Shqipëria shkarkoi ilegalisht drejtorët e shkollave, thotë raporti

Një raport vlerësimi i siguruar nga BIRN dënoi si ilegale një fushatë për zëvendësimin e drejtorëve në shkollat e Tiranës duke i detyruar ata të japin dorëheqjen

Gjergj Erebara, BIRN

Raporti i prodhuar nga Shoqata e Prindërve të Tiranës, një OJQ vendëse, thotë se Drejtoria Arsimore Rajonale (DAR), nisi një fushatë ‘intensive’ për të zëvendësuar drejtorët nëpër shkollat e Tiranës përgjatë muajve shkurt dhe mars, duke i detyruar ata të japin dorëheqjen nën kërcënime.

Shumica e drejtorëve të shkollave të intervistuar në raport, të cilët janë zgjedhur në mënyrë rastësore, raportuan se u detyruan nga DAR “të japin dorëheqjen, ndërsa disa raportuan se kanë shkëmbyer postin e drejtorit me një pozicion mësuesi”.

Sipas raportit, 60 për qind e ish-drejtorëve thanë se janë detyruar të japin dorëheqjen ndërsa 40 për qind thanë se janë pushuar nga puna pa bazë ligjore.

“Ligji nuk u respektua dhe [vendimi] qe i motivuar politikisht,” tha një drejtor shkolle para kërkuesve.

Të gjithë drejtorët e shkarkuar u zëvendësuan nga drejtorë të komanduar. Gjithsesi, raporti thotë se në 70 për qind të rasteve, drejtori i komanduar nuk erdhi nga e njëjta shkollë, siç sanksionohet nga vetë udhëzimet e Ministrisë së Arsimit.

“Në të gjitha këto raste, as ligji i vitit 2012 mbi arsimin parauniversitar dhe as udhëzimi i vitit 2013 i ministrisë mbi zëvendësimin dhe emërimin e drejtorëve të institucioneve arsimore nuk u respektuan,” thuhet në raport.

DAR nuk mund të emërojë drejtorë shkollash. Ata mund të emërojnë drejtorë të komanduar, por sipas udhëzimit të vitit 2013 të lëshuar nga ministria, një post i tillë mund të plotësohet vetëm nga zëvendësdrejtori apo një mësues i  vjetër brenda të njëjtit institucion.

Fushata për të zëvendësuar drejtorët e shkollave nuk ka ndodhur vetëm në Tiranë, rajoni më i madh në administrimin arsimor në vend.

Media vendëse ka raportuar se praktika të ngjashme për të zëvendësuar drejtorët e shkollave në masë është zbatuar në rajonet e Shkodrës dhe Fierit.

Sipas një raporti të vitit 2010 nga Këshilli i Europës, promovimi, emërimi dhe transferimi i stafit në sistemin arsimor shqiptar është shpesh pre e rryshfetit dhe kritereve subjektive.

Qeveria e qendrës së majtë të kryeministrit Ed Rama, e cila mori pushtetin shtatorin e kaluar, ka premtuar një numër reformash për të instaluar një sistem meritokratik në punësim.

Pyetur nga BIRN, ministria e Arsimit tha në një deklaratë se “Në dijeni tonë, lëvizjet e drejtuesve të shkollave apo dhe të mësuesve të thjeshtë, janë mbështetur në rekomandimet/konstatimet që kanë ardhur pas procedurave të inspektimit. Masat janë marrë në fuksion të problematikave të evidentuara,” tha ministria.

Gjithsesi, vetëm 10 për qind e drejtorëve të shkollave të intervistuar në raportin e vlerësimit të kryer nga Shoqata e Prindërve të Tiranës, deklaruan se janë shkarkuar pas një raporti inspektimi nga Ministria e Arsimit.

Shkelja e zakonshme nga të gjithë ata që i qenë nënshkruar inspektimeve qe që kontrata për rojen e shkollës qe nënshkruar nga drejtori dhe jo nga bordi i shkollës.

Ministria nuk komentoi nëse emërimet e drejtorëve të komanduar janë bërë në përputhje me ligjin, por theksoi se “Komandimet janë bërë në kuadër të domosdoshmërisë të garantimit të pacënueshmërisë të procesit të mësimdhënies dhe me afat deri në kryerjen e konkurseve për emërim”.

You may also like...