Raporti Sekret i Ministrisë së Financave

Ministri i Financave i ka dërguar një raport sekret kryeministrit Rama, për arsyet e mos mbledhjes së rreth 16 miliardë lekëve nga ana e qeverisë në 6 muajt e parë të vitit 2015. Sipas burimeve konfidenciale, ministri Cani ka hartuar brenda disa ditëve një raport gati 1500 faqe i cili argumenton me shifra dhe komente arsyet e këtij mosrealizimi.

Raporti i cili disponohet nga RuritaniaNews megjithëse tepër voluminoz u arrit të lexohet dhe të përmblidhet në disa grup fakte që sipas ministrit të financave kanë sjellë dështimin e plotë dhe kolapsin parashikues të Ministrisë së Financave.

Sipas këtij raporti, arsyeja kryesore e këtij dështimi lidhet pashmangshmërisht me ulje e 15 taksave dhe tatimeve që qeveria rilindase ka kryer me paketën fiskale të vitit 2015. Në raportin e ministrit Cani mësohet të jetë shkruar se “…një nga faktorët më të rëndësishëm në uljen e të ardhurave lidhet me shkurtimin e 15 taksave që qeveria jonë ka kryer. Kjo si pasojë ka sjellë edhe rënien e të ardhurave tatimore me 16 miliardë lekë, peshën kryesore në këtë rënie e mban ulja e taksës së gomave e cila ka ndikuar në mbledhjen e të ardhurave me një vlerë prej 11 miliardë lekësh. Gjithashtu zëri i uljes së taksës së bitumit (që është një element jetik në fuqinë e ekonomisë sonë kombëtare) ka sjellë si pasojë humbjen e 500 milionë lekëve (të vjetra) në buxhetin e shtetit.

Po sipas raportit, z. Cani ankohet se heqja e TVSH-së për kafshët e gjalla dhe të majme ka ndikuar në heqjen e 2.7 miliardë lekëve nga të ardhurat.

Po të njëjtat burime, na kanë transmetuar se z. Rama dhe z. Ahmetaj kanë patur një bashkëbisedim në telefon me njëri tjetrin, ku hera herës në këtë bashkëbisedim (me tona të ndenjura) ka ndërhyrë dhe z. Braçe. I cili është ankuar sërishmi për Red Bullin. Sipas z. Braçe, heqja e akcizës mbi pijet energjitike ka sjellë një impakt të dobët në ekonomi duke sjellë dhe rritjen e evazionit fiskal si pasojë e përdorimit të tepërt të kësaj pijeje.

Burime zyrtare për agjencinë tonë dëshmojnë se kryeministri aktualisht i ka ndërprerë pushimet dhe po merret me shfletimin dhe hulumtimin e raportit voluminoz të z. Cani. Nga ana tjetër, burime nga kryeministria na transmetojnë se një tjetër raport i është dërguar z. Rama, raporti në fjalë ka për qëllim të bindë me fakte ekonomike dhe mjekësore z. Rama që të legalizojë përdorimin e bimëve narkotike si dhe rritjen e tyre në pllajat aq shumë pjellore të vendit.

You may also like...