Qeveria nuk u tërhoq nga mbetjet, ajo u zbyth

Bëhuni gati për sherr! Incerneratorët duan plehra importi për t’u ngopur.

4 9Ka një javë që media pro qeverisë këmbëngul për një lajm të rremë, sipas të cilit, Partia Socialiste, Eduart Shalsi dhe Edi Rama, janë “tërhequr” nga ligji i importit të plehrave, duke pranuar dekretin e ish-presidentit Bujar Nishani për kthimin e ligjit për diskutim në Kuvend. Në fakt, Shalsi, Rama dhe socialistët mbarë janë zbythur!

Ligji i shëmtuar i propozuar si nismë private e Shalsit dhe dy deputetëve të tjerë, dhe që në të vërtetë qe propozuar nga Edi Rama, qe i vdekur që prej dymbëdhjetë muajsh. Maxhoranca e re e Ramës i ka numrat për të miratuar një ligj të ri, por nuk kishte asnjë shans të rikthente ligjin e vjetër duke rrëzuar me vota dekretin e presidentit.

Ligji Shalsi për lejimin e importit të plehrave nëse e mbani mend, u miratua në Kuvend më 22 shtator 2016. Dy javë më vonë, pas protestave të shumta dhe me kërkesë të aktivistëve, Presidenti Bujar Nishani e ktheu për shqyrtim në Kuvend. Maxhoranca socialiste dhe LSI-iste e kohës nuk e shqyrtoi dekretin e presidentit brenda dy javëve, siç përcaktohet në rregulloren e Kuvendit, neni 86, duhej ta shqyrtonte këtë dekret brenda tetë javëve. Këto tetë javë kaluan dhe Shalsi as nuk e pranoi dhe as nuk e rrëzoi dekretin. Fakti qe që pas protestave popullore, LSI dhe PDIU tërhoqën mbështetjen e tyre për këtë ligj, duke e lënë Partinë Socialiste pa votat e nevojshme për të rrëzuar dekretin e Nishanit. Dhe duke qenë se rregullorja e Kuvendit u shkel me të dyja këmbët, Rama dhe Shalsi as që mund ta ëndërronin të përdornin votat e maxhorancës së re për të rrëzuar një dekret të një viti më parë. Por pasi e shkelën rregulloren, socialistët sërish do të duhej ta trajtonin dekretin dhe vendosën më në fund të deklarojnë se e pranojnë atë. Kjo në gjuhën shqipe nuk quhet “tëheqje”. Kjo quhet “zbythje”! Dhe me rastin e votimit të dekretit të presidentit, si Rama ashtu edhe Shalsi nuk pranuan se kishin bërë ndonjë gjë të keqe me lejimin e importit të plehrave. Përkundrazi, të dy pretenduan se qenë viktima të pafajshme të një fushate shpifjesh.

Ne të tjerët ndërkohë duhet të përgatitemi. Qeveria aktuale me Edi Ramën në krye ka treguar një etje të pazakontë dhe aspak normale për ndërtim incerneratorësh. Të tre koncesionet e incerneratorëve të kanë miratuar vështirë se do të ngopen me plehrat e pakëta të prodhuara nga shqiptarët e varfër. Gryka e këtyre incerneratorëve do të kërkojë plehra Italie për t’u ngopur. Kërkesa për plehra importi do të vijojë të jetë e lartë. Ne duhet të jemi vigjilentë.

You may also like...