Shoqëri jocivile: politizimi i OJQ-ve të Maqedonisë

Grupet e shoqërisë civile promovojnë planet e qeverisë dhe sulmojnë kritikuesit e saj – duke vënë në dyshim pavarësinë e vet

Nga Meri Jordanovska

Shkup, Beograd dhe Pragë

Në një ditë vere të qershorit të kaluar, qindra protestues shpërthyen një kordon policor që rrethonte godinën e Komunës Qendër të Shkupit që duket si garnizon.

“Digju në ferr, Antikrisht!” thërrisnin ndërsa godisnin muret e thyenin dritaret nën shikimet e tmerruara të zyrtarëve që ishin brenda.

Protestuesit ishin mobilizuar nga një grup qytetarësh, që në shtyp iu referua si një organizatë jo-qeveritare, apo OJQ.

Zemërimi i tyre ishte drejtuar kah zyrtarët e partisë opozitare, që kish marrë kontrollin e qeverisë vendore në zgjedhjet e pranverës që sapo kish kaluar.

Protestuesit në komunën Qendër ishin tërbuar nga ideja e prishjes së një kishe në ndërtim e sipër.

Protestuesit në komunën Qendër ishin tërbuar nga ideja e prishjes së një kishe në ndërtim e sipër.

Sulmi mbi ndërtesë dukej se ishte interpretim i dhunshëm i funksioneve jetike të OJQ-së – paraqitja e kërkesave të popullit para autoriteteve.

Shoqëria civile maqedonase është bëre arenë e betejave politike të vendit, ku OJQ-të kanë  marrë rolin e aktorit kryesor.

Shumica nga këto organizata promovojnë ideologjinë e partisë kryesore në qeveri ndërkohë që sulmojnë rivalët dhe kritikët e partisë.

Në disa raste, zyrtarë të partisë kanë lidhje të ngushta me OJQ-të – duke ngritë dyshime për konflikte interesi në një sektor ku politizimi, megjithëse i pashmangshëm, ishte menduar të mbahej nën kontroll.

Partia udhëheqëse nga ana e vet i ka akuzuar OJQ-të e financuara nga qeveritë e huaja dhe fondacionet ndërkombëtare se shërbejnë si ushtarë t’opozitës.

Maqedonia nga viti 2006 është qeverisë prej një koalicioni drejtuar nga një parti e qendrës së djathtë e njohur me shkurtesën e saj VMRO-DPMNE. Partia ka kultivuar jashtë vendit një imazh si përkrahëse e biznesit, ndërkohë që në vend ka përdorë retorikën etno-nacionaliste.

Kritikët e saj e akuzojnë për prirje autoritariste, duke përmendë rënien e mediave të pavarura dhe sundimin gradual nga simpatizantët e partisë të tregtisë, kulturës dhe sektorit publik.

Sipas këtyre kritikëve, ai sundim është përhapë edhe në fushën e shoqërisë civile, ku OJQ-të dhe shoqatat jo-zyrtare po mbrojnë disa nga programet më kundërthënëse të qeverisë – si për shembull një rinovim i kushtueshëm i hapësirave publike të kryeqytetit dhe kufizimet për aksesin e grave në abortime.

“Pas kontaminimit të politikës, biznesit, institucioneve të shtetit dhe medias, tashti është radha e organizatave civile,” thotë Radmilla Sheqerinska, ish-drejtuese e partisë kryesore opozitare, apo SDSM.

Por Ilia Dimovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së, thotë se është hipokrite t’akuzohet qeveria për manipulimin e shoqërisë civile.

“Partitë e opozitës gjithmonë thonë se duhet t’i dëgjojmë kërkesat e qytetarëve,” thotë ai. “Por kur qytetarët protestojnë kundër tyre, përgjigjen me akuza të këtij lloji.”

OJQ-të janë lojtarë kyç në shoqërinë civile, një term i turbullt që është përgjithësuar si një arenë publike për debat dhe veprim që shtrihet jashtë fushave të shtetit dhe tregut.

