Shkaqet Ballkanike të Luftës së Parë Botërore

_75828583_gavrilo-graffiti

Grafit i Gavrilo Princip ne Beograd sot. shkrimet perreth thone: Fantazmat tona do te bredhin neper pallatet e Vienes dhe do t’i shtrijne tmerrit padroneve te tyre.

Steven Steven W. Sowards

Njëzet e pesë leksione mbi Historinë Moderne të Ballkanit, Leksioni 15

Pak çështje në historinë moderne kanë marrë kaq shumë vëmendje në analizën e përcaktimit të përgjegjësisë për shpërthimin e Luftës së Parë Botërore më 1914. Debati filloi që gjatë luftës ndërsa palët u përpoqën t’ia hedhin fajin njëra-tjetrës dhe pastaj u bënë pjesë e çështjes së “fajit të luftës” pas vititn 1918. Çështja kaloi në revizionizëm në vitet 1920 dhe u rigjallërua gjatë viteve 1960 falë punës së Fritz Fischer.

Ky leksion merret gjithashtu me shkaqet e Luftës së Parë Botërore, por e bën këtë nga këndvështrimi i Ballkanit. Natyrisht tensionet mes Fuqive të Mëdha qenë të shumta më 1914, dhe këto tensione shkaktuan përhapjen e shpejtë të luftës pasi ajo filloi, por shumë kriza të mëparshme mes Fuqive të Mëdha qenë zgjidhur pa luftë. Por pse ky episod i veçantë, një krizë Ballkanike që nisi me një vrasje politike në Bosnjë rezultoi kaq i pamenaxhueshëm dhe i rrezikshëm?

Disa pyetje do të ndihmojnë për të përkufizuar hetimin tonë:

Cili qe qëllimi i vrasjes së Franz Ferdinandit në Sarajevë më 28 qershor 1914?

Cili qe përgjegjës për vrasjen, përveç vetë vrasësve?

A qe lufta e pashmangshme pas vrasjes apo politikëbërësit lejuan që kriza të dilte nga kontrolli?

Në fund, pse kjo krizë në Ballkan solli një luftë botërore më 1914 kur kriza të tjera nuk e kanë sjellë?

Përqendrimi te Ballkani

Nga një perspektivë ballkanike, është thelbësore të shohim aktorët dhe vendim-marrësit që qenë në punë gjatë konfliktit mes Austro-Hungarisë dhe Serbisë, dy shtetet e përfshira në krizën fillestare të Sarajevës. Një hap i tillë vë në dukje faktorë që janë disi ndryshe nga ato mes Fuqive të Mëdha në përgjithësi apo ato të ciluar në shpjegimet e përgjithshme për luftën.

Analizat e përgjithshme mbi krizën Europiane të vitit 1914 shpesh ia vënë fajin shtetarëve të Fuqive të Mëdha për dritëshkurtësinë e tyre, paaftësinë apo dështimin për të vepruar në mënyrë efikase dhe në kohë për të ruajtur paqen. Një temë e zakonshme është natyra pasive e politikës së Fuqive të Mëdha: udhëheqësit reagonin ndaj ngjarjeve në vend që të menaxhonin krizën në mënyrë proaktive. Me pak justifikime, studiuesit dalin në konkluzionin se udhëhehësit francezë nuk kishin shumë mundësi për të zgjedhur: Franca qe një objekt i sulmit gjerman. Anglia hyri në luftë për shkak se një sulm i suksesshëm gjerman mbi Francë dhe Belgjikë do ta kishte bërë Gjermaninë tepër të fuqishme. Si Gjermania ashtu edhe Rusia i mobilizuan ushtritë e tyre me nxitim, për shkak se secila kishte frikë nga disfata përballë armiqve të fuqishëm në rast se vonoheshin. Gjermania dhe Rusia angazhuan veten gjithashtu me nxitim në mbështetje të klientëve të vet në Ballkan –- Austro-Hungaria dhe Serbia respektivisht –- për shkak se Berlini dhe Shën Petersburgu kishin frikë se nëse nuk e bënin, kjo do t’i kushtonte atyre humbjen e besimit te aleatët e rëndësishëm dhe do t’i linte të izoluar. Ky interpretim i trajton çështjet e Ballkanit gjerësisht përmes ndikimit që këto çështje kishin në politikat në vende të tjera.

Një analizë me rrënë në një perspektivë ballkanike, në anën tjetër, mund të vlerësojë hapat proaktivë të ndërmarra në rajon nga fillimi i krizës. Për fat të keq, kur Austriakët, Hungarezët dhe Serbët morën vendimet e tyre të rëndësishëm në fillim të krizës, ata vazhdimisht shmangën kompromisin dhe rrezikuan luftën. Dy muaj kaluan mes vrasjes së Franz Ferdinandit, trashëgimtarit të fronit të Austro-Hungarisë nga një student shkolle të mesme serb i bosnjës më 28 qershor dhe luftës së përgjithshme në fund të gushtit. Me fjalë të tjera, kishte shumë kohë në dispozicion për të bërë llogaritë, për të patur kujdes dhe për të marrë vendimet e duhura. Por cili zgjodhi të rrezikojë luftën dhe pse?

