Qeveria dhe opozita

Xhabyni

Mbi raportin e opozitës me veten dhe qeverinë e re

Opozita ka filluar të ndërtojë një sjellje që mund ta quajmë “tërhiq e mos e këput” mbi pelerinën që ajo ka veshur që pas 23 qershorit. Sjellja e saj është kufizuar jo vetëm në demaskimin e disa prej zyrtarëve që Partia Socialiste (e shumë më pak LSI-ja) ka emëruar në krye të institucioneve zyrtare, por edhe në kritikat që i janë bërë mazhorancës aktuale mbi ekonominë më së shumti. Megjithëse shumë nga qytetarët e vendit nuk mendoj dhe besoj se e kanë votuar Aleancën për Shqipërinë Evropiane në datën 23 qershor sepse donin një ekonomi më të mirë, shumë prej tyre votuan këtë aleancë sepse nuk dëshironin më Sali Berishën të qeveriste, nuk donin autoritarizmin e tij e aq më pak nuk dëshironin të shihnin dhe të dëgjonin një kryeministër të fliste që nga paçja e deri tek ekonomia. Por a është Edi Rama një kryeministër ndryshe nga Sali Berisha? Nuk mendoj se ai është në rrugën për të qenë ndryshe nga paraardhësi i tij, e kjo është një temë e gjatë mbi të cilët dua të fokusohem një herë tjetër duke u mjaftuar vetëm me pohimin që ai është një Berishë më i ri dhe me më shumë pompozitet dhe reklamim.

Edhe pse qeveria e re nuk është treguar aspak efiçente, qoftë edhe prej aleancës me LSI-në, opozita po tenton të luajë rolin e vitit zero. Ajo po përpiqet që përmes akrobacirave herë të kërkoj falje e herë të akuzojë (pa pasur fare pendim për çfarë kanë bërë 8 vite) mazhorancën e sotme. Duke u kthyer kështu në një opozitë që nuk është “as mish e as peshk” e këtë e përshfaq edhe gjatë seancave parlamentare, ku si një trup i vetëm opozita braktis dhe lë sallën e parlamentit sa herë dëshiron Berisha, ndërkohë që në qëndrimet e grupit parlamentar Basha shprehet për një “raport të kushtëzuar me parlamentin” që një Zot e di se çfarë do të thotë në gjuhën politike.

E gjithë kjo mënyrë përqasjeje ndaj politikës së mazhorancës është deri diku e kuptueshme për një parti që fajin për humbjen poshtëruese ia “hodhi” liderit të saj historik, duke lënë gjeneralët dhe komandantët në krye të detyrës sërishmi. Edhe pse kupola e re drejtuese përpiqet që të shfaqë fytyra të reja dhe të pastra, në mënyrë që të përfitojë elektorat të ri dhe gjithaq më shumë gri, opozita nuk po arrin të marr atë feedback që propagandon. Kjo vjen për disa arsye, së pari  ajo nuk është shkëputur ende nga Lideri, duke mos u shkëputur edhe nga të metat e tij, së dytishohim se akuzat ndaj zengjinëve të rinj të korruptuar vijnë nga ish zengjinët e korruptuar (që nuk kanë as guximin të kërkojnë ndjesë për abuzimet e tyre). Së treti këto akuza vijnë pak erë, akuzohen për banda të fuqishme që nuk ma merr mendja që janë krijuar brenda këtyre 8 muajve; ccfarë bëri ndaj këtyre bandave policia dhe qeveria e mazhorancës së shkuar? Në lumin e këtyre akuzave në formën e një loje pingpongu, ku shoqëria është topi që goditet sa nga pallaska blu dhe ajo e mavi, kryetari aktual i opozitës ngre zërin në deklaratat e fundit duke u shprehur për një rikthim të së djathtës në pushtet; ardhje në pushtet që do të vijë si pasojë e uraganit “blu” në gjithë Evropën.

E gjitha kjo, kur e dëgjova në fillim, më ngjau me një shaka të hidhur që Lulzim Basha e ka thënë vetëm e vetëm për të joshur qytetarët që të anëtarësohen në parti përpara zgjedhjeve. Por nuk mendoj se kjo është një taktikë e tillë, sepse nuk mendoj se Basha është një politikan kaq i ulët sa të përpiqet të rrisë anëtarësimet përmes këtyre skemave, por cila është arsyeja që ai të jetë shprehur në këtë mënyrë? A e beson ai realisht se do të mund të vijë e djathta në pushtet kur është shumë e qartë që ai tanimë mund të humbasë edhe në Bashkinë e Tiranës? Është e vështirë t’i japësh një përgjigje me përqindje të lartë sigurie këtyre dy pyetjeve e kjo vjen prej faktit se opozita e Bashës është e dyzuar mes asaj që ishte dje dhe asaj që dëshiron të jetë. Skema të tilla, pra të krijimit të një iluzioni se shumë shpejt do të vijmë në pushtet, janë parashikime “apokaliptike” për kundërshtarin që në mend më sjellin vitin 2003 kur asokohe Lideri parashikonte gjithnjë rrëzimin e qeverisë dhe ardhjen e të opozitës në pushtet. Kështu që këto skema, janë pikërisht një format i ri, i cili jo vetëm që nuk përputhet me realitetin se përse partitë e djathta (e shpesh-herë të ekstremit të djathtë) po vijnë në pushtet por mundohet të tërheqin vëmendjen e publikut për atë që realisht po ndodh në vendin tonë.

Në vend që opozita, nëse do të donte le të themi të ndryshonte, të merrej me një nga shtyllat e sistemit që po e shkatërron shoqërinë tonë ( e që për ironi i prishi dhe atë pak reputacion që kishte PD deri dje). Pra, të merrej me LSI-në, ajo thjesht risjell edhe një herë në treg një fabul opozitarizmi tanimë të dështuar dhe të dërrmuar nga koha. Arsyet se përse ende sot e kësaj dite, ditëlindja e “sheikut” nga Skrapari (siç e titullonte gazeta kosovare Expres) nuk është sulmuar ashpërsisht as nga Lideri e as nga Basha tregon se edhe vetë kjo opozitë sa do me fytyra të reja është e blerë dhe e qerasur (vetë disa nga deputetët që ëndërrojnë kupolën, quhen senatorë e marrin fjalën në seanca parlamentare) me karkaleca nga kryetari sistemit. Nga ana tjetër përpjekja e madhe që “ideologët” e rinj të djathtë (që në të shumtën e rasteve janë sharlatanë që duan të investojnë sot për të përfituar nesër) kanë për të krijuar apo prekur tema që nuk guxonin t’i preknin kur PD ishte në mazhorancë. Indiferentizmi i tyre dhe një farëlloj distancimi i zvjerdhur ndaj gabimeve të së shkuarës (duke bërë të shurdhin ndaj gafave të djeshme apo memecin ndaj atyre të sotme) që shpesh herë përzihet me angazhimin total për të sulmuar gjithçka që mazhoranca sotme kryen është një tjetër sinjal që nuk prodhon efiçencë opozitare por maksimumi sofizëm të tepruar për veshët e pastërvitur të qytetarëve.

Në pak fjalë, mund të them, se sipas meje opozitës së sotme i mungon origjinaliteti, ndershmëria (në tërësinë e saj, duke përjashtuar disa individë), guximi dhe xhenuiniteti për të kuptuar ku është dhe se si duhet ta kritikojë mazhorancën aktuale. Duke u spërdredhur me imazhe, skema e fabula sa të vjetra aq edhe të reja që të kujtojnë gjithnjë e më shumë stilin kryeministror në notin e Dhërmiut.

You may also like...