Gjithashtu nuk ka përkufizim të përbotshëm se çka është një OJQ, megjithëse koncepti përdoret gjerësisht në zhvillimin ndërkombëtar, shpesh ndërkëmbyeshëm me “bamirësinë” dhe “organizatën jo-përfituese”. Megjithatë, shumica e përkufizimeve përputhen në disa veçori të përbashkëta.

Për shembull, Bashkimi Europian dhe Kombet e Bashkuara thonë që OJQ-të nuk duhet të bëjnë asgjë të paligjshme dhe nuk duhet të nxjerrin fitim. Mbi të gjitha, ato duhet të jenë të pavarura nga çfarëdolloj forme e qeverisjes – siç nënkuptohet nga vetë emërtimi.

Shum qeveri i financojnë OJQ-të, brenda dhe jashtë vendit. Në këto raste, zyrtarët politikë zakonisht përjashtohen nga antarësia në organizatë me qëllim të ruajtjes së statusit të saj jo-qeveritar.

Megjithatë, kufiri mes aktivizmit politik dhe atij qytetar shpesh shfaqet i turbullt në Maqedoni.

“Transport falas dhe sandviça”

Disa OJQ që përkrahin kauzat e qeverisë kanë lidhje të ngushta me partinë kryesore në pushtet.

Sulmi i verës së kaluar mbi ndërtesën e komunës pasoi thashethemet se kryetari i sapozgjedhur i Qendrës, Andrej Zernovski, kishte në plan të shembte një kishë pjesërisht të ndërtuar në kryeqytet. Ai i ka mohuar këto zëra në mënyrë të vazhdueshme.

Zernovski vjen prej një koalicioni opozitar ndaj VMRO-DPMNE-së. Shpejt pasi u zgjodh, ai shpalli hetimet për Shkupin 2014, një skemë me miliona Euro në lojë që i ka dhënë hapësirave publike të kryeqytetit një makiazh barok falso.

Kjo skemë është mes më të dukshmeve dhe më përçarëseve nga projektet e VMRO-DPMNE-së, që është kritikuar për kushtueshmërinë dhe pamjen kiç. Shumica e ndërtimeve është bërë brenda kufijve të zonës zgjedhore të  Zernovskit.

Aktivisti Nikola Naumoski beson se qeveria i ka inat OJQ-të e financuara nga jashtë.

Aktivisti Nikola Naumoski beson se qeveria i ka inat OJQ-të e financuara nga jashtë.

Mëtimet se kryekomunari po planifikonte të shembte kishën gjysëm të ndërtuar u bë nga Veritas, një shoqatë e panjohur më parë, e cila mobilizoi qindra mbështetës të vet, me sa duket brenda natës, për të protestuar jashtë zyrave të komunës.

Veritas nuk gjendet në regjistrin zyrtar të OJQ-ve. Zëdhënësja e saj, Suzana Minovska, dha intervista për shtypin në vendin e demonstrimit. Në bisedime të mëvonshme me BIRN-in, ajo e përshkroi Veritas-in si një “iniciativë qytetare” të mbajtur nga vullnetarët.

Ajo ngulmon që nuk kishte anë politike të protestave. “Ne bile nuk kishim as para. Vetëm një ide tek e cila besonim,” shprehet.

Prapseprap, animet politike duket se e kanë luajtë një farë roli. “Morëm një telefonatë nga zyrat e partisë në pushtet,” thotë Dragani, një 24-vjeçar i forumit rinor të VMRO-DPMNE-së.

“Na thanë se kur duhej të shkonim tek komuna. I pyetëm pse, dhe na thanë veç që të gjithë duhej të shkonin atje,” shprehet ai për BIRN-in me kusht që emri i vërtetë i tij të mos tregohej.

Dragani thotë se demonstrata ishte e organizuar mirë, protestuesve iu sigurua transport falas dhe iu dhanë sandviça.