Qëllimi i vetë vrasjes

Vetë vrasja nuk qe fare mister. Kishte dhjetëra dëshmitarë dhe vrasësit u arrestuan menjëherë: ne madje kemi edhe një fotografi të Gavrilo Princip kur shtrihet përtokë nga policia. Komplotuesit u rrëfyen me dëshirë: transkriptet e deklaratave të tyre në gjyq janë publikuar. Nuk qe gjithashtu fakti i vrasjes vendimtar në vetvete. Kjo qe një epokë vrasësish: Bashkëshortja e Franz Jozefit, Perandoresha Elizabeth, qe vrarë më 1898 në Zvicër nga një italian, por Austria nuk kërkoi luftë me Italinë apo Zvicrën. Qe rëndësia e këtij krimi për marrëdhëniet mes Austrisë dhe Serbisë që kishte rëndësi.

Faji për servët: vrasësit

Për të vlerësuar shkallën e fajit të Serbisë, ne duhet të shohim në tre vende: te vrasësit e rinj bosnjakë, mbështetësit e tyre në Serbi dhe te qeveria e Serbisë.

Në një makinë të hapur, Franz Ferdinandi, bashkëshortja e tij Sofi Dhe Guvernatori Potiorek kaluan shtatë vrasës ndërsa procesioni i tyre ecte nëpër Sarajevë. Një vështrim mbi pjesëmarrësit na thotë ne diçka mbi pakënaqësitë e nacionalistëve Sllavë të Jugut në Bosnjën e qeverisur nga Habsburgasit.

Komplotisti i parë përgjatë rrugës së paradës qe Mehmed Mehmedbasic, një karpentier 27 vjeçar, djali i një fisniku musliman boshnjak të varfëruar: ai kishte një bombë. Pasi planifikoi të vriste për hesap të vet guvernatorin Potiorek, Mehmedbasic u bashkua me komplotin më të madh. Kur makina kaloi pranë tij, ai nuk bëri asgjë: një xhandar qe shumë pranë tij dhe Mehmedbasic pati frikë se një përpjekje e dështuar do të prishte mundësitë për të tjerët. Ai qe i vetmi mes vrasësve që u arratis.

Tjetri në rradhë qe Vaso Cubrilovic, një student 17 vjeçar i armatosur me një revolver. Cubrilovic qe rekrutuar për komplotin gjatë një diskutimi politik: në Bosnjë më 1914, të panjohurit shpesh qëllonte që fillonin të planifikonin vrasje politike sëbashku, në rast se kishin interesa të përbashkëta radikale. Cubrilovic qe përjashtuar nga shkolla e mesme e Tuzlës pasi kishte refuzuar të këndonte himnin e Habsburgasve. Edhe Cubrilovic nuk veproi, me frikën se do të qëllonte dukeshën Sofi aksidentalisht. Sipas ligjit të Austrisë, nuk kishte dënim me vdekje për kriminelët nën moshë, kështu që Cubrilovic u dënua me 16 vjet burg. Më vonë në jetë ai u bë profesor historie.

Nedelko Cabrinovic qe i treti, një 20 vjeçar i papunë që kishte telashe me familjen e vet për shkak të politikës së ndiqte: ai mori pjesë në greva dhe lexonte libra anarkistë. Babai i tij kishte një kafe, kërkoi ndihmën e policisë vendore dhe rrahu familjen e tij. Nedeljko braktisi shkollën dhe iku nga një vend pune në një tjetër: çelsapunues apo punë të tilla. Më 1914 Cabrinovic punonte për kompaninë e shtypshkronjave të shtetit të Serbisë në Beograd. Ai qe mik i Gavrilo Princip, i cili e rekrutoi atje për vrasjen dhe ata udhëtuan bashkë për në Sarajevë. Cabrinovic hodhi një bombë, por  nuk arriti të shohë makinën në kohën e duhur për të marrë shënjestër: ai goditi makinën pas asaj të Trashëgimtarit dhe plagosi disa njerëz. Cabrinovic gëlltiti helm dhe u hodh në një kanal, por ai u shpëtua nga vetëvrasja dhe u arrestua. Vdiq në burg nga tuberkulozi më 1916.

