Që të shpëtoj nga rruga

Ditari i një të riu të pashpresë.

Davidi

Të jetosh në Tiranë pasi ke përfunduar universitetin është një nga situatat më të pakëndshme për të rinjtë edhe të rejat. Ka një pasiguri totale kur ti ndodhesh përballë një jete nga e cila të përballë me sfida jo vetëm profesionale por edhe njerëzore, sfida që në të shumtën e rasteve nuk ke mundur t’i hasësh gjatë jetës deri në ato çaste.

Akoma më të vështira bëhen këto momente kur ti nuk ke përfunduar asnjë nga ato universitete të fort dëshiruara. Mund të kesh përfunduar Universitetin e Sporteve, mund të kesh dëshirë të luash sportin tënd por që për dreq nuk e vazhdon dot. Jo, se ti nuk do, por sepse sporti këtu tek ne është sinonimi i gënjeshtrës. Është pak humor i zi kjo që po shkruaj, por më duket butaforike kjo urrejtja ndaj serbëve, mirë a keq ato kanë një ekuacion për sportin, prodhojnë sport bashkë me urrejtjen e tyre. Ne, fatkeqësisht prodhojmë urrejtje edhe nuk prodhojmë dot sport!

Argumenti më i mirë për të pohuar fjalinë e fundit është ai i ligjit për sportin, për vite me radhë është premtuar ky ligj i cili ka mbetur në sirtarët e cilësdo qeveri. Ndërkohë që ajo pjesë e buxhetit që hidhet për të sponsorizuar ndonjë grimcë leku nëpër ekipet që ende janë të shtetëzuara, megjithëse Komunizmi ka mbi 20 vite që ka rënë, pasurojnë apo mbushin barkun e shefave të klubit.

Në jetën time sportive nuk kam arritur të marrë asnjëherë një rrogë si një lojtar profesionist, asnjëherë nuk kam pasur kënaqësinë t’i shoh frytet punës sime të përditshme. Megjithëse, firmën nëpër borderotë e klubeve gjithnjë e kam hedhur për disa para që kurrë s’i kam marrë. Por me gjithë këtë fakt, asnjëherë nuk jam dorëzuar, ndërsa sot më duhet t’i them ndal pa dëshirën time.

Në këtë qytet edhe sikur të mos duash të jesh hajdut kasetofonësh, sikur të duash të bësh diçka që ke pasion ka përherë diçka që të pengon. Ka përherë diçka që të frenon për të kryer diçka të ndershme edhe me pasion. Nëse gjetiu shoqëria përdor sportin për të futur në udhë të drejtë elementë të ndryshëm që e shpenzojnë kohën e tyre duke e vrarë atë, në këtë qytet ndodh e kundërta.

Tanimë, më duhet ta pranoj, përballë meje kam dy zgjedhje; ose më duhet të largohem nga ky vend për të parë se çfarë mund të bëjë jashtë apo përndryshe më duhet të merrem me shokët e lagjes, të merrem me kasetofona apo ndonjë disk. Tanimë, zgjedhja ime është këtu e për këtë nuk di realisht kë të fajësoj. Fundja nuk jam në gjendje ta bëj, a thua fajin edhe për këtë e kanë armiqtë tanë?!

You may also like...