Minovska thotë se nuk e di kush pagoi për sandviçat. As që ishte në dijeni se antarët e VMRO-DPMNE-së u thirrën në protestë. “Duhet të pyesni partinë për këtë, jo mua,” i tha ajo BIRN-it.

Në kohën e protestave, Minovska ishte e martuar me një zv/ministër, por thotë se ajo marrdhënie nuk kishte ndikim mbi aktivitetin e saj.

Veritas është një nga disa shoqatat e shoqërisë civile që përkrahin ideologjinë e qeverisë.

Në një intervistë dhënë një muaj pas sulmit mbi komunën, kryeministri maqedonas Nikola Gruevski u shfaq duke miratuar motivet pas protestës, megjithëse e kritikoi përdorimin e dhunës.

“Në rastin Veritas, kishte një arsye të qartë dhe serioze pas protestës, megjithëse thyerja e xhamave të dritareve nuk ishte lëvizja më e mirë që u bë,” i tha ai një transmetuesi lokal.

Debat i njëanshëm

Publiku zakonisht dëgjon së pari për këta grupe si Veritasi kur themeluesit e tyre citohen nga mediat, duke kundërshtuar kritikët e politikës qeveritare.

Një OJQ me emrin Akord doli në qendër të vëmendjes më 2010, pak pasi qeveria kishte publikuar hollësitë e rizhvillimit të Shkupit 2014.

Plani po merrte goditje të forta kritike nga arkitektët dhe konservativët, e po ashtu edhe nga opozita e SDSM-së. Akordi hyri në betejë duke e ftuar median në një debat që ajo premtoi se do t’ishte diskutim për Shkupin 2014 në një hotel luksoz të qytetit.

Megjithatë, gazetarët që morën pjesë zbuluan se debati ishte i njëanshëm. Panelistët dukeshin se ishin krejtësisht në favor të makiazhit të rremë barok, me besim se kjo do të bënte mrekulli për imazhin e qytetit.

Akordi është regjistruar në një adresë të Bulevardit Partizanski Odredi, rruga kryesore përmes Shkupit. Zyrat e OJQ-së janë edhe shtëpia e Violeta Samarxhiskës, e cila më 2010 ishte këshilltare në komunën e Qendrës, që atëherë qeverisej nga VMRO-DPMNE-ja.

Samarxhiska thotë se organizata e saj nuk është më aktive. Ajo hodhi gjithashtu poshtë çdo sugjerim për lidhje mes aktivizmit dhe përkatësisë së saj politike.

“Nuk shoh ndonjë lidhje mes OJQ-së sime dhe përfshirjes që kam në VMRO-DPMNE,” i thotë ajo BIRN-it. Ajo nuk deshi të komentonte se kush e kishte financuar organizatën e saj kur ishte ende aktive. Akordi nuk ka faqe interneti dhe BIRN-i s’mundi të gjente ndonjë dokument publik që të tregonte financuesit e saj.

E drejta për jetë

Revita, një OJQ e vogël nga qyteti jugperëndimor i Manastirit, doli në skenë më 2008, kur qeveria maqedonase nisi një fushatë për t’i zhbindur gratë nga abortimi.

Fushata, shoqëruar nga reklama grafike, pretendonte se lindja e fëmisë ishte një e drejtë hyjnore dhe ndërprerja e shtatzanisë ishte e barazvlefshme me vrasjen.

Ajo u kritikua nga një rang aktivistësh dhe shoqatash, që shkonin prej punonjësve të të drejtave të grave, sindikatat e shëndetësisë, dhe deri tek grupet e të drejtave të njeriut.

Fushatën e mbështeti e vetme Revita. Në një faqe interneti, ajo i bënte jehonë kriticizmit të qeverisë maqedonase ndaj grave që bënin abortime. “Duke vrarë fëmitë e tyre, ata shkatërrojnë vendin, familjen, kombin dhe t’ardhmen,” deklarohej aty.