Komplotuesit e katërt dhe të pestë po qëndronin bashkë. Njëri qe Cvetko Popovic, një 18 vjeçar nxënës që dukej sikur humbi guximin, ndërsa pretendoi se nuk e kishte parë makinën për shkak se kishte probleme me sytë. Popovic u dënua me 13 vjet burg dhe më vonë u bë drejtor shkolle

Pranë tij qe 24 vjeçari Danilo Ilic, kryeorganizatori i komplotit; ai nuk kishte armë. Ilic u rrit në Sarajevë nga nëna e tij një pastruese. Babai i tij kishte vdekur dhe Ilic punoi si shpërndarës gazetash, portier teatri, punëtor krahu, portier treni, gurëthyes dhe hamall ndërsa mbaronte shkollën; më vonë ai u bë mësues, punonjës banke dhe infermier gjatë Luftërave Ballkanike. Talenti i tij i vërtetë qe agjitacioni politik: ai kishte kontakte në Bosnjë, me Dorën e Zezë në Serbi dhe azilantët politikë në Zvicër. Ai siguroi armët dhe bombat e përdorura në komplot. Ilic u ekzekutua për këtë krim.

Dy konspiratorët e fundit nga të shtatët qenë më poshtë në rrugë. Trifko Grabez qe 19 vjeç boshnjak që shkonte në shkollë në Beograd ku u bë shok me Principin. Edhe ai nuk bëri asgjë: gjatë gjyqit ai tha se pati frikë se mos vriste gratë dhe fëmijët aty pranë dhe se pati frikë se një shok i pafajshëm pranë tij do të arrestohej pa të drejtë. Edhe ai vdiq në burg: Austriakët qenë të kursyer kur erdhi puna për t’u kujdesur për shëndetin e vrasësve pas dënimit të tyre.

Gavrilo Princip qe i fundit. Gjithashtu 19 vjeç, ai qe një nxënës që nuk kishte patur kurrë një punë. Familja e tij fshatate kishte një fermë të vockël prej 4 akrash (1.6 ha), mbetjet e një zadruge të shpërbërë në vitet 1880; për të fituar para, babai i tij bënte karrocierin e postës. Gavrilo qe shëndetëlig por inteligjent; në moshën 13 vjeçare ai shkoi në shkollën Tregtare me konvikt të Sarajevës. Ai shpejt i ktheu kurrizin tregtisë në favor të letërsisë, poezisë dhe politikës. Për rolin e tij në një demonstratë, ai u përjashtua dhe humbi bursën. Më 1912 ai shkoi në Beograd: nuk u regjistrua kurrë në një shkollë, por bubërroi në letërsi dhe politikë dhe në një farë mënyre hyrii në kontakt me Apis dhe me Dorën e Zezë. Gjatë Luftërave Ballkanike, ai doli vullnetar për ushtrinë e Serbisë por u refuzua për shkak se qe tepër i shkurtër dhe i dobët.

Në ditën e sulmit, Princip dëgjoi bombën e Cabrinovic që shpërtheu dhe supozoi se Arkiduka kishte vdekur. Në çastin kur mësoi se çfarë kishte ndodhur me të vërtetë, makinat kishin kaluar para tij. Për fat të keq, pak më vonë procesioni që po kthehej gaboi një kthesë dhe ndaloi te një cep pikërisht aty ku Princip po kalonte rastësisht. Princip qëlloi dy herë: një plumb vrau arkidukën, tjetri bashkëshorten e tij. Princip u arrestua pa patur kohë të gëlltisë kapsulën e helmit apo të qëllonte veten. Princip qe tepër i mitur sipas ligjit të Austrisë, kështu që ai nuk mund të ekzekutohej. Ai u dënua me 20 vjet burg dhe vdiq nga tuberkulozi më 1916.

Ne mund të bëjmë disa përgjithësime mbi komplotistët. Që të gjithë qenë boshnjakë nga lindja. Shumica qenë Serbë, ose dikush mund të thotë, Ortodoksë, por njëri qe musliman i Bosnjës: gjatë gjyqit, komplotistët nuk deklaruan identitet serb, kroat apo musliman, vetëm pakënaqësitë e tyre me Habsburgasit. Asnjë nga komplotistët nuk kishte më shumë se 27 vjeç; kështu që asnjëri prej tyre nuk qe mjaftueshëm në moshë për të patur kujtime nga regjimi Otoman. Zemërimi i tyre për kushtet në Bosnjë dukej se drejtohej thjeshtë ndaj autoriteteve të dukshme. Vrsësit nuk qenë mendimtarë politikë të përparuar: shumica qenë studentë në shkollë të mesme. Nga deklaratat e tyre në gjyq, vrasja dukej sikur qe një akt simbolik proteste. Natyrisht ata nuk prisnin që ky veprim të shkaktonte luftë mes Austrisë dhe Serbisë.

