SHTETI QË NUK I PËLQEN KRYEMINISTRIT

Ka gjithmonë një tregim të jashtëzakonshëm për një ushtar gjerman që shkoi në studion e Picasso-s në Paris dhe gjeti një kartolinë të Guernica-s, kryeveprës dedikuar bombardimit të një qyteze baske nga avionët gjermanë. Ushtari e pyeti piktorin: “Kush e ka bërë këtë, ti?” “Jo,” – iu përgjigj Picasso. “Atë vepër e keni bërë ju”.

Ka gjithmonë një tregim të jashtëzakonshëm për një ushtar gjerman që shkoi në studion e Picasso-s në Paris dhe gjeti një kartolinë të Guernica-s, kryeveprës dedikuar bombardimit të një qyteze baske nga avionët gjermanë.
Ushtari e pyeti piktorin: “Kush e ka bërë këtë, ti?”
“Jo,” – iu përgjigj Picasso. “Atë vepër e keni bërë ju”.

Gjergj Erebara

Në serinë e shumë shashkave që hedh çdo ditë për të harruar problemet reale të vendit, Kryeministri Sali Berisha iu drejtua gazetarëve pak ditë më parë, për të thënë se nuk i pëlqen kronika e zezë. Sipas arsyetimit të tij, media botërore nuk merret me kronikë të zezë dhe se kjo që bën shtypi shqiptar është “një sëmundje”.

Në fakt, as ne gazetarëve nuk na pëlqen. Nuk na pëlqen të raportojmë për vrasje në seri për hakmarrje, të cilat klasifikohen si “vrasje të paralajmëruara”, nuk na pëlqen as të raportojmë për njerëz që i vënë flakën vetes. Problemi është se kjo është tematika që ofron vendi ku ne jetojmë. Vrasje mafioze, vrasje për gardhin, të mitura që vrasin dhunuesin, pasi kanë njoftuar fillimisht policinë dhe nuk kanë marrë mbrojtje. Natyrisht që vërdallë ka plot maniakë që kërkojnë të raportojnë edhe ngjarjet nga kronika në detaje që shkelin etikën apo privatësinë. Por problemi kryesor është te fakti se vrasjet dhe krimet janë pjesë e realitetit shqiptar. Sipas të dhënave të Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimin, në Shqipëri vriten 4 vetë në çdo 100 mijë banorë, disa herë më shumë nga sa vriten në Kroaci, (1.4), Itali, (0.9), Greqi, (1.5), Bosnjë, (1.5), Maqedoni, (1.9) etj. Vështirë të gjesh ndonjë vend në kontinentin europian me përjashtim të Rusisë apo Ukrainës, ku vrasjet janë kaq të shumta sesa në Shqipëri. A na pëlqen kjo? Jo, natyrisht që nuk na pëlqen dhe më pak kronikë e zezë nëpër faqet e gazetave do të na bënte mirë. Problemi është se nuk është në dorë të gazetarëve që në Shqipëri të vriten më pak njerëz. Ka shumë gjasa që është në dorë të Kryeministrit. Ndërkombëtarët i klasifikojnë vrasjet në dy kategori: vrasje të rëndomta dhe vrasje mafioze. Për fat të keq ne kemi një kategori të tretë: vrasje të paralajmëruara. Vrasje të ndodhura në kushtet e konfliktit të vazhdueshëm për të cilin policia është në dijeni, por është e paaftë ose i mungon vullneti për të parandaluar.

Një nga rastet e tmerrshme të kohëve të fundit qe vrasja e kryer nga Nazime Visha, e cila e kishte kryer një denoncim më herët në polici, por policia nuk e kishte parë të arsyeshme të ndiqte denoncimin për përdhunim të një minoreneje. Nuk janë gazetat që mund ta parandalonin këtë vrasje. Në fakt është Kryeministri që mund të parandalojë shumë të tilla duke pushuar nga puna e ndoshta, duke vënë në ndjekje penale policët përgjegjës.

Vrasja e kryer nga Nazimja mund të qe mbyllur me dy-tri lajme në gazeta. Por nuk mbyllej dot kështu, për shkak se policia kërkoi të mbronte paaftësinë e vet duke publikuar provat hetimore për të thënë se në fund, qe 14-vjeçarja e përdhunuar që e kishte fajin. Kryeministri duket se nuk ia ka mësuar mirë ligjet në fuqi policëve të tij, sepse këta të fundit nuk e dinë ende se marrëdhëniet seksuale me të mitur, me apo pa mirëkuptimin e të miturës, janë vepër penale. Kryeministri, në vend që të ankohet për sasinë e kronikës së zezë nëpër media, duhet të ankohet për paaftësinë e policëve të tij.

Vrasje tjetër e paralajmëruar qe ajo që u krye pak ditë më parë në Mamurras. Një konflikt i njohur mes dy familjeve që sakaq kishte shkaktuar dy viktima dhe shkaktoi edhe një të tretë. Sërish policia rezulton inekzistente.

Këto që thamë më sipër janë krime të rëndomta, të shkaktuara nga konflikte të njerëzve të zakonshëm. Por është e vështirë të mendosh për kronikën e zezë në media dhe të mos mendosh për katër të ekzekutuarit para Kryeministrisë më 21 janar 2011 apo për Lirak Bejkon që u vetëdogj, pasi refuzoi të vijojë të gënjehet nga Kryeministri. Vetë Kryeministri mund t’ia kishte kursyer shqiptarëve pamjet e Lirakut, sipas fjalëve të gruas së të ndjerit, “duke e gënjyer edhe një herë”.

Nëpër të gjithë median e botës, vrasjet zënë vend. Një vrasje enigmatike e një britaniku në Francë pak kohë më parë, zaptoi lajmet kryesore në BBC e në media të tjera për shumë ditë. Por fakti është se nuk ka shumë vrasje britanikësh dhe rrjedhimisht, as media britanike nuk ka se si të shkruajë çdo ditë për vrasje. Vrasja e një biznesmeni britanik në Kinë zuri faqen e parë të “The New York Times” gjithashtu për shumë ditë.

Kryeministri ka shumë të drejtë të mos e pëlqejë dominimin e kronikës së zezë të shtypit shqiptar. Por atij dhe vetëm atij i takon të luftojë fenomenin, jo duke hapur një debat banal mbi faktin nëse media duhet të raportojë krimet. Por duke luftuar krimin, sepse kjo është pjesë e axhendës së tij të punës. Ai po qeveris aktualisht mbi një shtet që po shkërmoqet nga dita në ditë dhe ai nuk ka vullnetin për të reaguar, pasi është i zënë nën zgripin e interesave elektorale që prodhojnë krim të gjithfarëllojshëm.

Është shumë e vështirë për një Kryeministër që prodhon vazhdimisht kronikë të zezë, të ankohet për faktin se media raporton mbi atë çfarë ai bën.

Ka gjithmonë një tregim të jashtëzakonshëm për një ushtar gjerman që shkoi në studion e Picasso-s në Paris dhe gjeti një kartolinë të Guernica-s, kryeveprës dedikuar bombardimit të një qyteze baske nga avionët gjermanë.

Ushtari e pyeti piktorin: “Kush e ka bërë këtë, ti?”

“Jo,” – iu përgjigj Picasso. “Atë vepër e keni bërë ju”.

You may also like...