Shpjegojini Erit demokracinë

Ditari

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj bën mirë të flasë dhe të flasë sa më shumë. Veçanërisht për koncepte të mëdha, si demokracia, partia, pjesëmarrja etj., se sa më shumë flet, aq më injorant tregohet.

veliaj4Rasti i fundit qe intervista e tij në Top Channel nga Londra ku tha:

“Nëse do të tërhiqesha do ishte në rrezik i gjithë transformimi i Tiranës, sepse do tregonte që jemi kthyer në kohën e komunizmit ku shijet arkitekturore u vendosën nga partia dhe jo ekspertët.

Ne kemi patur disa ekspertë, nga një kompani gjermane, e cila është nga më të mirat për arkitekturën. Arkitektët kanë menduar se ai është vendi ideal, duke qenë se ka hije dhe se është në hyrje të parkut, dhe se prindërit janë afër për të ndjekur aktivitetin e fëmijëve.”

Sido që togfjalëshi nuk bën asnjë sens në tërësi, mesazhi që ai jep tregon injorancë të thellë.

Sipas tij, nëse tërhiqesh para presionit qytetar, “transformimi është në rrezik”. Tingëllon sikur thotë se nuk ka rëndësi çfarë mendojnë qytetarët, e rëndësishme është çfarë mendon ai vetë.

Bredhja e tij në konceptet më të thella si komunizmi, partia apo ekspertët është akoma më i pakuptimtë.

Sipas tij, ekspertët janë ata që duhet të kenë shije arkitekturore, jo populli, jo partia (që teorikisht duhet të jetë përfaqësuese e popullit). Sipas tij, mospranimi i “shijes së ekspertëve”, është “kthim në komunizëm”. Sipas Erit, ekspertët duhet ta zgjedhin vendin se ku do të ndërtohet e çfarë do të ndërtohet. Madje, ekspertët do të duhet të përcaktojnë se ku duhet të rrinë prindërit e ku e çfarë aktiviteti duhet të bëjnë fëmijët.

Erioni bën mirë të kuptojë se imponimi i “shijeve të ekspertëve”, siç i quan ai, nuk është demokraci, është fashizëm. Këto “shije ekspertësh” nuk kanë të bëjnë me komunizmin, apo partinë.

Një park, nëse ndërtohet ose jo, dhe nëse ndërtohet me një mënyrë apo një tjetër, është në fund të fundit në varësi të shijeve të publikut dhe jo të “ekspertëve”.

You may also like...