Secili për vete, edhe qeveria kësaj radhe

Xhabyni

Fakti që qeveria u tregua e shkujdesur në informacionin që i dha qytetarëve mbi projektbuxhetin e vitit 2014, nuk përbën një pakujdesi të saj në shpërndarjen e informacionit. Kushdo që mund të mendojë këtë është i lutur që të hulumtojë në gazetarinë shqiptare në këto dhjetë vitet e fundit, më së paku, për të kuptuar që përherë gazetarët e kanë gjetur një vrimë të vogël për të nxjerrë një informacion. Po përse atëherë qeveria duhet të ishte kaq e fshehtë, sa të mblidhej një ditë të shtune të miratonte projektbuxhetin më pas të nxirrte Ministrin e Punëve Sociale dhe Rinisë për të folur për tjetër gjë?

Për të kuptuar më mirë këtë veprim duhet të kemi parasysh se gjatë këtyre javëve dita ditës nëpër emaile apo nëpër kafene qarkulloheshin materiale që thuhej se vinin nga brenda mureve ku po kryhej e famshmja terapi për të sjellë vendin në vete. Madje një nga mediat pranë qeverisë i quajti këto mbledhje si një përpjekje e qeverisë Rama për të bindur FMN. Po përse duhet të bindnim neve FMN? A mos vallë një milion shqiptar, siç ka qejf t’i perifrazojë Rama, votuan FMN-në? Natyrisht që një nxehje e tillë e atmosferës ishte thjesht një paralojë për të paraqitur taksën e shpëtimtarit që do të shpëtonte vendin dhe kuvendin tonë. Por taksa po vononte, jashtëzakonisht shumë madje, qeveria nga ana tjetër po bënte të njëjtën praktikë që bëri me armët kimike. Nuk bëzajti hiç edhe pse ti mund t’i recitoje vargjet e famshme të Migjenit ajo sërishmi nuk do bzante.

Pasi hodhi dhe ri hodhi në treg të njëjtin material herë duke i ndryshuar ngjyrën e herë duke i ndryshuar formën qeveria në një ditë të shtunë vendosi të firmosë këtë projekt buxhet. Të dielën u njoftua që buxheti kish dalë nga furra dhe tani po sherbetosej kush dëshironte të merrte racionin e tij ishte i lutur të shkonte pranë kuvendit përndryshe duhet të priste derisa këshilli i ministrave të update-ohej me këtë vendim. Por çfarë rëndësie ka nëse qytetarët e këtij vendi nuk janë informuar mbi këtë buxhet kur dihet që ato do hanë me lugë floriri?

Në tavolinë tani kemi buxhetin e ri i cili është shoqëruar dhe me një paketë fiskale aq shumë të debatueshëm, në hava, e tanimë të prekshme në ndryshimet e saj. Qeveria tenton të propagandojë se në të shihet një taksim i drejtë dhe i barabartë, se qeveria realisht ka menduar për popullin por edhe për veten. Se taksimi i ashpër do të jetë për ato pasanikët, uzurpuesit e pasurive të këtij vendi, zotëruesit e shpirtit të këtij populli martir e kështu me radhë. Ndërkohë që po t’i hedhim një sy paketës së re fiskale do të shohim çudira të mëdha.

Së pari në propagandën e një drejtësie sociale përmes taksës progresive, e cila propagandohet si leva e Arkimedit, kur ndërkohë kjo taksë prek drejtë për drejtë të gjithë ata individë të administrativë shtetërore ose private që kanë deklaruar pagën e tyre. Nga njëra anë qeveria dëshiron të kursejë shpenzimet e saj për administratën (të cilën do ta rrisë me rreth 1200 punonjës të rinj) sepse është shumë e dukshme që administrata është ajo që do të mbajë një peshë shumë të rëndësishme në tatimin mbi të ardhurat personale. Por kësaj pjese të popullsisë, pra asaj që paguhet nga 30.000 lekë e sipër, qeveria do t’i marrë 13% mbi vlerën e shtuar. Nëse kjo përqindje do të vendosej në peshore, le të themi me përqindjen e dividividentit që do të fitojë një aksioner në një korporatë, atëherë mbajtësit e aksionit do të tatohen vetëm 10% mbi shumën e fituar. Kështu që drejtësia horizontale që ka proklamuar në demagogji therëse dhe me vargje të Migjenit do të shndërrohet në një drejtësi skiç e mbushur me kiçe që dalin në çdo kthesë të rrugës së mundimshme për një vend më dinjitoz.

