Sa shpejt që e humbën durimin

Rilindësit, përkrah të cilëve protestonim dikur për Gërdecin, 21 janarin e padrejtësi të tjera e të shumta të qeverisë së kaluar, iu drejtuan dhunës me shumicë së fundmi, pa i mbushur as tre vjet në qeverisje. Problemi është më i rëndë se kaq, nëse shohim se dhuna e Rilindësve na shfaqet si metodë e rëndomtë pune, për arsye, në thelb banale.

BashkiaDiaryofTirana

Dhuna e ushtruar nga policia bashkiake dhe policia e shtetit kundër një grupi protestuesish të dielën më 6 mars në Tiranë, shënon një stad të ri të përballjes së qytetarëve me Rilindjen. Pikërisht me ata rilindës, krahas të cilëve, shumë nga aktivistët e dhunuar të dielën, patën protestuar në një numër rastesh kundër atyre që njihen si paudhësitë e Berishës.

Dhuna e së dielës, përgjegjës për të cilën janë Erion Veliaj dhe Sajmir Tahiri, vështirë se mund të shihet si një fenomen i izoluar. Ajo qe pjesa e dukshme ashiqare e asaj që Rilindja po na e shfaq si model pune. Dhunë ndaj të varfrit dhe të pafuqishmit nën presupozimin e “ndërtimit të shtetit”, dhunë ndaj romëve, (shih rastin te Liqeni), dhunë ndaj shitësve të varfër të rrugës, dhunë ndaj biznesit të vogël, dhunë ndaj katundarëve me papaq pa dokumente dhe së fundmi, dhunë ndaj aktivistëve.

Problemi nuk qëndron aq shumë te dhuna në vetvete. Gërricjet mes policisë dhe protestuesve janë gjëra që ndodhin rëndom. Problemi kryesor qëndron te banaliteti i së keqes, te arsyeja banale për të cilën, autoriteti, në rastin konkret dy të rinj politikanë, vendosin ta përdorin dhunën.

Në fund fare, bëhet fjalë për një park, një projekt, i cili, për nga rëndësia që mbart, është një gjë krejt e vogël. Në një qytet me gjysmë milioni banorë, me qindra kilometra rrugë e me disa dhjetëra fshatra, ndërtimi i një këndi lojërash vështirë se mbart rëndësinë e nevojshme sa për të justifikuar çfarëdolloj akti dhune.

Megjithatë, fakti është që, megjithëse një projekt i vogël dhe pa kurrfarë rëndësie praktike, këndi i lojërave të fëmijëve të kryebashkiakut Veliaj po bëhet çështje hunde. Mbështetësit e Veliajt, si Pandeli Majko, i kanë bërë atij thirrje publike që “të mos tërhiqet”. Veliaj vetë, argumenton se tërheqja nga ndërtimi te parku rrezikon të shkatërrojë “të gjithë transformimin e Tiranës”.

Ky është problemi kryesor. Një projekt me rëndësi të vogël në morinë e punëve të Bashkisë së Tiranës, kthehet si një çështje për jetë a vdekje, si një çështje që mund të simbolizojë suksesin apo dështimin e një kryetari bashkie.

Ky është një problem modeli. Sipas Majkos, Veliajt e të tjerëve, tërheqja është dobësi. Dhuna të bën të fortë. Këmbëngulja, për çdo lloj rasti, pavarësisht rëndësisë së çështjes në diskutim, është një domosdoshmëri për politikanin, ndryshe ai mund të etiketohet si “i dobët”. Sipas kësaj logjike, ka pak rëndësi nëse një pushtetar po bën mirë apo keq, e ka të drejtë apo të padrejtë, e rëndësishme është që ai të mos lëshojë asnjë centimetër, përndryshe rezulton “i dobët”.

Ana tjetër e problemit, përpos dhunës, është përpjekja qesharake për të justifikuar dhunën e policisë ndaj aktivistëve si një veprim për mbrojtje. Sipas Veliajt, ai nuk kishte dërguar dhjetëra policë në park për të ndaluar aktivistët të bënin protestën e tyre, por aktivistët kishin gjurmuar policët bashkiakë që të bënin sherr.

Dhuna fizike ndaj aktivistëve qe vetëm një pjesë e vockël e dhunës. Pjesa më e madhe qe dhunë verbale. Një mori politikanësh dhe mediash partizane, shënjestruan aktivistët me të gjithë artilerinë e rëndë të propagandës, a thua se ata janë 1 milionë armiq që rrezikojnë të shkatërrojnë vendin dhe jo dy dyzina të rinjsh e të rejash që kanë dalë në një protestë.

Etiketimet e pavend të përdorura nga Veliaj dhe mbështetësit e tij mediatik ndaj atij grupi aktivishtësh, janë disproporcionale, për të thënë më të paktën. Shënjestrimi i aktivistëve, fillimisht si agjentë të opozitës, më pas si komunistë revolucionarë fanatikë të dhunshëm, më pas si vandalë, si showman etj., tregon gjithashtu mungesën e sensit të masës nga Rilindësit që pretendojnë se do të bëjnë shtet.

Në fund, një çështje, në thelb, e vogël, si ajo nëse duhet të ndërtohet apo jo një kënd lojërash në parkun e madh të Tiranës, rrezikon të kthehet në simbol të Rilindjes. Një simbol të cilin, Rilindësit, duke mos njohur sensin e masës, ka gjasa do ta paguajnë shtrenjtë. Në gati tre vjet qeverisje, nuk kanë bërë ndonjë gjë më të mirë se sa fasada, reklama dhe sharje për qeverinë e kaluar. Asnjë kilometër rrugë, asnjë kanal, vetëm investime në imazh. Dhe në përballjen e parë me qytetarët, të cilët ngritën pikëpyetje serioze mbi ligjshmërinë e këtyre punërave të imazhit, çfarë bënë? Përdorën dhunën!

You may also like...