Një vështrim më i imtësishëm i viktimave mbështet gjithashtu këtë ide: në lojë qe një pushtet simbolik, jo real. Atentatet për vrasje nuk qenë të pazakonshme në Bosnjë. Disa komplotistë kishin menduar fillimisht të vrisnin Guvernatorin Potiorek dhe ndryshuan objektiv te çifti mbretëror vetëm në çastin e fundit. Franz Ferdinand kishte ndikim politik të vogël. Ai qe nipi i Perandorit Franz Jozef dhe u bë trashëgimtar kur djali i Franz Jozefit vrau veten më 1889 (motra e tij nuk mund ta merrte fronin).

Ky pozicion nënkupton më pak pushtet nga sa imagjinohet. Bashkëshortja e Franz Ferdinandit, Sofi Chotek Sophie Chotek, qe një fisnike nga Bohemia, por jo fisnike mjaftueshëm për të qenë mbretërore.

Ajo përbuzej nga shumë njerëz në oborrin perandorak dhe fëmijët e tyre nuk qenë në linjën e pasardhësve në fron (vëllai i Franz Ferdinandit Oto qe në rradhë). Franz Ferdinand kishte opinione të forta dhe gjuhë të mprehtë dhe shumë armiq politikë. Ai favorizonte “trializmin,” politikë që synonte t’i shtonte një komponent të tretë sllav Monarkisë Dualiste, pjesërisht për të reduktuar ndikimin e hungarezëve. Marrëdhëniet e tij me Budapestin qenë aq të këqija sa thashethemet i atribuonin atij përgjegjësinë për vrasjen e politikanëve Magjarë. Ka patur përpjekje për të argumentuar se politikanët serbë e vranë atë me synimin për të bllokuar planet e tij të reformës pro-sllave brenda perandorisë, por provat për një argument të tillë janë të dobëta.

Faji i Serbisë: Dora e Zezë

Vrasësit nuk vepruan vetëm. Kush qe i përzjerë nga Serbia dhe pse? Për të kuptuar veprimet e serbëve me saktësi, ne duhet të dallojmë Parinë Radikale të udhëhequr nga kryeministri Pasiç dhe rrjetit të radikalëve në ushtri dhe përreth Apis, njeriut që udhëhoqi vrasjet e çiftit mbretëror serb në vitin 1903.

Roli i Apisit më 1914 është çështje hamendësimesh pavarësisht se janë kryer shumë hetime. Planifikimi qe sekret dhe shumica e pjesëmarrësve vdiqën pa bërë deklarata të besueshme. Grupime studentore si Mlada Bosna qenë të afta për të organizuar komplote vrasjesh edhe vetë. Gjatë vitit 2013 shumë pjesëmarrës morën pjesë në diskutime mbi një plan për vrasjen e Gjeneralit Oskar Potiorek, guvernatorit të provincës apo madje edhe vetë Perandorin Franz Jozef.

Por sapo u identifikuan si vrasës të mundshëm, gjithsesi, studentët boshnjakë duket se janë drejtuar për të vrarë Franz Ferdinandin nga Dimitrijeviç – Apis, tashmë një kolonel në shërbimin sekret të Serbisë. Princip u kthye nga një udhëtim në Beograd herët në vitin 1914 me një plan për të vrarë Franz Ferdinandin, por ai kishte dhe kontaktet me Dora e Zezë, e cila më vonë furnizoi armët dhe bombat si dhe informacionin mbi vizitën e planifikuar për në qershor nga Trashëgimtari, gjëra që Princip nuk mund t’i dinte pa një rrjedhje informacioni nga shërbimi sekret i Serbisë. Më 1917, Apis mori meritat për planifikimin e vrasjes, por motivet e këtij veprimi mund të vihen në dyshim: në këtë kohë, ai qe në gjyq i akuzuar për tradhëti kundër mbretit të Serbisë dhe gabimisht besoi se roli i tij në komplot mund të sillte mëshirë. Në fakt, Partia Radikale dhe mbreti patën frikë nga Apis dhe e ekzekutuan atë.

Ata që besojnë se Apis qe përgjegjës drejtojnë gishtin nga “trializmi” si motiv i tij. Apis supozohet se e ka parë trashëgimtarin si njeriu i vetëm i aftë për rigjallërimin e Austro-Hungarisë. Nëse Franz Ferdinandi kishte riorganizuar Perandorinë Habsburgase me një bazë trialiste, duke kënaqur sllavët e jugut brenda Habsburgasve, shpresat e serbëve për t’u zgjeruar në Bosnjë dhe Kroaci do të qenë bllokuar. Në fillim të qershorit 1914, Apis thuhet se pati vendosur të jepte pistoletat dhe bombat për Principin dhe bashkëpunuëtorët e tij dhe organizoi kapërcimin e kufirit me Bosnjën nga studentët pa kaluar përmes pikave kufitare. Më vonë atë muaj, anëtarë të tjetë të këshillit qeverisës të Dorës së Zezë votuan për anulimin e planit, por në këtë pikë qe tepër vonë për të njoftuar vrasësit.