Revita ka marrë fonde nga buxheti i qeverisë qendrore për sektorin civil, si dhe nga komuna, e cila kontrollohet nga VMRO-DPMNE-ja.

Themeluesja e saj, Blagica Pepovska, është edhe antare e partisë. Megjithatë, ajo shprehet se parapëlqimet e saj politike nuk e kanë ndihmuar organizatën, që ka marrë para edhe nga donatorë privatë.

“Nuk ka shumë avantazhe [të qenit anëtare partie],” i thotë ajo BIRN-it. “Ne e arritëm suksesin me punë të madhe.”

Këtë verë, qeveria miratoi një ligj që i kërkonte grave që donin abort të merrnin leje nga ministria e shëndetësisë.

Gjatë debatit për ligjin, Pepovska u thirr të jepte mendimin e saj në kuvend si një nga pak zërat në favor të rregullave të reja.

“Një grua ka të drejtën e zgjedhjes së partnerit të saj dhe të zgjedhë a të mbesë apo jo shtatzanë,” u shpreh ajo para kuvendit. “Por sapo të mbetet shtatzanë, ajo nuk ka asnjë të drejtë.”

Tolerimi i kritikave

Shum punonjës të OJQ-ve financuar nga të huajt thonë se qeveria ka ndërhyrje të drejtpërdrejtë në grupet e shoqërisë civile që përkrahin ideologjinë e saj.

“Nëse nuk e shohim kryeministrin Gruevski në lajme, atëherë shfaqen OJQ-të që përçojnë mesazhin e tij,” thotë Nikola Naumoski, aktivist nga Plostad Sloboda, OJQ që ka protestuar ndaj Shkupit 2014.

Organizata e tij është financuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur, një fond ndërkombëtar i themeluar nga investuesi George Soros me qendër në ShBA. Zyrtarët qeveritarë maqedonas shpesh e akuzojnë Sorosin për ndërhyrje në punët e brendshme të vendit.

Naumoski, nga ana tjetër, e akuzon qeverinë për ngacmimin e aktivistëve si puna e tij që marrin fonde nga jashtë. Ankesa e tij gjen jehonë në pjesën e financuar nga të huajt të sektorit të OJQ-ve.

Rinia çeke përmirëson aftësitë debatuese në Shoqatën për Çështjet Ndërkombëtare të Pragës .

Rinia çeke përmirëson aftësitë debatuese në Shoqatën për Çështjet Ndërkombëtare të Pragës .

Forumi Edukativ Rinor, OJQ që jep këshilla mbi sistemin arsimor, u sulmua në shtypin lokal kur deklaroi se një nga donatorët e tij ishte Sorosi.

“Gjithmonë përballemi me pengesa kur përpiqemi të bashkëpunojmë me qeverinë,” shprehet kreu i OJQ-së Marjan Zabërkanec, duke u ankuar që autoritetet i shpërfillin kërkimet e organizatës së tij dhe e akuzojnë se punon kundër shtetit.

Të gjitha OJQ-të në Maqedoni janë të detyruara me ligj të publikojnë bilancin se sa para kanë marrë, prej kujt dhe çka duan të bëjnë me to.

Gjithsesi, kjo transparencë nuk respektohet gjithkund. Shum nga organizatat e vogla financuar nga shteti nuk kanë faqe interneti dhe për këtë arsye nuk i botojnë veprimtaritë e veta.

As organet shtetërore që i financojnë – si ministritë, komunat apo ndonjë agjenci qendrore qeveritare – nuk japin kushediçfarë hollësish.

“Projekteve u botohen vetëm emrat,” thotë Malinka Ristova, presidente e Institutit të Politikave Europiane, një OJQ e financuar nga jashtë që promovon debatin lidhur me integrimin në Bashkimin Europian. “Nuk ka raporte mbi çka është bërë, kështu që nuk mund ta dimë se si i kanë harxhuar paratë.”

