Pse-të kundër reformës së arsimit të lartë

download1. Drafti i prezantuar për reformën e arsimit të lartë i hap rrugë financimit të universiteteve private nga buxheti i shtetit përmes dy kanaleve: a) fonde për kërkim shkencor dhe novacion, të cilat sugjerohen se mund të arrijnë në 10 apo 15 milionë euro në vit. b) fonde për mësimëdhënie për universitetet private që e shpallin veten fondacione bamirëse. Asnjë arsyetim konkret se pse del e nevojshme kjo reformë nuk është bërë.

2. Drafti, pasi përcakton si parim kryesor financimin e universiteteve private nga fondet publike, nuk argumenton se pse është e nevojshme kjo. Në fund të fundit, vlerësohet se universitetet private bëjnë xhiro të përgjithshme po aq sa universitetet publike dhe kanë një numër studentësh pesë herë më të vogël se sa publiku. Duke parë këto shifra, e logjikshme do të qe që universitetet e pasura private të financojnë universitetet e varfra publike dhe jo anasjelltas.

3. Teorikisht konkurrenca është e mirë. Por drafti thotë se universitetet private do të konkurrojnë për fonde përballë vetëm një blerësi të shërbimeve të tyre, që është Ministria e Financave. Me një pagues dhe shumë konsumatorë, nuk mund të ketë konkurrencë. Rrjedhimisht kjo teori nuk vlen në rastin konkret.

4. Drafti sugjeron se cilësia e universiteteve publike ka rënë gjatë viteve të fundit, si pasojë e shtimit të shpejtë të studentëve. Drafti nuk flet për cilësinë e universiteteve private. Por drafti nuk mundet të argumentojë asgjë mbi cilësinë sepse Shqipëria nuk ka sot dhe as nuk e ka patur në të shkuarën ndonjë njësi matëse për cilësinë e universiteteve. Asnjë lloj vrojtimi nuk është kryer për të parë se sa është norma e punësimit mes të diplomuarve apo sa është norma e punësimit brenda profilit të të diplomuarve. Rrjedhimisht, të thuash se universitetet publike kanë cilësi të ulët, duke sugjeruar se e kundërta është e vërtetë, pra që universitetet private kanë cilësi më të lartë, do të thotë të hamendësosh pa kurrfarë përgjegjësie me një synim të thjeshtë për të miratuar këtë reformë.

5. Universitetet private kanë shumë para, shumë ndikim politik dhe mediatik. Ata nuk kanë nevojë për mbrojtje. Janë në gjendje të nxjerrin dhjetëra “opinionistë” që të argumentojnë se pse kjo reformë është e mirë. Universitetet publike nuk kanë kaq shumë para. Kundërshtimi i tyre ndaj propozimit të draftit për reformë bëhet më së shumti në emër të së mirës së përbashkët. Për këtë arsye, ata që kanë dalë kundër, duhet të mbështeten.

6. Debati është i njëanshëm. Për shkak se universitetet private kanë ndikim politik dhe mediatik, argumentet e tyre janë reklamuar më me forcë se sa argumentet e universiteteve publike.

7. Pretendimi se universitetet private bëjnë kërkim shkencor më mirë se sa universitetet publike, nuk bazohet në asnjë fakt konkret. Supozimi se universitetet në Shqipëri do të mund të menaxhojnë fonde kërkimore shkencore prej miliona dhe miliona eurosh dhe të japin produkt të vlefshëm në shërbimi të shoqërisë, është paksa i pabesueshëm.

Lexo më shumë:

Përfundimisht kundër të ashtuquajturës reformë universitare

You may also like...