Faji i Serbisë: Pasiçi dhe shteti

Ndonëse Apis mundet ose mund të mos jetë fajtor për planifikimin e vrasjes, vetë vrasja nuk nënkuptonte domosdoshmërisht luftë. Nuk pati ndonjë shpërthim të parezistueshëm të zemërimit popullor pas vrasjes: Austro-Hungaria nuk mori hak në gjaknxehtësi e sipër, por priti për gati dy muaj. Kur shteti i Habsburgëve reagoi kundër Serbisë, reagimi qe në mënyrë të llogaritur, siç do ta shohim pak më poshtë. Por tashmë, të mjaftohemi me faktin se Austraikët vendosën të fajësojnë qeverinë e Pasiçit për krimin. Si mund të qe fajtor regjimi i Serbisë?

Nuk ka prova që të sugjerojnë se Pasiç planifikoi krimin. Nuk ka gjasa që oficerët e Dorës së Zezë po vepronin për llogari të qeverisë për shkak se ushtria dhe Partia Radikale qenë në fakt të angazhuar në një konkurrencë të hidhur për kontrollin e shtetit. Pas Luftërave Ballkanike, si figurat ushtarake ashtu edhe ato civile pretenduan të drejtën për të administruar tokat e sapoçliruara (e ashtuquajtura, Problemi i Prioritetit). Pas vitit 1903, Pasiç e dinte se klika e Apis mund të vriste për të hapur rrugën.

Përgjegjësia e Pasiç qëndron rreth raporteve se ai qe paralajmëruar për krimin e planifikuar dhe mori masa të papërshtatshme për të paralajmëruar autoritetet e Austrisë. Pavarësisht mohimeve të Pasiçit, ka një dëshmi thelbësore që dikush e informoi atë për komplotin dhe se Pasiçi urdhëroi ambasadorin e Serbisë në Vienë që t’i tregonte austriakëve se një atentat do të bëhet kundër jetës së trashëgimtarit gjatë vizitës së tij në Bosnjë.

Gjithsesi, kur ambasadori i Serbisë dorëzoi paralajmërimin, ai duket se ka qenë tepër i fshehtë. Në vend që të thoshte se ai dinte për një komplot, ai foli në termat e një atentati hipotetik për vrasje, dhe sugjeroi se një vizitë shtetërore nga Franz Ferdinandi në ditën e fushëbetejës së Kosovës (28 qershor) qe tepër provokuese. Diplomatët austriakë nuk arritën të lexojnë mes rreshtave të komentit të tij të mjegullt. Në kohën kur paralajmërimi mbërriti te Ministri i përbashkët i financave të Habsburgëve (njeriu përgjegjës për punët e bosnjës), çdo lloj ndjesie alarmi pati humbut dhe ai nuk bëri asgjë për të rritur sigurinë apo për të anuluar vizitën e planifikuar të trashëgimtarit. Pas vrasjeve, qeveria e Serbisë qe edhe më ngurruese të kompromentonte veten duke pranuar ndonjë dijeni paraprake dhe kjo solli mohimet e mëvona të Pasiçit.

Nëse ne jemi dakord që qeveria e Pasiçit nuk planifikoi vrasjet, çfarë mund të themi mbi përgjigjen e tyre ndaj krizës që pasoi? Lufta më 1914 nuk qe e pashmangshme: a u përpoqën serbët mjaftueshëm për ta shmangur atë?

Faji te Austro—Hungaria

Para se t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, ne duhet të shohim reagimin zyrtar të Austriakëve par vrasjes. Ky reagim kishte dy forma. E para, policia dhe gjykatat ndërmorrën një seri arrestimesh në shkallë të gjerë dhe hetimesh. Qindra njerëz u arrestuan dhe u morën në pyetje, në disa raste, me dhunë. Njëzet e pesë njerëz u vunë në gjyq dhe u dënuan, por vetëm disa prej tyre u ekzekutuan për shkak se shumë prej të akuzuarve qenë minorenë.

E dyta, ministria e Jashtme e Austrisë dhe këshilltarët më të afërt të Perandorit u menduan se çfarë mund të bënin në lidhje me rolin e Serbisë në komplot. Hetuesit mësuan me shpejtësi se armët e vrasjes erdhën nga burime serbe, por shërbimet e inteligjencës së Austrisë nuk arritën të dallonin mes roleve të administratës së Pasiç dhe grupimeve nacionaliste jozyrtare: në fakt ata ia hodhën fajin Narodna Odbrana për krimin, gjë që sugjeron se dinin gjë në lidhje me Dorën e Zezë.