Shumë aktivistë maqedonas besojnë se çelësi për ta bërë shoqërinë civile më transparente është Bashkimi Europian, tek i cili vendi i tyre ka aplikuar për t’u antarësuar.

Ata kërkojnë një model vendi si Republika Çeke, e cila ka dalë edhe ajo nga komunizmi por ka në shoqëri civile më të shëndetshme – pjesërisht për shkak të reformave të kryera për t’iu bashkuar Europës.

Kontrasti është i thellë. Lusi Bilderova, nga Qendra Multikulturore, një OJQ e Pragës që punon me grupet pakicë, thotë se ministria e jashtme çeke shpesh financon organizata që kritikojnë vetë ministrinë.

Vit Dostal, nga Shoqata e Çështjeve Ndërkombëtare, një OJQ që trajnon studentët për debatet politike, thotë gjithashtu se organizata e tij është shpesh kritike ndaj donatorit të vet, qeverisë çeke.

“Qeveria e di se çka mund të presë prej nesh,” thotë ai. “Dhe nuk na diskriminojnë për këtë.”

Festivali i kryebashkiakut

Ndërsa OJQ-të e financuara nga të huajt shpesh kritikohen në shtypin pro-qeveritar, ato që i marrin fondet nga shteti kanë mbikqyrje më të zbehtë.

Në qytetin e Radovës në juglindje të Maqedonisë, interesat e mbivendosura të zyrtarëve lokalë qeveritarë dhe një OJQ-je duket se nuk kanë rënë fort në sy.

Për tre ditë çdo gusht, qyteti feston festivalin e Shën Spaso Radoviskit, shenjtit të vet.

Festimet fillojnë me shërbimet kishtare dhe kulminojnë me një koncert në sheshin kryesor, i cili po ashtu mban emrin e shenjtit.

Hyrja e Republikës Çeke në Bashkimin Europian e ka stabilizuar shoqërinë e saj civile. Disa maqedonas shpresojnë të ndodhë e njëjta gjë me vendin e tyre.

Hyrja e Republikës Çeke në Bashkimin Europian e ka stabilizuar shoqërinë e saj civile. Disa maqedonas shpresojnë të ndodhë e njëjta gjë me vendin e tyre.

Festivali është kryefjala e kalendarit të një qyteti me 20.000 banorë, ku shpresa më e madhe e punësimit vjen nga një fabrikë bakri aty afër dhe shumica e të rinjve ëndërrojnë emigrimin jashtë vendit.

Ylli i festivalit të këtij viti ishte këngëtari pop kroat dhe pretendenti për Eurovizionin e vitit 1994  Toni Cetinski. Në fund të shfaqjes në sheshin publik, prezantuesja doli në skenë dhe falenderoi organizuesit e festivalit.

“Dy njerëz e kanë fajin për këtë shfaqje,” bëri shaka ajo. “I pari është kryebashkiaku juaj, Sashko, dhe i dyti është drejtori i dhomës së kulturës dhe kryetar i këshillit bashkiak, Nikola Miovski.”

Turma bërtiti ndërsa thuheshin emrat. Prapseprap, ky shpërthim krenarie lokale është traditë pak e njohur. Shën Spaso Radoviski u shpall shenjt i qytetit më 2009 – rezultat i një vendimi të këshillit bashkiak.

Festivali u organizua nga një shoqatë që u formua vitin e ardhshëm dhe që gjithashtu ka emrin Shën Spaso Radoviski.

Sipas dokumentave bashkiakë, qyteti i Radovës harxhoi më shum se 32.000 euro për shoqatën mes vitit 2010 dhe korrikut 2013.

Sipas regjistrit themeltar, organizata u bashkëthemelua nga Sashko Nikolov, kryebashkiaku i përmendur si organizator i festivalit.

Miovski, kreu i këshillit të bashkisë që u falenderua gjithashtu publikisht për organizimin e veprimtarisë, renditet si një nga antarët kyç të OJQ-së.

