Republika e Kafkës

Në ato çaste polici të kthehet dhe të thotë që duhet zgjidhur me prokurori. Ti shkon, bën denoncimin në prokurori dhe aty takon rojën e dytë të portës së ligjit.

Xhabyni

Para ligjit qëndron një rojtar. Te ky rojtar vjen një fshatar dhe i lutet që të hyjë te ligji. Por rojtari i thotë se nuk mund të lejojë të hyjë tani. Fshatari mendohet një çast, pastaj pyet nëse do t’i lejohet të hyjë më vonë. “Mundet” thotë rojtari, “po jo tani”. Meqë porta për te ligji rri si gjithmonë e hapur dhe rojtari bën mënjanë, tjetri përkulet për të parë brenda përmes portës.”- (Para Ligjit-Franz Kafka)Kafka_Before-the-Law_Orson-Welles-still

Kështu e fillon tregimin e tij të magjishëm një nga themeluesit kryesor të asaj që quhet letërsia e absurdit. Ndërkohë që Franz Kafka në ditarët e tij shkruan se ka qeshur ndërsa ka lexuar kryeveprat e tij, që ato i dukeshin aq shumë komike sa që do të habitej me seriozitetin që ne e marrim atë. Në fakt, lexuesit në Shqip jo pak herë e shohin si me habi shkrimet e Kafkës, e kjo vjen prej faktit se ne jetojmë në një Republikë të ndërtuar në Absurd. Ndodhia e mëposhtëme është një tregues i saj.

Përpara disa muajve në shtëpinë e një qytetari futet një person tjetër jo pronar duke i uzurpuar kështu pronën legjitime pronarit. Dëshira për të ndjekur ligjet e shtetit, shihni që këtu personazhin kafkian, qytetari i drejtohet rajonit të policisë. Policia i bën një dalje shembullore dhe kështu ai përmes miqve të tij, arrin të takojë të plotfuqishmin e lagjes i cili më në fund bindet që të zbatojë ligjin.

Pas shumë përpjekjesh qytetari me policin shkon tek dera e shtëpisë, i plotfuqishmi i bën kërkesën imediate uzurpuesit që të dalë nga shtëpia duke qenë se nuk është pronar legjitim. Tani logjikisht uzurpuesi duhet të dilte nga shtëpia, policia duhet ta merrte atë në rajon dhe ta nxirrte me ceremoni. Por, alas, ne jetojmë në republikën e absurdit dhe policia që nga viti 1998 i është hequr e drejta e urdhërit ekzekutiv. Policia nuk mund të jetë ekzekutiv, në vendin tonë policia ndërtimore mund të marrë një vendim për të të shembur shtëpinë ndërsa policia e shtetit nuk ka të drejtë të marrë vendimin për të mbrojtur shtëpinë. Shkurt, policisë i është hequr e drejta të lexojë.

Në këtë çast kur policia po i shpjegon uzurpuesit që duhet të largohet, ky i fundit nxjerr nga xhepi një zarf dhe ia hedh policit në surrat. Letra ishte e kryeministrit dora vetë i cili, sipas uzurpuesit, kërkonte që ky i fundit të kthehej në shtëpinë që gjykata ia kish rikthyer pronarit. Në një shtet ligjor polici do e kishte shpërfillur diç të tillë, por ligji dhe porta e ligjit nuk është për fshatarët dhe polici është vetëm një nga rojet e portës së ligjit.

Në ato çaste polici të kthehet dhe të thotë që duhet zgjidhur me prokurori. Ti shkon, bën denoncimin në prokurori dhe aty takon rojën e dytë të portës së ligjit. Atje roja të thotë qartazi që ti ke gjithë të drejtën e Zotit, që prona të është uzurpuar por që për dreq ai nuk të ndihmon dot. Hap sytë dhe pyet veten po çfarë dreqin po ndodh? Unë kam të drejtë, jam shumë në rregull, denoncoj në prokurori për dhunimin e pronës dhe prokurori më thotë që nuk të ndihmoj dot?!

Ja, ky është morali i republikës së kafkës, ky është absurdi që ne e përjetojmë në çdo sekondë të jetës sonë. Absurd që shtrihet edhe në jetët e njerëzve, ku të pambrojtur kanë për borxh të qëndrojnë në burg me prova tërësisht të tërthorta për vite me radhë, duke parë njësoj si Jozef K. kamën që i vërtitet nga njëra dorë në tjetrën. Ndërkohë që kriminelët par excellence nuk burgosen as kur provat ia bëjnë mú.

Kështu ne jemi personazhet më të pavetëdijshëm të një romani absurd. Jemi nënshtetasit e Republikës së Kafkës.

You may also like...