Realitete paralele

Por, megjithëse ka përballë të dhëna të cilat kundërshtojnë katërcipërisht ligjërimin publik z. Veliaj vazhdon ende të cicërojë për arritje fantastike të ministrisë.

Xhabyni

 

Gjatë një fjalimi në kuvend, dikush nga opozita i kujtoi ministrit Veliaj se ai kishte kohë që fliste për një realitet që vetëm në Shqipëri nuk ndodhej. Ishte periudha ku z. Veliaj propagandonte se vendi jonë qe shndërruar në lider në gjithçka. Ai të jepte përshtypjen e mbretit Mida, I cili sipas legjendës gjithçka që prekte e shndërronte në flori. Ai shkoi në krye të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe e shndërroi këtë të fundit në lider në 11 fusha jetike, e kush vallë ka punuar më mirë se sa ministri ynë i ndritur?

Por faktet duket se flasin ndryshe për ministrin tonë dhe për dikasterin që ai drejton, jo më larg se një javë më parë në një shkrim u pa se numri i 81.000 të siguruarve më shumë nga ana e qeverisë dhe përkatësisht ministrisë në fjalë, nuk qenë vetëm se rrena me bisht. Në mes të kësaj krize të dhënash dhe argumentash ministri doli në një deklaratë ku shumën prej 81.000 të siguruarish e pjesëtoi me 3 duke thënë se përbëhet nga kaq bashkësi. Bashkësia e të siguruarve të rinj që janë hequr nga ndihma ekonomike, bashkësia e të punësuarve të rinj dhe bashkësia e punonjësve të zbardhur (që kanë kaluar nga puna informale në atë formale).

Sipas kësaj aritmetike, i bie që ministri Veliaj të ketë nga 27 mijë persona në secilën bashkësi, por ç’e do që matematika e zhgënjen z. Ministër. Nga të gjitha të dhënat e ofruara nga instituti i Statistikave por edhe nga Zyra e Punës, nuk tregohet se janë punësuar në këtë hark kohor as 10 mijë punonjës të rinj, madje edhe qytetarët e lëvizur nga ndihma ekonomike janë 5 mijë të tillë (duke mos llogaritur që brenda kësaj shume kemi edhe ato abuzues që Ministri ka folur në konferencë. Që përbëjnë 20% të kësaj vlere). Pa harruar se rritja e punonjësve nga puna informale në atë formale nuk është aspak e për afrueshme me 27 mijë punonjës.

Por, megjithëse ka përballë të dhëna të cilat kundërshtojnë katërcipërisht ligjërimin publik z. Veliaj vazhdon ende të cicërojë për arritje fantastike të ministrisë. Ndoshta kjo vjen sepse jo shumë shqiptarë e ndjekin Twitter,  fakti që postimet e tij janë në gjuhë të huaj mbase tregojnë se ai i drejtohet një audience të jashtme. Ndoshta propaganda i drejtohet botës mbarë për të kuptuar se ministri është një fanar ndriçues i zhvillimit dhe rritjes galopante që propagandohet. Shkurt, një tentativë për të qenë i pari mes propaganduesve (ruana o Zot, jo para Kryeministrit kuptohet).

Përpos kësaj, një tjetër arsye është edhe pasioni i madh për të shfrytëzuar në maksimum mosdijen publike për realitetin e shifrave që na shërbehen nga institucionet shtetërore. Kështu, më e thjeshtë është të lexosh një ministër që pozon bukur dhe si një rock-star se sa të hulumtosh mbi disa shifra. Ndaj, ministri po gëzon dita ditës të qenurit në qendër të vëmendjes, po shijon dita ditës një shpurë fotografësh që e kapin në buzëqeshje dhe me të njëjtën lugë që ushqen qytetarët që e shohin në dritë të syrit, vazhdon të ushqejë dhe të tjerët që i lexojnë cicërimat.

Nëse ju kujtohet, Erion Veliaj ishte ai i cili akuzonte Sali Berishën se jetonte në një univers paralel, ishte ai i cili përbetohej se nuk do të dilte kaq shpesh nëpër media por se detyra e tij si qeveritar do të qe puna (klishe e marrë borxh nga kryetari). Realiteti i pushtetit është tërësisht i kundërt. Propaganda miku im, është gjysma e qeverisjes. Për t’iu rikthyer edhe një herë mbretit të famshëm Mida, me të cilin pashmangshmërisht Erion Veliaj ka një lidhje por që nuk ka të bëjë edhe aq me shndërrimin të gjithçkaje në flori por me shndërrimin e gjithçkaje në propagandë.

You may also like...