Bashkia i cakton fondet për OJQ-të vendore duke kërkuar aplikime për një projekt. Aplikimet votohen nga këshilli bashkiak, dhe vendimi i tij miratohet dhe nënshkruhet nga kryebashkiaku.

Pra, kryebashkiaku dhe kreu i këshillit luajnë një rol të rëndësishëm në shpërndarjen e fondeve për një OJQ me të cilën janë të përfshirë thellë – konflikt i dukshëm interesi.

Për më shumë, kryebashkiaku e përdor festivalin – financuar me fonde publike përmes një OJQ-je të cilën ai ka ndihmuar të themelohet – për të lustruar profilin e tij politik. Faqja e tij e internetit e liston veprimtarinë e këtij viti si një nga arritjet më të mëdha nga 100 ditët e tij të para në detyrë.

Nikolovi i tha BIRN-it se kishte heqë dorë nga roli në shoqatë kur u zgjodh në postin e kryebashkiakut në pranverë. Megjithatë, në kohën e intervistës gjatë kësaj vere, regjistri themeltar – i cili përditësohet rregullisht – ende e rendiste si një nga antarët kyç të Shën Spaso Radovisit.

Nikolovi e pranoi se përfshirja e tij e gjasshme me shoqatën dhe me politikën vendore mund të kuptohej si konflikt interesi.

“Do të kontrolloj,” thotë ai. “Ndoshta ka ndonjë keqkuptim lidhur me ligjet.”

BIRN-i u përpoq të lidhej me Miovski-n për koment me celular por ai nuk u përgjigj. Vizita tek adresa ku është e regjistruar OJQ-ja rezultoi në një ndërtesë të mbyllur me kyç ku kishte qenë një restorant.

BIRN-i i kërkoi edhe organit anti-korrupsion të komentonte se a mund të ketë konflikt interesi kur zyrtarët qeveritarë ishin aktivë nëpër OJQ. Një zëdhënës i komisionit e konfirmoi se kërkesa ishte marrë por nuk u dha përgjigje.

Dimovski, zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, e pranoi se disa OJQ shërbejnë si mbulesë për interesa politike – por ai për këtë fajëson krejtësisht opozitën.

“Problemet dalin kur njerëzit përdorin OJQ-të si mbulesë për të promovuar axhendën e partisë,” u shpreh ai për BIRN-in. “Për shembull, ka aktivistë të shoqërisë civile që  flasin në tubimet e partisë opozitare.”

Megjithatë, Dimovski thotë se antarët e partive politike nuk mund të pengohen nga drejtimi i OJQ-ve të tyre.

“Ka njerëz që janë antarë të VMRO-DPMNE-së ose SDSM-së dhe kanë shoqatat e veta, dhe këtu s’ka asgjë të keqe,” përfundon ai.

Dejan Donev, profesor i etikës dhe ekspert mbi OJQ-të në Universitetin Cirili e Metodi në Shkup, thotë se shum organizata që veprojnë në shoqërinë civile në Maqedoni “kuazi-qeveritare”.

“Ne nuk e kemi formën bazike të organizatave jo-qeveritare, që duhet kuptuar si grupe jo-përfituese të shoqërisë civile që përfaqësojnë nevojat e qytetarëve,” thotë ai.

Shumica e maqedonasve duket se e pranojnë se shoqëria civile e vendit të tyre është thellësisht e politizuar. Në një vëzhgim të vitit të kaluar nga zyra vendore e Transparency International, organizatë botërore që promovon qeverisjen e mirë, 67.5 përqind e më se 1.000 t’anketuarve thanë se OJQ-të janë vetëm për t’i shërbyer interesave të partive politike.

Meri Jordanovska është gazetare nga Shkupi. Ky artikull u redaktua nga Neil Arun dhe u prodhua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Cilësore, nisëm e Robert Bosch Stiftung dhe ERSTE Foundation, në bashkëpunim me Rrjetin e Raportimit Investigativ Ballkanik.

You may also like...