Replikë ndaj zonjës Bregu.

Znj. Bregu,

replika juaj ndaj komentit tim rrethsillet plot tri paragrafë hamendësimeve mbi moshën time. Ky është një qëndrim krejtësisht i panevojshmëm, patetik dhe reflektim i defiçencës argumentative tuajës në këtë debat.
Kjo për arsye se mosha duhet të ketë vlerë cilësore, jo sasiore, çka do të thotë që të gjitha vitet e mbledhura sëbashku që nga ardhja në jetë e njeriut, nuk shërbejnë veçse si përcaktim i përgjithshëm i ecurisë fizike të tij. Numrat, qofshin tek apo çift, kanë vlerë për aq kohë sa ne ua ngarkojmë një peshë të tillë. Rrjedhimisht, kureshtja se cilit numër i përkasim një periudhe të caktuar kohore, s’mbart asnjë informacion me rëndësi të jashtëzakonshme. Akumulimi i dijes dhe përpunimi i informacionit jo gjithmonë mund të shtrëngohet brenda standarteve shoqërore moshore. Kësisoji, për t’iua shuar këtë kureshtje, po ju komunikoj që unë jam aq vjeç sa zgjedh dhe dëshiroj të jem.

Për të vijuar më tej me përgjigjen e gjatë tuajën: ndër të tjera ju shprehni shqetësimin se si një pjesë e konsiderueshme e vajzave dhe grave të kësaj shoqërie nuk kanë mundësinë t’i nënshtrohen kontrolleve të vazhdueshme mjekësore për sa i përket kryerjes së mamografisë (e jo vetëm do të shtoja unë), EDHE për arsye ekonomike.
Znj. Bregu, gratë e kësaj shoqërie nuk i nënshtrohen të tilla kontrolleve pikë së pari për arsye ekonomike e masandaj për ato -kulturore- e për këtë, ju si përfaqësuese e një elektorati të caktuar dhe ardhur nga pushteti tetë vjeçar i mazhorancës së shkuar, jeni dashur/pa dashur, përgjegjëse e drejtpërdrejtë e këtij problemi.

Megjithatë nuk është kjo arsyeja e replikës suaj dhe as e shkrimit të djeshëm timit. Unë nuk ju kam ”rëndë-kuptuar”, siç po shpreheni, në mesazhin tuaj. Përkundrazi, pretendoj t’iu kem kuptuar si duhet. Reflektimi im vinte në sajë të një analize jo vetëm të vetëdijes suaj në çastin e zgjedhjes së të përdorurit të një gjuhe të caktuar, por mbi të gjitha në të pandërgjegjshmen që përcillej prej jush, anipse u mundova t’iu rrok jo vetëm nëpërmjet fjalëve që përdorni, por edhe hapësirës midis tyre.

Lexomëni si grua, më pas si deputete, pasi unë u drejtova ndaj jush kësisoji, masandaj për rolin profesional që i keni dhënë vetes tash sa kohë.

Fjalët tuaja nuk mund të jenë sfiduese ndaj meje pasi ju nuk mundeni të sfidoni veten.

Faleminderit e ditë të mbarë!

GRESA HASA.

You may also like...