Putin ka mësuar atë që SHBA nuk e ka mësuar

SHBA-të dhe Perëndimi nuk kanë për momentin një përgjigje të gatshme për luftën asimetrike që po bën Putini në Ukrainë përmes përdorimit të ushtarëve të maskuar si civilë. Por çfarë do të ndodhë nëse Putini vijon të pushtojë shtetet e tjera një nga një?

Nicholas Wapshott, Reuters

Pas mposhtjes poshtëruese dhe largimit me nxitim nga Vietnami më 1973 – kur kombi më i pasur dhe më i fuqishëm i botës u turpërua nga vendosmëria e ftohtë e fshatarëve të keqpajisur dhe të frymëzuar ideologjikisht – në përgjithësi u supozua se Shtetet e Bashkuara nuk do të hyjnë në luftë sërish deri sa leksionet nga fitorja e Viet Kongëve të mësohej deri në fund.

Kur forcat Sovjetike me nxitim u tërhoqën me hundë të përgjakur nga pushtimi i tyre nëntëvjeçar i Afganistanit më 1989, leksione të ngjashme u dhanë mbi pamundësinë e pushtimit ushtarak të një vendi me popullsi universalisht armiqësore.

Me pushtimin me shpejtësi të jashtëzakkonshme të Krimesë dhe Ukrainës lindore, Presidenti i Rusisë Vladimir Putin duket se i ka mësuar leksionet si të Vietnamit, ashtu edhe të Afganistanit.

Por presidentët e njëpasnjëshëm të SHBA-ve gjithsesi duket se kanë dështuar të kuptojnë se si strategjia ushtarake ka ndryshuar përgjithmonë nga ajo që ndodhi në këto dy konflikte të thjeshta. Përkundrazi, ata kanë shkuar të përsërisin gabimet e paraardhësve të tyre.

Dhe kjo nuk është e gjitha. Flota amerikane e bombarduesve të pakapshëm nga radarët (810 milionë dollarë copa) dhe flota e nëndetëseve bërthamore (8.2 miliardë dollarë copa) armatosur me raketa bërthamore Trident (31 milionë dollarë copa) nuk shërbejnë për asgjë kundër agjentëve të shërbimeve sekrete ruse, provokatorë të maskuar si protestues ukrainas që mbërrijnë në fushëbetejë me avionë civilë.

As Shtetet e Bashkuara, as Bashkimi Europian dhe as Aleanca e Traktatit të Atlantikut të Veriut nuk kanë një zgjidhje ushtarake për stilin e pistë të luftës që Putini ka hedhur në fushëbetejë me efikasitet të madh.

Një pyetje duhet të shtrohet: A është e përshtatshme dallga e shpenzimeve të Pentagonit në teknologjinë e lartë – për kënaqësi të industrisë vendëse të materjaleve të luftës – për të siguruar mbrojtjen e Perëndimit? Përgjigjja e dukshme – jo! – kjo luan në duart e libretarëve amerikanë që po i bashkohen liberalëve në kërkesat për shkurtime thelbësore në shpenzimet për mbrojtjen.

Por le të kthehemi në Vietnam, një vend që sërish përndjek ushtrinë amerikane. Duke menduar se ata qenë më të mirë se sa gjeneralët e Francës kolonialiste, të cilët evakuuan me nxitim vendin pas disfatës poshtëruese nga ana e Viet Minhëve në Dien Bien Phu, komandantët e SHBA-ve besonin se mund të ndalonin kryengritjen komuniste nga veriu me peshën e stërmadhe të forcës që dispononin. Ata aplikuan bombardim në tapet dhe një ushtri me rekrutim shumë më të mirëpajisur e stërvitur.

Disfata jonë në Vietnam, pas katër presidentëve që me rradhë u përpoqën ta fitojnë luftën duke përshkallëzuar dhunën, tronditi kombin. Davidi mposhti Goliathin dhe armët e vogla shpartalluan batalionet e mëdha.

Për 16 vjet, Shtetet e Bashkuara morën goditje. Nëse fuqia ushtarake vlente kaq pak në konflikte të shkallës së vogël, asaj iu kërkua ta zgjidhje këtë problem. A nuk qe kjo rruga për të ecur përpara?

Nuk pati përgjigje të saktë para se të vinte hera tjetër kur Uashingtoni të ndjehej e detyruar të ndërhynte në një konflikt të madh. Presidenti Xhorxh Bush (George H.Ë. Bush), me kryeministren luftënxitëse Margaret Theçer (Thatcher) që mbërthente çizmet e tij, vendosi se një koalicion Perëndimor duhet të rimarrë Kuvajtin nga presidenti i Irakut Sadam Husein në Luftën e Gjirit të vitit 1991.

Shtetet e Bashkuara u rikthyen në fushëbetejë – për një copë rëre të shkretë shumë të përshtatshme për të kryer atë që mund të jetë beteja e fundit e shkollës së vjetër me tanke masive – dhe asgjësoi forcat e keqpajisura të Huseinit. Bushi refuzoi të shkojë në Bagdat dhe të rrëzojë Huseinin, një vendim i mençur i nxjerrë jo vetëm nga tmerret e Vietnamit por edhe nga poshtërimi i Sovjetikëve në Afganistan.

Fakti është se disa nga forcat ushtarake më madhështore që bota ka parë ndonjëherë – nga ushtria e Aleksandrit të Madh te ushtarët e Perandorisë së frikshme Britanike në kulmin e vet – patën dështuar në mposhtjen e afganëve duhej t’i kishte dhënë burrave të moshuar në Kremlin një pushim për të menduar. Por si Pentagoni, gjithsesi, ata vijuan me besimin se disa muhaxhedinë të keqarmatosur do të shpartallohen shpejt përballë superioritetit të tankeve dhe avionëve të sofistikuar.

