Rilindja ka filluar të bëhet me krahë

Xhabyni

Na kujtohet, besoj, të gjithëve ironia e kryeministrit Rama i cili i drejtohej opozitës së sotme e cila ishte “bërë me krahë” duke aluduar kështu lidhjet mes Red Bull-it dhe shpërndarësit të tij me ish ministrin Bode. E gjithë ironia e z. Rama vinte për shkak të miqësisë së ish ministrit Bode me Gim Zeqon, shpwrndarësin e pijeve energjike Red Bull.

Një vit më pas, z. Rama, në projektligjin për buxhetin e vitit 2015 ka paraqitur kërkesën e qeverisë për heqjen e akcizës për këto produkte. Arsyet, sipas qeverisë, qëndrojnë në pamundësinë që dogana dhe tatimet kanë pasur në mbledhjen e këtyre të ardhurave. Një tjetër arsye, që po sipas qeverisë, ishte ajo e “të paturit një efekt negativ tek operatorët ekonomikë dhe në de klasifikimin e produkteve energjike”.red_bull2

Një tjetër argument mbresëlënës është se Drejtoria e Tatimeve e ka të pamundur që të analizojë nëse një pije është apo jo energjike, e pikërisht kjo arsye është ndër më të fortat që qeveria të marrë një vendim të tillë për heqjen e akcizave për pijet energjike.

Ky lloj argumentimi që qeveria shfaq për heqjen e një akcize duket fëmijnor dhe jashtë realitetit në të cilin jetojmë. Nuk besoj se është jashtëzakonisht e vështirë për të njohur dhe skeduara pijet energjike në një vend të vogël si Shqipëria. Akoma më qesharake duket argumentimi që qeveria e ka patur të pamundur që të mbledhë këto akciza dhe se kjo ka sjellë si pasojë heqjen e akcizave, sipas kësaj logjike nëse nesër qeveria do të dështojë edhe në mbledhjen e akcizës së naftës atëherë ajo duhet ta heqë atë.

Me sa duket, qeveria rilindase ka filluar t’i vendosë krahë dhe turbina trupit të saj ministror duke vazhduar në këtë mënyrë historikun e marrëdhënieve të mira me ato që deri dje i akuzonte si të preferuarit e pushtetit. Natyrisht, jo gjithçka është identike si dje, mbreti i ri ka adete të reja të cilat me shumë mundësi do t’i mësojmë me kalimin e muajve dhe viteve.

Me shumë mundësi, trakti i ri qeveritar që ofrohet si një bukë të cilët konsumatorët duhet ta përtypin është një kontratë e re që kjo qeveri ka për bizneset që këto të fundit të mbushin vendet bosh për rreth tavolinës. Nëse ju kujtohet në fillimet e muajit dhjetor të vitit të shkuar, Gjergj Erebara shkruante për një taksim të bananes së përmbysur, ka ardhur koha që ky sistem taksimi të arrijë perfeksionin e përfolur në shkrim.

You may also like...