Puna e vlefshme e një skllavi

Gjergj Erebara

Nëpër librat e historisë të mësuara nëpër shkolla në kohën e Komunizmit, një shpjegim mbi kalimin nga rendi skllavëpronar në rendin feudal më është fiksuar gjatë në mendje: shpjegimi qe i perifrazuar pak a shumë kështu: erdhi një kohë kur puna e skllavit nuk nxirrte më fitime. Rrjedhimisht u kalua në rendin e bujkrobërisë.

Ky qe një shpjegim joempirik i marrë nga teoria e fazave historike të Karl Marksit. Në praktikë diçka e tillë duket se nuk ka ndodhur kurrë. Skllavëria si marrëdhënie njerëzore duket se ka ekzistuar dhe vijon të ekzistojë gjithmonë. Dikush thotë psh se është “skllav në dashuri”, gjë që mund të mos jetë domosdoshmërisht e keqe, por shumë shpesh qëllon që njerëzit marrin rolin e skllavit ose trajtimin e skllavit përballë punëdhënësit, prindit, udhëheqësit fetar apo politik, kredidhënësit… Kur Çaushesku psh deklaroi se barku i grave të Rumanisë është nën pronësi shtetërore, nuk qe se i bëri gratë më pak skllave se sa skllevërit në kuptimin tradicional të fjalës.

Në fund të fundit, heqja me ligj e të drejtës për të ikur nga Shqipëria gjatë periudhës komuniste si dhe nevoja për të marrë leje nga autoritetet vendore për të lëvizur brenda vendit (pasaportizimi), nuk qe shumë i ndryshëm nga detyrimi i bujkrobërve për të mos e lënë tokën që kishin për detyrë të punonin. As dërgimi i njerëzve “vullnetarisht” për të punuar “atje ku ka nevojë atdheu” nuk qe shumë i ndryshëm nga detyrimi i një skllavi për të punuar kudo që ka nevojë pronari.

Gjithsesi, skllavëria përkufizohet si institucion i sanksionuar me ligj, ku një njeriu i njihet e drejta e pronësisë së një njeriu tjetër. Përkufizimet mbi këtë pronësi kanë variuar me kalimin e kohës.

Adam Smith, njësoj si Marksi, por para tij, besonte se puna e skllavit nuk ka kuptim ekonomik. “Puna e kryer nga skllevërit, megjithëse duket sikur kushton vetëm sa jetesa e tyre, është në fund më e shtrenjta nga të gjitha. Një person që nuk mund të blejë pronë nuk mund të ketë interes tjetër veçse të ha sa më shumë dhe të punojë sa më pak të jetë e mundur,” thoshte Smith. Pyetja qe shumë e thjeshtë: pse një skllav në Romën e lashtë, apo në Perandorinë Osmane, duhej të kujdesej për bimën në arë nëse një pjesë shumë e vockël e produktit i shkonte atij dhe pjesa dërrmuese i shkonte pronarit? Pak a shumë në të njëjtën situatë qe fshatari shqiptar gjatë gjysmës së dytë të komunizmit. Prodhonte qumësht por nuk mund ta pinte atë. Prodhonte djathë, gjalp e mish, por prodhimi i merrej nga shteti. Jo më kot, një nga kërkesat e para të Kavajës pas rebelimit të parë antikomunist, qe që ky rajon përgjithësisht bujqësor të ndahej nga Durrësi si njësi administrative për t’u bërë rreth më vete. Argumenti i dhënë qe që prodhimet bujqësore dhe veçanërisht blegtorale të Kavajës, dërgoheshin për të mbuluar konsumin e Durrësit.

Por të tjerë, si Eric Williams (Kapitalizmi dhe Skllavëria), besojnë se fakti që një pronar europian i jepte të drejtë vetes të rrëmbente njerëz për t’i përdorur si skllevër përbën elementin që solli akumulimin e kapitalit në Perëndim gjatë shekujve të shtatëmbëdhjetë e tetëmbëdhjetë dhe në fund, industrializimin e botën që kemi sot.

Eficenca e skllavit

Llogjika elementare është se nëse një njeri ka njëzet vetë që punojnë për të në këmbim të kushteve minimale të jetesës, natyrisht që fitimet nga puna e atyre të njëzetëve mjaftojnë për ta bërë pronarin shumë herë më të pasur se sa ai që nuk ka skllevër brenda pak vitesh. Prej kësaj duket se krijohet perceptimi i epokës së artë të jugut të SHBA-ve para Luftës Civile, me shtëpi të stërmëdha të stilit kolonial, ferma të mirërregulluara dhe skllevër që janë pak a shumë punëtorë me të drejta dhe deri diku të respektuara, siç paraqiten te Gone With the Wind (Bashkë me Erën) i Margaret Mitchell.