Faji i luftës mbi Austrinë lidhet me përgjigjen e saj të llogaritur ndaj vrasjeve. Këshillimet e hershme qenë të ndara. Shefi i shtabit, gjenerali Franz Baron Konrad von Hoetzendorf dëshironte një përgjigje ushtarake që në fillim. Konrat pati argumentuar më herët se Monarkia qe e rrethuar nga armiq të cilët duhej të mposhteshin njëri pas tjetrit para se të kombinonin forcat. Me fjalë të tjera, ai kërkonte një luftë kundër serbëve dhe rusëve, të pasuar nga një konfrontim me Italinë. Leopold Count von Berchtold, ministri i jashtëm i Habsburgasve, në përgjithësi qe dakord me analizën e Kondrad. Berchtold nuk mori pozicion të fortë në krizë: ai u duk se u bind nga Konrad dhe hezitimi i tij lidhej thjeshtë me nevojën për të përgatitur opinionin publik për luftën.

Opozita e vetme reale ndaj konfrontimit dhe luftës erdhi nga kryeministri i Hungarisë Konti Stephan Tisza. Tisza qe personalisht kundërshtar i militarizmit dhe mori rrezikun e luftës më seriozisht se sa Konrad. Gjithashtu, si Magjar, Tisza kuptonte se fitorja e Habsburgasve do të qe një disfatë e brendshme për hungarezët: nëse Austria aneksonte Serbiinë, balanca delikate etnike në Monarkinë Dualiste do të humbiste. Nga njëra anë popullata sllave në Hungari mund të rritej, duke i lënë Magjarët si një minoritet në vendin e tyre, ose trializmi do të zëvendësonte sistemin dualist, sërish duke dobësuar ndikimin e Magjarëve.

Diskutimet e hershme të Austrisë përfshinin edhe një element tjetër të llogaritur që tregon interesin e tyre të kufizuar në paqe: duke peshuar të mirat e përgjigjes ushtarake, Viena fillimisht kërkoi reagimin e aleatit të vet gjerman. Ambasadori i Austrisë në Berlin zbuloi se gjermanët dhe në veçanti, Kaizeri Vilhelm (Ëilgelm), mbështeste luftën për të ndëshkuar Serbinë dhe ofroi mbështetje të plotë. Kjo qe tërësisht e kundërt me ngjarjet gjatë Luftës Ballkanike të vitit 1912, kur Berlini refuzoi të mbështeste Vienën për çfarëdolloj ndërhyrjeje. Njësoj si austriakët edhe gjermanët kishin frikë nga një luftë e ardhshme me Rusinë dhe parapëlqenin të luftonin sa më parë, para se armiqtë e tyre të bëheshin më të fuqishëm.

Kur Këshilli i Ministrave të Austrisë u takua sërish më 7 korrik, shumica mbështeti luftën. Për të kënaqur Tiszan, këshilli ra dakord të prezantonte kërkesa para Serbisë, në vend që të deklaronte luftë menjëherë. Me besimin se fitorja diplomatike më vete nuk do të mjaftonte për të shkatërruar Serbinë si kërcënim, kërkesat qëllimisht u shkruan me terma të tilla ekstreme sa për Serbinë të bëheshin të papranueshme. Refuzimi i Serbisë për t’u bindur pas kësaj do të bëhej justifikim për luftë. Brenda një jave, vetë Tisza pranoi këtë plan: rezerva e tij e vetme qe këmbëngulja që asnjë territor serb të mos aneksohej pas luftës.

Ultimatumi final me dhjetë pika kërkonte shtypjen e gazetave anti-Austriake dhe organizatave (përfshirë Narodna Obdrana), një spastrim të mësuesve dhe oficerëve anti-Austriakë dhe arrestimin e disa shkelësve të caktuar. Dy pika ndërhynin seriozisht mbi sovranitetin e Serbisë.

a)  Policia e Austrisë duhet të ndihmojë në shtypjen e subversivëve në territorin e Serbisë dhe;

b)  Gjykatat e Austrisë do të ndihmonin në përndjekjen e komplotuesve të akuzuar brenda Serbisë.

Dokumenti kishte një afat 48 orësh. Këshilli i finalizoi kërkesat më 19 korrik dhe i dërgoi ato në Beograd më 23. Partia e luftës në Vienë shpresonte se Serbët do të refuzonin dhe kjo do të shërbente si justifikim për luftë. Afati kohor prej 48 orësh është një provë tjetër se dokumenti nuk qe konceptuar si një propozim për bisedime por si një ultimatum.

