Shqësimi i ditës, a do të jetë PKDSH aleate në qeveri?

1 korrik 2013 – Çështja më e debatuar këtë ditë është pyetja se a do të jetë një parti e vogël dhe e panjohur më parë, Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë, pjesë e qeverisë së ardhshme të spektrit të majtë apo jo. Kreu i PKDSH Mark Frroku bëri të ditur në konferencë për shtyp se kërkon një mandat ministror për votat që solli për opozitën në Shkodër. Media raporton se do të jetë ministria e Mjedisit, posti që do t’i jepet kësaj partie.

Sikur të ishte çfarëdolloj partie, posti i ministrit të Mjedisit, (aktualisht mbahet nga Fatmir Mediu) nuk do të shqetësonte askënd. Por fakti është që kryetari i PKDSH ka në listën e kandidatëve të partisë së tij të vëllain të dytë. I vëlla, Arben Frroku, gjendet aktualisht në Greqi në pritje të procedurave të ekstradimit në Shqipëri, i dyshuar si vrasës i kryekomisarit Dritan Lamaj. Ai mund të vijë nga Greqia jo si i ekstraduar në pritje të gjykimit, por si deputet, në rast se i vëllai heq dorë nga mandati i deputetit.

https://www.facebook.com/erebara/posts/10151435309911750?comment_id=25678596&offset=0&total_comments=33&notif_t=feed_comment

Qarku Shkodër, përmbysja erdhi nga LSI dhe PKDSH-ja

qarku shkoder 2009-2013Zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013 në Qarkun Shkodër, sollën një “përmbysje” në favor të partive të renditura krahas Partisë Socialiste, por kjo përmbysje nuk u shkaktua nga vetë Partia Socialiste. Siç shihet në tabelë, në vitin 2013 pati një rritje me 4 mijë numri i votuesve në këtë qark, ndërsa Partia Socialiste mori vetëm 3500 vota më shumë, Partia Demokratike humbi 11 mijë vota.

Votat e humbura nga Partia Demokratike duket se u morën pjesërisht nga Lëvizja Socialiste për Integrim, (plus 10 mijë vota më shumë se sa në 2009) si dhe nga një parti e vogël demokristiane, e cila qe renditur me koalicionin e majtë dhe arriti të fitojë një mandat deputeti. Pra përmbysja e madhe në Qarkun e Shkodrës nga djathtas – majtas, në fakt është shkaktuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë, me të parin në listë Mark Frrokun dhe të dytin, Arben Frroku, mori afërsisht 6800 vota ose 5.56 për qind të totalit të votave në Qarkun Shkodër.

 

Në një farë mënyre, shkodranët e mërzitur ndaj Partisë Demokratike, protestojnë me votë duke votuar LSI-në. Nga ana tjetër Shkodra ka një numër të konsiderueshëm votash që shkojnë për partitë e vogla, vota që më 2009 qenë të fragmentarizuara dhe nuk prodhuan asnjë mandat deputeti, ndërsa kësaj here duket se u përqendruan mjaftueshëm për të prodhuar një mandat deputeti.

Sa i përket mandateve, PS ruajti të njëjtin numër si më 2009, ndërsa PD ra nga 7 në 5, ku një mandat i kaloi LSI dhe një mandat i shkoi partisë PKDSH.

You may also like...