Rashomon!

Një nga filmat më mbresëlënës të kinematografisë botërore është ai i regjisorit japonez Akira Kurosawa. Vendosur në Japoninë e mesjetës, filmi nis me takimin e një druvari, një prifti dhe një kalimtari nën kolonat e derës Rashomon.

Nën rrebeshin e shiut kalimtari dhe murgu filluan të tregonin historinë e një samuraji të cilin trupin e pajetë të cilit kalimtari e kish gjetur në pyll dhe të cilin murgu e kish parë të hynte në pyll me gruan e tij. Skena e filmit më pas zhvendoset para një gjykate ku kalimtari dhe murgu dëshmojnë krimin ndërsa trupi gjykues kishte thërritur të pandehur një bandit, gruan e samurajit dhe samurajin.

Sa më sipër është në pak fjalë historia e filmit Rashomon i cili ngjason jo pak me historinë e reformës në drejtësi dhe deklaratave për shtyp të faktorëve kombëtar dhe ndërkombëtar. Ndërkohë që  shqiptarët vërejnë të habitur atë çfarë ndodh pasi dilet nga takimet mbi këtë reformë që nuk kuptohet se ku çalon dhe pse çalon.rashomon-slice

Gjithsesi ajo çfarë është pozitive në gjithë këtë situatë është roli i mediumit që ne kemi, duke qenë kështu audienca që shohim se si luajnë protagonistët e ngjarjeve të reformës në drejtësi. Ajo çfarë është e sigurt për mediumin, pra për ne qytetarët, është se faktori ndërkombëtarë por edhe faktori politik janë takuar gjithë ato herë për reformën në drejtësi.

Janë pikërisht këto personazhe që transmetojnë tek ne atë çfarë ka ndodhur brenda mureve të atij takimi dhe kështu gjithsecili prej tyre tregon një histori të tijën, e cila na bën t’i besojmë të gjithëve ndonëse të gjithë variantet e tyre janë në kundërshti me njëra tjetrën. Ne nuk jemi dot në gjendje që të kuptojmë të vërtetën megjithëse shohim përqark shumë ngacmime por që nuk mund t’i mbledhim për të dhënë një konkluzion përfundimtar.

Atëherë si pasojë ne pranojmë  të mirëqena dhe i dorëzohemi plotësisht ligjërimeve të personaliteteve që dalin nga takimet dhe flasin për ne mediumin. Ligjërimi i tyre është për ne e vërteta ndonëse ajo është në kundërthënie me një ligjërim tjetër që është po ashtu për ne është e vërteta.

Praktikisht si personazhet e Rashomon ashtu edhe politikanët tanë tregojnë të njëjtën ngjarje por në kuptime tërësisht të kundërta me njëra tjetrën. Dilemën e madhe të këtyre të vërtetave kundërthënëse të kësaj ngjarje regjisori Kurosawa i sqaron përmes historisë së druvarit, që i tregon dy të panjohurve që kish takuar nën portën e Rashomonit historinë e vërtetë të vrasjes së samurajit.

Druvari që kish qenë më i interesuari për të zbuluar se kush kish qenë vrasësi i samurajit në fakt kishte fshehur plotësisht skenën e krimit. Akira Kurosawa duke e shndërruar publikun në një trup gjykues e furnizon atë me historitë e të gjithë personazheve të tij, duke e lënë të pavendosur por edhe në diskutim mes vetes sa i takon fajtorit dhe të pafajshmit. Në fund të historisë, kur në skenë shfaqet një fëmijë jetim të cilin e zhvesh nga rroba e bukur kalimtari, gjendet edhe debati që zbardh moralin e këtij filmi të mrekullueshëm. Në përpjekje për të mbrojtur plaçkën që i kishte vjedhur foshnjës në djep, kalimtari i drejtohet druvarit që i hidhet në emër të drejtësisë duke i kujtuar padrejtësinë që ai kishte bërë duke mos dëshmuar në gjyq vetëm për të marrë kamën e samurajit të vrarë dhe për ta shitur atë në treg.

You may also like...