Shqiptarja.com duhet të mësojë të lexojë shqip

Si ndodhi që përgjigjet banale të Delegacionit të BE-së në Tiranë u përkthyen nga media pranë qeverisë si mbështetje e ligjit për importin e plehrave.

Direktiva Direktiva 2008/98 e bashkimit Europian e bën të qartë nga fillimi deri në fund se qëllimi i saj është menaxhimi i integruar i mbetjeve, ndërsa çdo regjim import – eksporti duhet të jetë në funksion të këtij synimi themelor. Direktiva, në pikën 39 sqaron se vendet anëtare të BE-së mund të ndërmarrin masa për parandalimin e importit të mbetjeve, në rast se këto mbetje nuk janë në përputhje me planin e tyre të menaxhimit të mbetjeve.

Qe pra çudi kur mësova se Shqiptarja.com kishte marrë përgjigjen e një serie pyetjesh nga Delegacioni Europian në Tiranë, përgjigje në bazë të së cilave, gazeta i jepte të drejtë vetes të dilte në konkluzionin bombastik se “ligji për mbetjet është në përputhje me direktivat e BE-së”.

Kuptohet, Bashkimi Europian për nga lloji, është një institucion që nuk thotë as po e as jo, por te pyetja që ka nxjerrë titullin e qeveria.com, përgjigjja mbart një fjalë që del kryekëput kundër titullit.

Pyetje: Ligji i miratuar a është në përputhje me direktivat e BE-së?

Përgjigje: Zbatimi dhe respektimi i ligjit për mbetjet janë parësore, pavarësisht nga regjimi i importit të mbetjeve që zbatohet për momentin. Shqipëria duhet të zhvillojë infrastrukturën e nevojshme, si dhe institucionet dhe sistemet për monitorimin, kontrollin dhe raportimin e lëvizjeve të mbetjeve. (fjala pavarësisht është theksuar nga ne).

A flet kjo përgjigje për titullin bombastik ” Ekskluzive/ Zyra e BE:Ligji për mbetjet sipas direktivave tona”?!

 

Natyrisht, secili mund ta shohë si të dojë, por fjala pavarësisht është në përputhje me pikën 39 të direktivës si dhe me frymën e thelbin e direktivës. Shqipëria duhet të krijojë një sistem të integruar të menaxhimit të mbetjeve të veta, ndërsa regjimi i importit dhe eksportit mund të ekzistojë, ose mund të mos ekzistojë në varësi të sistemit të menaxhimit të plehrave të Shqipërisë.

Pyetjet dhe përgjigjet e tjera janë në të njëjtën frymë. Kur pyetet nëse Shqipëria ka laborator për kontrollin doganor, përgjigjja është se BE ka dhënë kaq e aq para për këtë laborator, por jo se a ka një laborator të vlefshëm, fuksional dhe të cerfitikuar.

Natyrisht, nuk ke çfarë të presësh tjetër nga një gazetë që kritikon qeverinë se nuk i ka dhënë reklama.

Shkurt, mos humbi kohë të lexoni qeveria.com

 

Kliko këtu nëse do të humbasësh kohë me ekskluziven e shqiptarja.com

 

You may also like...