Ne mund të themi tri gjëra se si procesi i vendimmarrjes së Austrisë i jep përgjegjësi [për luftën] këtij vendi:

E para, shumica e Këshillit të Ministrave supozuan që në fillim se lufta qe përgjigjja e përshtatshme. Vetëm Konti Tisza kundërshtoi atë dhe ai e bëri këtë gjerësisht për arsye të politikës së brendshme. Kundërshtimet e tij u kapërcyen nga premtimi për të mos aneksuar Serbinë. Negociatat me Serbinë qenë me të vërtetë false, për të krijuar një përshtypje të mirë: edhe ultimatumi 48 orësh tregon se kriza dhe jo kompromisi qe objektivi i synuar.

Një indicie e dytë e qëllimeve të Austrisë qe fakti që Viena i kërkoi Berlinit mbështetje në rast lufte. Pasi qeveria e Berlinit u përgjigj me të ashtuquajturën “çek i bardhë,” partia e luftës nuk pa më arsye për të kërkuar paqe.

E treta, kushtet e ultimatumit tregojnë se austriakët kishin marrë një vendim edhe pse ata po vepronin të bazuar në informacion të paplotë. Ultimatumi i lëshua shumë para gjyqit të vrasësve, pra para qartësimit të fakteve mbi krimin. Viena nuk dinte asgjë për Dorën e Zezë apo rolin e këtij grupimi, por kjo nuk i pengoi: vendimi për luftë u bazua në dobinë, jo drejtësinë apo faktet.

Përgjigjja e serbëve

Në këmbim, serbët nuk bënë maksimumin e tyre për të shmangur krizën. Kur Serbia fillimisht mori ultimatumin, Pasiç sugjeroi se mund t’i pranonte kushtet, me disa rezerva dhe kërkoi qartësime. Ndërsa koha kaloi, gjithsesi, u bë e qartë se Rusia do ta mbështeste serbinë pavarësisht se çfarë ndodhte. Pas kësaj, Pasiç hoqi dorë nga kërkimi i paqes. Megjithëse një përgjigje e gjatë u shkruajt dhe u dërgua, Serbia hodhi poshtë pikat kyçe mbi ndërhyrjen austriake në punën e brendshme të gjyqësorit dhe policisë së vendit. Pasiç e dinte se kjo gjë do të sillte luftë dhe ushtria e Serbisë filloi të mobilizohet para se përgjigjja të përfundohej. Megjithëse mobilizimi qe i kujdesshëm, ai nuk nënkuptonte një angazhim të fortë për paqe. Për shkak se përgjigjja e Serbisë nuk i pranoi të gjitha pikat, Austria prishi marrëdhëniet më 25 korrik.

Pozicionet e prera të marra si nga Austria ashtu edhe nga Serbia e çuan situatën në buzë të humnerës dhe nuk pati më mundësi për të bërë hapa pas. Brenda pak ditësh situata doli nga kontrolli. Sërish, argumentet specifike të ngritura nga secila palë kanë më pak rëndësi se sa gadishmëria e tyre e ndërsjelltë për të ndërmarrë rreziqe. Kjo politikë e lojës me zjarrin e bëri luftën më të mundshme se sa bisedimet.

Pse një luftë Ballkanike?

Kjo na sjell ne te pyetja e fundit: pse kriza e Ballkanit të e vitit 1914 solli Luftën e Parë Botërore, kur shumë kriza të tjera qenë zgjidhur pa një luftë të përgjithshme në Europë?

Në të vërtetë këtu ngrihen dy pyetje:

E para, pse kjo krizë solli luftë mes Austeiisë dhe Serbisë? Dhe, e dyta, pse ky konflikt shpejt përfshiu pjesën tjetër të Fuqive të Mëdha?

Nga ajo që kemi parë mbi marrjen e rreziqeve nga Austro-Hungarezët dhe Serbët, ne mund të themi diçka mbi atë se pse këto dy shtete shkuan në luftë më 1914.

E para, të dyja qeveritë besonin se prestigji i tyre dhe besueshmëria qenë në rrezik, jo vetëm në bashkësinë ndërkombëtare, por edhe në shtëpi.

Për Austriakët, një sulm personal mbi familjen mbretërore kërkonte një përgjigje të fortë, veçanërisht nëse vrasësit qenë serbë, të cilët kishin sfiduar Monarkinë Dualiste gjatë Luftës së Derrit, qenë etiketuar si tradhëtarë gjatë Gjyqit Fiedjung dhe së fundmi kishin shkatërruar perandorinë tjetër dinastike të Europës Jugore, (Osmanët). Dështimi për të vepruar në verën e vitit 1914 nënkuptonte trazira më të mëdha më vonë.