Kjo nuk funksionoi. Si në “luftën asimetrike” në Vietnam – pabarazia e forcave në të dy krahët bëri që nacionalistët afganë të përballeshin me ushtrinë me 1000 mijë trupa të pushtimit sovjetik me taktika guerilase. Kur Rusët u tërhoqën me shpejtësi në shkurt 1989, 15 mijë nga ushtria pushtuese qenë vrarë.

Perspektiva që forcat amerikane të masakroheshin në një mënyrë të ngjashme ndërsa përpiqeshin të pushtonin një Irak kaotik post-Husein i dha Bushit mundësi për t’u menduar. Në vend të luftës, ai vendosi ta rrënojë vendin me regjim sanksionesh ekonomike, përfshirë embargo nafte dhe për ta kontrolluar ushtrinë e Huseinit me një zonë ndalim-fluturimi – një politikë e kufizimit që u ndoq nga presidenti pasues, Bill Klinton (Clinton

Sulmet terroriste më 11 shtator 2001 ndryshuan gjithçka. Ata nxitën një ndjesi absurde arrogance në Shtëpinë e Bardhë nën drejtimin e Xhorxh Bush (George Ë. Bush) dhe zëvendëspresidentit Dik Çcenej (Dick Cheney).

Al Kaeda e zgjeroi llogjikën e luftës guerilase të Viet Kongëve dhe muhaxhedinëve duke përdorur terrorizmin kundër objektivave të butë të SHBA-ve, nga të cilat rrëmbimi i avionëve rezultoi më efektivja.

Për pjesën tjetër të botës, e cila që nga mbërritja e terrorizmit si mjet lufte është mësuar me kërkimin para hipjes në avion, mungesa e sigurisë nëpër aeroportet e SHBA-ve dukej e pakujdesshme, madje edhe neglizhente.

Po kaq e pakujdesshme qe përgjigjja indinjante e administratës së Bush ndaj sulmeve të 11 shtatorit: sulmimi, pikërisht i Afganistanit, që rezultoi varreza e Bashkimit Sovjetik dhe sulmimi e pushtimi i Irakut, nën pretekstin, e pambështetur nga informacione bindëse, se Huseini kishte armë të shkatërrimit në masë dhe qe gati t’i përdorte ato kundër Perëndimit.

Presidenti Barak Obama e mposhti rivalen e vet kryesore mes demokratëve, Hillari Klinton (Hillary Clinton) — si dhe republikanin Xhon MekKein (John Mçain) në zgjedhjet e përgjithshme – pjesërisht për shkak se ai prerazi kundërshtoi luftën e Irakut dhe shprehu rezerva të thella mbi konfliktin në Afganistan.

Obama bëri fushatë me premtimin për t’i dhënë fund të dyja luftërave. Përqasja e tij ndaj konflikteve ka qenë kryesisht t’i shmangë ato. Në Libi, ai lejoi aleatët Europianë të marrin udhëheqjen. Kur forcat e presidentit të Sirisë Bashar al Assad përdorën armët kimike kundër rebelëve, Obama u fsheh pas Kongresit. Këto sulme kimike vijojnë.

Tashmë Shtetet e Bashkuara dhe aleati i tyre hezitues Bashkimi Europian, përballen me pyetjen se çfarë duhet të bëjnë me ekspansionizmin klandestin të Rusisë drejt Perëndimit. Duke mësuar leskionet e Vietnamit, Afganistanit dhe Irakut, Putini e pushtoi Ukrainën i maskuar – fillimisht duke aneksuar Krimenë dhe tani, përmes forcave jo kaq të fshehta, duke destabilizuar Ukrainën lindore në shumicë rusishtfolëse për t’i siguruar vetes një ftesë pa kushte për ta pushtuar atë me tanke kur ta mendojë të përshtatshme.

Përgjjigjja e Perëndimit? Ndalimi i pasaportave, sanksione ekonomike kundër një numri të vogël miqsh rush të Putinit dhe jo përjashtimin, por thjeshtë pezullimin e Rusisë nga grupi i G-8.

Nuk ka opsion ushtarak. Taksapaguesit amerikanë i japin Pentagonit 682 miliardë dollarë çdo vit dhe sërish nuk ka opsion ushtarak. Në vend të saj, Sekretari i Shtetit Xhin Kerri (John Kerry) ankohet se Putini nuk po luan ndershëm duke përdorur përqasje të shekullit të 19 për probleme të shekullit të 21.

Mund të vlerësohet se Ukraina sakaq është humbur te Putini. Mundet që Putini do të aneksojë republika të tjera ish-sovjetike, përfshirë Gjeorgjinë, Kazakistanin, Kirkizistanin, Moldafinë, Turkmenistanin, Taxhikistanin, Uzbekistanin, Azerbajxhanin dhe Bjellorusinë. (Putin nuk ka gjasa të kapë shtetet Balltike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, për shkak se këto të fundit janë të gjitha vende anëtare të NATO-s.)

Po si do të përgjigjet Perëndimi nëse ai vijon të pushtojë? Kjo është pyetja që shtrojnë të gjithë. Ka gjasa gjithsesi që secili prej pushtimeve do të përballet me shqetësime por jo me përgjigje ushtarake nga Perëndimi.

Pra e gjitha do të bëhet me sanksione. A do të funksionojnë ato? Pyet Kubën. Apo Korenë e Veriut. Apo Zimbabven. Apo Iranin.

You may also like...