Por po ta shohim nga krahu tjetër, situata nuk është aspak kështu. Filmi 12 vjet skllav (12 Years a Slave) tregon se si numri i skllevërve në fermë qe i konsiderueshëm, rreth dhjetë, ndërsa pronarët qenë dy, e disa të bardhë të varfër kryenin rrolin e kamzhikut për skllevërit rebelë.

Pyetja shtrohet se si ndodhi që një skllave e përdhunuar nga pronari dhe e dhunuar në mënyrë sistematike nga gruaja xheloze e pronarit, nuk i helmoi pronarët apo nuk i vrau ato në gjumë.

Django Unchained nga ana tjetër paraqet një situatë shumë më korrekte nga pikëpamja historike e marrëdhënieve mes skllevërve dhe padronëve. Skllevërit janë të shumtë, por të bardhët gjithashtu. Dhe fakti është që popullata e skllevërve sipas të gjitha gjasave në historinë e njerëzimit ka qenë një minorancë e persekutuar nga maxhoranca, jo një maxhorancë e persekutuar nga minoranca.

Pyetja shtrohet se çfarë e shtyn skllavin të krijojë vlerë të shtuar për pronarin në këmbim të mbijetesës së vet. Përgjigjja është se skllavi, si çdo status tjetër shoqëror, ka potencial për karrierë. Skllevërit mund të jenë punëtorë të pakualifikuar, por, në histori kanë qenë ushtarë, gjeneralë, arkitektë, mësues, dijetarë. Ndryshe nga sa paraqitet te 12 Vjet Skllav ku skllavi mbahej në gjendjen e skllavit duke i shtypur inteligjencën, në shumë raste, skllavi ka qenë në gjendje të bënte biznes, të akumulonte para dhe në situata të caktuara, të blinte lirinë e vet nga pronari, dmth të bëhej më i pasur se pronari, kur kishte inteligjencën e caktuar. Në shoqëri të caktuara, aftësitë e skllavit dhe kontributi i tij në shoqëri njiheshin, pranoheshin dhe shpërbleheshin, qofshin këto për mirë apo për keq. Tiro qe sekretari i Ciceros i cili shpiku sistemin e shkrimit të shkurtuar, që shërbente për të mbajtur shënim me të njëjtën shpejtësi me gjuhën e folur, fjalimet delirante të politikës. Për këtë u shpërblye duke iu dhënë një pension nga senati. Njësoj si ca prej punëtorëve të sotëm, të cilët, nëse punojnë tri herë më shumë se të tjerët, mund të bëjnë karrierë, të ngjiten në përgjegjësi e… ndoshta të bëhen të pasur. Shpresa duket se është ajo që i mban njerëzit njëkohësisht skllevër dhe njëkohësisht efikasë si punëtorë. Gjithsesi, konkluzioni i Smith është në një nivel më të lartë, shumë i pranueshëm. Njerëzit e lirë kanë eficencë më të lartë pune.

Praktika e skllavërisë së përkohëshme duket se ka ekzistuar në shumë kultura. Eqrem Bej Vlora shpjegon në “Kujtimet” e tij se si famija bejlere merrte përkundrejt pagesës nga familjet e varfëra, vajza të reja fare për shërbëtore. Ne nuk e dimë dhe vështirë se do ta mësojmë ndonjëherë se si jetonin këto vajza, nëse ushqeheshin mirë, trajtoheshin me dinjitet, etj. Dimë se vajzat martoheshin pas ca vitesh dhe… ndoshta kalonin nga skllavëria e beut te skllavëria e burrit. E njëjta gjë duket se ka ndodhur gjithmonë. Ka skllevër që punojnë në miniera, ndërtim hekurudhash, hidrocentrale dhe vdesin pa lënë asnjë gjurmë. Ky është defekti i zakonshëm i historisë, ose i arkivave historike. Një njeri i vdekur nuk lë gjurmë.

Statusi i skllavit ose çdo gjë e ngjashme me të, nga pikëpamja ligjore apo praktike, justifikohet gjithmonë me një farë ideologjie. Ideologjia justifikon situatën në emër të një të mire “më të madhe”. Bota duket se nuk ka ndryshuar shumë.

You may also like...