Së dyti, përflitet për zhdukjen e tatimit të BV (Biznesit të vogël) ndërkohë që qeveria i fal këtë tatim këtij biznesi, dyfishon tatimin mbi banesat që shndërrohen në biznese. Është e pritshme që bizneset do t’i dalin kundër por ama me krenarinë dhe fodullëkun e vet ajo ka pranuar që të ecë në këtë rrugë edhe pse e gjitha kjo do të sjellë në fshehje të ardhurave nga bizneset. Sepse një i tillë do të ishte më i gatshëm të korruptonte dhe të fshihte të ardhurat se sa të deklaronte ato për t’u tatuar nga qeveria kinse më pak. E si mund të qe ndryshe kur biznesin në pamje të parë ia heq taksën por nga krahu tjetër i dyfishon taksën e ambientit që po përdor si biznes (20.000 lekë).

 

Së treti, ndërhyrjet që janë kryer në taksën e qarkullimit rrugor duket se do të sjellin pasoja në tregun e naftës dhe jo vetëm. Qeveria përpiqet që të mbulojë të gjithë këtë gjëmë duke predikuar ambientalizmin dhe dëshirën e saj për një Shqipëri më ekologjike. Të bën për të qeshur, fjala vjen, që ishte kjo qeveri e cila donte të importonte armët kimike të rrëgjimit të Asadit për t’i demontuar këtu duke i dhënë një “PO” parimore SHBA-së. Apo akoma më shumë të vjen të qeshësh me sarkazmin dhe cinizmin e mazhorancës e cila buxhetin e saj për rehabilitimin e këtyre zonave të nxehta po aq sa ai i qeverisë së shkuar.

Së katërti, ndërkohë që në studiot televizive ka plasur një diskutim plot patos mes dy kampeve politike qeveria akuzon se po lihet në harresë akti i saj për të larguar nga TVSH-ja barnat dhe shërbimet mjekësore. Në një lëvizje të tillë qeveria nuk ka bërë asgjë më shumë se sa ka marrë paratë e saj na njëri xhep dhe i ka vendosur në xhepin tjetër. Të gjithë këtë veprim të mundimshëm e ka kryer duke e justifikuar si një lehtësim për blerjen e ilaçeve nga ana e fshatit dhe të varfërve, ndërkohë që nuk ka asnjëlloj mekanizmi që të kontrollojë apo jo uljen e çmimeve të këtyre produkteve. Nuk ka, le të themi një varg masash për të ndërgjegjësuar një veprim të tillë.

Pasi morëm katër pika, që le t’i quajmë nevralgjike, le të jap një ide se si mund të funksionojë e gjitha kjo. Taksapaguesit e vendit, të ndarë në biznese apo konsumatorë, secili sipas hises së tij do t’u bie një barrë fiskale më e madhe përmes së cilës ato do të mbushin arkën e shtetit në vlerën 260 milionë leke, këto para do t’i kontrollojë dhe do t’i shpërndajë shteti, i cili bashkë me 960 milion lekë që do të marrë hua nga tregu i brendshëm do të kthehet në personin e vetëm që do të ketë monopolin e parasë në këtë vend.

Të gjitha këto masa jo vetëm që janë marrë për të mbushur arkën e shtetit, në mënyrë abuzuese dhe aspak të drejtë, por shpërndarja e tyre do t’u shkojë pikërisht atyre 3% që kinse do të tatohen më shumë. Me këto para qeveria Rama do të shpërblejë ato kompani të cilat deri dje i ka quajtur si brejtëset dhe gjakpirëset e mëmëdheut, pa bërë asnjë veprim për të proceduar apo vëzhguar koncesionet e tyre dhe detyrimet e tyre ndaj shtetit (a mos vallë janë të pakta kompanitë që i kanë borxh shtetit?). po kjo qeveri që përpiqet të na hedhë hi syve duke na kujtuar Saliun, ka harruar se ka pushtetin dhe mundësinë e votave për të kryer mrekulluria në këtë vend. Por, me sa duket, kryeministri edhe pse me 84 deputetë e ndjen veten me 71 të tillë përndryshe nuk ka kuptim një mefshtësi e tillë përpara një krimi shtetëror, pra e mashtrimit me fondet publike dhe fshehjes së tyre.

Në këto kushte, ku ekonomia është në një gjendje të vështirë frymëmarrje, asaj i jepet mundësia që të jetojë por jo përmes forcave të saj por vullnetit të qeverisë e cila nuk synon aspak atë grup target të shumë përfolur, të varfrit e këtij vendi, por synon bejlerët e një pushteti që pasi qenë të vdekur rilindën dhe tanimë duhet të ushqehen për t’u përgatitur në betejën e radhës. Ndërkohë që opozita, bashkëfajtore në këtë gjendje të ekonomisë së vendit, dëgjohet të thërrasë në emër të drejtësisë pa kërkuar ndjesë për atë që i solli ekonomisë së vendit. Kështu pra, Rama, ka vendosur t’i dalë për zot vetes së tij duke kënduar jo pak herë atë shprehjen “Secili (edhe shteti) për vete Zoti për të gjithë”.

You may also like...