Për regjimin e Serbisë, kushtet poshtëruese të Austrisë do të kishin zhbërë të gjithë progresin e arritur që nga viti 1903 me fitoren e pavarësisë nga ndërhyrjet e brendshme Habsurgase. Lufta ekonomike e Derrit, aneksimi i Bosnjës nga Austria më 1908 dhe tashmë kërkesa për të dërguar polici brenda Serbisë, nënkuptonte një rigjallërim të kontrollit të Austrisë. Plus kësaj, Pasiç dhe ministrat e tij përballeshin me rrezik real nga ekstremistët e krahut të djathtë të cilët mund t’i vrisnin në rast se ata dorëzoheshin.

Në skenën ndërkombëtare, të dyja palët qenë një disfatë larg të qenit të margjinalizuar: Austro-Hungaria nuk kishte synim të zëvendësonte Perandorinë Osmane si “I sëmuri i Europës” dhe Serbia refuzonte të trajtohej si protektorat.

E dyta, më 1914 të dyja palët besonin se ata qenë në pozicion të fuqishëm për të fituar nëse lufta vinte. Austriakët kishin mbështetjen e Gjermanëve; Serbët kishin premtime nga Rusia. Asnjëra palë nuk mendoi për mundësinë që lufta të përhapej në të gjithë Europën.

E treta, asnjë palë realisht nuk besonte se mosmarrëveshjet mes tyre mund të zgjidheshin me bisedime. Vetëm një regjim mund të qeveriste Sllavët e Jugut në Bosnjë.

E katërta, të dyja palët u përqendruan te frutet e fitores dhe injoruan kostot e humbjeve. Ne sakaq i kemi diskutuar idetë mbi Serbinë e Madhe, të cilat u bënë objektivat e Beogradit për luftën: aneksimi i Bosnjës, Kroacisë, Vojvodinës e kështu me rradhë. Pavarësisht ppremtimeve për Tisza që lufta nuk do të sillte aneksimin e sllavëve të padëshirueshëm, nga viti 1916, qeveria e Vienës hartoi plane për aneksimin e Serbisë dhe Malin e Zi si dhe rajone kufitare të Rusisë dhe Italisë, ndërsa pati një plan ekonomik për ta bërë Shqipërinë dhe Rumaninë varësi ekonomike.

E pesta, kishte shumë pak frikë nga lufta. Pas luftës Greko-Turke të vitit 1897, luftimeve etnike në Maqedoni, dy Luftërave Ballkanike dhe luftës së Italisë me Turqinë më 1911, lufta në Ballkan nuk qe e pazakontë. Lufta qe bërë e zakonshme, një aspekt normal i marrëdhënieve të jashtme. Askush nuk parashikoi se çfarë do të thoshte Luftë Botërore.

Në total, shumë tepër udhëheqës në të dyja palët më 1914 qëllimisht vendosën të shkojnë të rrezikojnë krizën dhe luftën dhe luftimet filllestare mes Austrisë dhe Serbisë qenë rezultat i kësaj.

Në fund, pse qe kaq e rëndësishme lufta zonale mes Austrisë dhe Serbisë sa u rrit në një luftë Botërore? Këtu, ne mund të nxjerrim ndërhyrjet nga ato që dimë nga Çështja e Lindjes dhe politikës Ballkanase të mëhershme. Një element thelbësor i nacionalizmit të Greqisë, Serbisë dhe Bullgarisë gjithmonë ka qenë synimi për shkatërrimin e Perandorisë Osmane: arritja e bashkimit kombëtar nënkuptonte domosdoshmërisht arritjen e kolapsit Osman.

Të njejtat zgjedhje qenë edhe në raport me Austro-Hungarinë. Lëshime ndaj nacionalizmit Serb do t’i bënin problemet e Vienës gjithnjë e më të rënda dhe nuk do t’i zgjidhnin ato. Pas Sllavëve të Jugut mund të vitin rumunët, italianët, çekët dhe sllovakët, secili me kërkesat e tyre. Sapo Monarkia Habsburgase fillonte një rrugë të tillë, ajo në mënyrë të pashmangshme do të zhdukej si Fuqi e Madhe.

Kolapsi potencial i Austro-Hungarisë qe i rëndësishëm jo vetëm për qeverinë e Vienës, por edhe për aleatin e Austrisë, Gjermaninë, për fuqitë e tjera të mëdha dhe për balancën e sistemit të fuqive. Për shkak se përleshja me Serbinë më 1914 preku një çështje të këtyre përmasave, nuk është surprizë që të gjitha Fuqitë shpejt u përfshinë: të gjitha kishin interesa në lojë. Hapat specifik drejt Luftës Botërore dhe ndarja në dy palë, reflektoi konsideratat vendore që nga Polonia deri në Belgjikë: por rreziku i luftës botërore dhe jo thjeshtë luftës, hyri në ekuacion për shkak të çështjeve më të mëdha etnike që gjendeshin pas krizës së Sarajevës më 1914.

You may also like...