Rrënimi i historisë

Shkrimi i mëposhtëm vjen si pasojë e ngacmimeve të vazhdueshme të marra gjatë dy muajve të fundit. Padyshim, ngacmimi ka qenë shumë më i hershëm, por ngjarjet e fundit nacional-futbollistike të përziera me abuzimet dhe propagandën e shëmtuar qeveritare i dhanë një tjetër hov trajtimit të temës.Te harrosh te shkuaren

Shqiptarët e Shqipërisë karakterizohen gjithmonë e më shumë nga mungesa e një kujtese kolektive e cila si pasojë ka sjellë mungesën e një ndërgjegjësimi mbi atë që kanë përjetuar. Si pasojë, kjo mungesë e jona riprodhon indiferencën dhe përjetëson injorancën në çdo ndërrim brezash. Adhurimi që hedhim sot në aktin tonë të votimit dhe vlerësimit për atë atë që dje na ka shtypur është më së shumti i lidhur me problemin që shoqëria jonë ka në raport me të shkuarën.

Një shoqëri e cila  harron shkuarën e saj totalitare, jo vetëm që është shumë larg të dënuarit të saj, por mbi të gjitha nuk është në gjendje të kuptojë thelbësisht dallimin mes asaj çka qenë dhe asaj çfarë është.u2_fant1

Të dielën që shkoi pata rastin të takoj një grup të rinjsh shumë të entuziazmuar me “Ditën pa makina” të shpallur nga kryetari i Tiranës. I ndodhur mes tyre i pyeta se çfarë mendonin për mënyrën se si ai ishte sjellë me romët që ndodheshin tek Liqeni. Përgjigja që mora ishte se “ka vepruar shumë mirë përderisa ata nuk dinë të jetojnë në shtëpi si gjithë ne por duan të jetojnë rrugëve… liqeni duhet të pyllëzohet”.

I habitur nga kjo përgjigje komsomolase, e duke më kaluar në mendje shumë argumente që e bënin qesharake këtë justifikim vendosa vetëm t’u them se sjellja e kryebashkiakut qe në kundërshtim me të drejtat e njeriut.

Mos reflektimi ndaj fatkeqësisë që ndërtuam në kohën e Enver Hoxhës është një ndëshkim që ne japim vetes, po aq sa mosreflektimi ndaj zbraztësisë që sot ndërtojmë me duart e Erion Velisë. Është një fatkeqësi e vogël shqiptare, por e madhe për shqiptarët, harresa që ne sot ndërtojmë “me forcat tona”. Në fakt, kështu siç po shkojnë punët “Dita pa makina” nuk do të vonojë të shndërrohet në “Ditën pa kujtesë” në çdo përvjetor të saj.

Disa javë më parë një shkrim i antropologut Vincent Van-Gerven Oei sillte në vëmendje mënyrën se qeveria shqiptare kishte vendosur që atë pak gjë që ka mbetur nga Spaçi ta japë si koncension miniere duke groposur kështu vite të tëra vuajtje dhe kujtese. Pakkush nga shoqëria shqiptare  e ndjeu këtë tragjedi që po ndodhte, askush nuk u fokusua edhe për faktin se gjatë këtyre 25 vjetëve ne kemi kaluar trazira të tjera që janë më të mëdha pikërisht nga fakti që ne ndërtojmë tragjeditë tona pa reflektuar mbi kalbësirën e madhe mbi të cilën mbështeten ato.

Foto e marre nga Facebook (Bar Komiteti fan page)

Foto e marre nga Facebook (Bar Komiteti fan page)

Kur dy vjet më parë Fatos Lubonja reagoi, me shumë të drejtë, ndaj glorifikimit grotesk që iu bë Vaçe Zelës shumë pak prej nesh i kuptuam arsyet e tij, madje e akuzuam për protagonizëm dhe xhelozi ndaj një artisteje të madhe. Kjo shumicë që nuk e kuptonte arsyen e vërtetë të atij dëshpërimi, kjo shumicë nuk e ka përjetuar dhe as nuk e ka reflektuar vuajtjen e atyre mijërave shqiptarëve që në kampe internimi e kampe përqendrimi të ndërtuar nga komunistët e devotshëm që nuk kanë qenë vetëm se baballarët e disa shqiptarëve të tjerë sot.

Reagimi dhe të moskuptuarit e asaj çfarë Lubonja kishte thelbësore në shkrimin e tij; pra mënyrës se si totalitarizmi përdori dhuntinë natyrore të Vaçes për të prodhuar këngë artificiale dhe muzikë jo të vërtetë si e si për të mbushur popullin me bukë dhe cirk. Kjo i ngjasonte edhe vetë komercializimit politik të vdekjes së saj nga ana e qeverisë përmes asaj ceremonie shtetërore. Largësia që shumica e shoqërisë kishte nga dhimbja që këngët socrealiste të Vaçe Zelës sillnin në kujtesën e ish-të burgosurve, përbënte një shprehje të përkryer të menefregizmit, që në disa raste është edhe i pavetëdijshëm. Por kjo indiferencë ndaj vuajtjes së së shkuarës totalitare, lidhet me një të vërtetë të madhe.

Sot jetojmë të humbur në inercinë totalitare të komunizmit. Vazhdojmë të jemi të lidhur fort nostalgjinë ndaj tij (a mund të kemi nostalgji për atë kohë?). Përsëri vazhdojmë të mos kuptojmë me sukses që hareja jonë për kohërat e lumtura të nostalgjisë së një kohe të harresës kolektive lëndon vuajtjen e tjetrit – e atij tjetrit që kujton? Lumturisht arritëm të mos kuptojmë që hareja e ditëve kur këndonim valset e lumturisë, ndodhte ndërsa disa të tjerë jetonin ditë terrori duke qenë të vetëdijshëm se u duhej të pëlqenin dhe atë që nuk u pëlqente. Në thelb, duke harruar të shkuarën, ne shndërrohemi sërish në banalitetin e përditshmërisë tonë. Dhe pastaj ankohemi se nuk kuptojmë përse gjërat po shkojnë kaq keq.

E pra, një shoqëri e cila nuk reflekton dhe nuk është ndërgjegjësuar për krimet e së shkuarës nuk mundet të dënojë efektivisht krimet e të sotmes. Shoqëria dhe kritika jonë mbetet e korruptuar, e zënë në ngërçin e e 50 vjet suksesesh të historiografisë komuniste, të cilat vazhdojnë të përkthehen në “fitore si të Lulit” të së djathtës shqiptare në zgjedhjet e fundit kombëtare dhe lokale. Vazhdojmë të mbetemi në ngërçin politik të një pozite dhe opozite që janë kopje mediokre të Partisë së Punës, parti që riprodhojnë pafundësisht të njëjtin rezultat mediokër: deformimin, mohimin, pastaj humbjen e kujtesës.

Tragjeditë e sotme të këtij vendi nuk janë të shkëputura as në kohë dhe as në linjë psikologjike nga e djeshmja totalitare. Derisa kjo shoqëri të reflektojë dhe të gjykojë mbi atë çfarë ka kryer dje, ajo nuk do të mundet kurrë të pranojë vlera të cilat sot i duken të huaja.

Walter Benjamin dikur shkruante: “Kujtesa nuk është një instrument për të hetuar të shkuarën. Kujtesa është fushëbeteja e saj.”

Prej vitesh shqiptarët ngurrojnë të shfaqen në këtë fushëbetejë. Për shumë prej nesh, veçanërisht për të rinjtë, kjo betejë është humbur ende pa filluar.

You may also like...