qeveria nuk ka marrë ende një vendim.

Fillimisht protestat mendohej se do të zgjasnin pak orë, por vijuan shumë gjatë, veçanërisht para Kryeministrisë, ku një grup të rinjsh vijuan të qëndrojnë deri natën vonë.

Gishtat-kunder-ish-kryeministrit-Berisha-1-320x227Protestat nisën në mëngjes para sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ku disa qindra vetë protestuan për disa orë. Kryeparlamentari Ilir Meta ndaloi dhe foli me ta për pak sekonda para se të hynte në sallë, ku u tha se nuk ka ndër mend të marrë asnjë vendim kundër vullnetit të tyre. Deputeti Erjon Braçe u përpoq të bisedojë me protestuesit, duke u thënë atyre se po “manipulohen”, por nuk pati shumë sukses.

Paralelisht me të, një grup prej disa qindra të rinjsh, kryesisht studentë të Arkitekturës dhe të Mjekësisë, u grumbulluan para Kryeministrisë, ku kërkuan që qeveria t’i thotë JO kërkesës amerikane.

Një djalë ndaloi një makinë me targa diplomatike duke i zënë rrugën me trupin e vet dhe duke bllokuar trafikun mes lulishtes së “Qemal Stafës” dhe hotel “Rogner”. Pastaj, një grup vajzash lidhën duart me njëra-tjetrën dhe ndaluan trafikun te kryqëzimi i Kryeministrisë. Pas kësaj, bulevardi u bllokua për shumë orë.

Protestuesit kaluan nga Kryeministria te Presidenca. Ata brohoritën: Shqipëria e Shqiptarëve, Vdekje Tradhtarëve; Jo Armë Kimike, Shqipëri Etnike! Shqipëria është e Jona! Etj.

Në mesditë, protesta filloi të rritej në numër, ndërsa disa që njihen si organizatorë protestash gjatë ditëve të fundit u përpoqën pa sukses të merrnin udhëheqjen. Studentët i refuzuan me energji “udhëheqësit”, duke vijuar të protestonin e duke mbajtur vetë fjalime të shkurtra.

Pasdreke, protestuesit u shtuan edhe më shumë, ndërsa në të u panë elementë të njohur të protestave të demokratëve.

Kulmi u shënua kur rreth orës tre pasdreke, vetë kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha dhe disa mbështetës të tyre publikë, u afruan te grupi i protestuesve dhe u përpoqën të ulen në mes të tyre. Njëri prej VIP-ave mbështetës të Berishës u dëgjua duke thënë: “Edhe një të shtyrë do dhe ai rrëzohet!”, duke iu referuar Kryeministrit Edi Rama.

Mbështetësit e PD-së në turmë brohoritën për pak çaste, ndërsa pjesa tjetër u hutua. Pastaj, protestuesit filluan të ulërasin me thirrjet Ik! Ik! Ik!. Përshëndetjes së Berishës me dy gishta lart, protestuesit iu përgjigjën me gishtin e madh poshtë. Disa prej tyre i treguan gishtin e mesit sipër, mes tyre dalloheshin disa aktivistë të Organizatës Politike, një grup të rinjsh të majtë.

Në “Facebook”, shenjat me gishtin e mesit lart ndaj Berishës u lavdëruan nga aktivistë të tjerë të kësaj organizate, të cilët shtuan se u bëjnë “vërejtje” këtyre “shokëve” për mungesën e përgatitjes me vezë dhe domate për një rast të tillë.

Pas këtij poshtërimi publik, Berisha dhe Basha u larguan me nxitim nga bulevardi, ndërsa mbështetësit e tyre krijuan një rreth për t’i mbrojtur nga zemërimi i protestuesve. Bashkë me ta ikën edhe shumë protestues mbështetës të tyre, ndërsa një grusht të rinjsh vijuan të qëndrojnë ulur duke folur me radhë me një megafon.

Një studente e Juridikut mori megafonin dhe tha: “Politikanët duhet ta dinë se kur të vdesin, paratë që kanë vjedhur nuk do t’i shërbejnë për bukë”. Një tjetër tha: “Partitë politike zëvendësojnë njëra-tjetrën nëpër bashki dhe bashkitë janë bërë hale”.

“Ne e kemi vendin të mbushur me plehra, sepse kryekomunarët vjedhin”, tha një tjetër.

Në Elbasan, një grup shumë i madh qytetarësh dolën të protestonin në qendër të qytetit, organizuar nga pedagogë dhe studentë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Fotot e publikuara nga AKIP në “Facebook” treguan një numër të konsiderueshëm qytetarësh, duke e bërë atë protestën më të madhe deri tani. Protesta u organizuan edhe në disa qytete të Italisë, si Milano, nga shqiptarët që jetojnë atje. Një grup i vogël shqiptarësh në Shkup dolën të protestonin para ambasadës së Shqipërisë në Maqedoni.

Qeveria në dilemë

Ndërsa shqiptarët protestonin nëpër rrugët e vendit, Kryeministri Edi Rama ishte në vizitë zyrtare në Malin e Zi për të diskutuar për bashkëpunim ekonomik. Në mesditë, faqja e “Zërit të Amerikës” në “Facebook” tha se burime nga qeveria bëjnë të ditur se ajo është tërhequr nga bisedimet me Uashingtonin. Në darkë, po burime të pakonfirmuara bënë të ditur se qeveria qëndron te deklaratat e mëparshme se nuk ka ende një vendim.

Njoftimi i “Zërit të Amerikës” për tërheqjen nga bisedimet u përsërit edhe në darkë.

Në mbrëmje, Kryeministri Edi Rama u pa duke dalë nga Kryeministria në këmbë, por një vendim të prerë nuk pati.

Protestues të përzier

Protestuesit dje qenë nga më të ndryshmit, nga myslimanët dhe myslimanet, te komuniteti LGBT, gjimnazistët, studentët, pedagogët, aktivistët mjedisorë, aktivistët e shoqërisë civile, aktivistë të së majtës ekstreme, militantë partie, provokatorë etj. Të gjithë bërtitën së bashku JO!, kënduan këngë patriotike dhe brohoritën përgjatë të gjithë ditës deri në orët e vona të natës. Protesta nuk kishte asnjë udhëheqës të dukshëm, ndërsa disa aktivistë që, gjatë ditëve të fundit janë paraqitur si udhëheqës, qëndruan mënjanë të injoruar.

“Facebook”

Media sociale dhe në veçanti “Facebook” kreu një rol të veçantë në Shqipëri dje, ku shumica dërrmuese e protestuesve në të gjithë vendin shpërndanë lajme, foto e video duke shkëmbyer informacion e duke nxitur njëri-tjetrin.

Ndërsa media konvencionale ishte e interesuar për aspektin politik të ngjarjes, duke u dhënë rëndësi politikanëve të prononcohen mbi ngjarjen, media sociale ishte dukshëm më e gjallë se zakonisht, duke u bërë pika e referencës dhe duke qenë më e shpejtë sesa media konvencionale.

Të rinjtë para Kryeministrisë protestuan për shumë orë para se televizionet të transferonin sistemet e transmetimit në kohë reale nga Parlamenti te Kryeministria. Por interesimi i televizioneve për të transmetuar në kohë reale duket se u zhduk sapo Berisha përjetoi poshtërimin e tij në turmë, duke bërë që protestuesit t’i rikthehen medias sociale si kanali kryesor i komunikimit të tyre.

You may also like...