Si Berisha

“Blendi, ti pyet për një gjë dhe unë përgjigjem për një gjë tjetër,” deklaronte Sali Berisha në emisionin Opinion të Blendi Fevziut në vitin 2007. Dhe pastaj vijonte: Media e Krimit, Media e Opozitës, Media Mafia, Hanxhar i Krimit. Këto qenë disa nga shprehjet që Berisha përdorte për të cilësuar këdo që kishte vërejtje apo kritika për qeverinë e tij.

Në atë kohë, Berisha qe ende në rregull me të vetat, ndërkombëtarët e kishin qejf. Marrëveshja e Stabilizimit dhe Anëtarësimit qe firmosur nga Bashkimi Europian me premtimin se rreth vitit 2014, Shqipëria do të bëhej vend anëtar. Pak muaj më vonë, situata ndryshoi. Banorët e Kakomesë u dhunuan nga policia për shkak se nuk dëshironin që toka e tyre të shitej nga qeveria te një kompani duke i hequr atyre shpresën për të ndërtuar një ekonomi turizmi dhe për të arritur mirëqenien duke përdorur atë copë bregdeti ku kishin jetuar prej mijëra vitesh. Në prill 2007, policia ndërtimore shkatërroi shtëpitë e Jalit, një ngjarje ku më vonë u zbulua se qe përfshirë edhe dhëndri i Berishës Jamarbër Malltezi. “Mafia e betonit”, deklaronte Berisha në vitin 2009, kur u zbulua prapaskena e shembjeve, duke aluduar se e gjithë bota qe duke komplotuar kundër tij për llogari të interesave të errëta.

Pastaj, më 15 mars 2008, Gërdeci shpërtheu. Aksidenti tragjik qe vetëm njëra anë e medaljes. Dhunimi i shtetit nga ana e Berishës me synimin e ndalimit të hetimit dhe dënimit të përgjegjësve qe ana tjetër. Që nga ajo kohë, filloi ajo periudhë e errët e historisë së Shqipërisë ku pandëshkueshmëria u bë ligj. Lulzim Basha u vu nën hetim për kontratën famëkeqe të ndërtimit të Rrugës së Kombit, një vjedhje me përmasa patriotike dhe kombëtare, çështje që u mbyll “me procedurë”. Të tjera ngjarje vijuan, pushteti u bë gjithnjë e më i dhunshëm duke kulmuar më 21 janar 2011 me katër të vrarë në bulevard.

Qeveria aktuale është pak a shumë në të njëjtën fazë që qe Berisha në vitin 2007. Bashkimi Europian ka dhënë statusin kandidat, por po pret të shohë se si do të ecin punët para se të hedhë hapin tjetër.

Një protestë mjedisore përfundoi në dhunë më 7 mars 2016. Shtëpitë e shqiptarëve të varfër u shembën pa dëmshpërblim ose me dëmshpërblim qesharak në Unazën e Re të Tiranës dhe në Bulevardin e Ri.

Rama del të flasë mbi këto çështje pikërisht në emisionin Opinion dhe ndjek në thelb, të njëjtën metodikë me Berishën. Gënjeshtar, Gjuha e Shqupit, Burime të Kontaminuara, shpifje, moçal. Sipas tij, lajmet për skandalet në tregun e ilaçeve, nuk janë skandale, por sajesa të kompanive farmaceutike, të cilave, reformat u kanë hequr paratë nga duart. Fiks si Berisha. Kur u përball me faktin se shtëpitë e banorëve të Jalit qenë shembur pa shkak, argumentoi se po e luftonte :mafia e betonit”.

Dhe kur pyet se pse ndaj protestuesve u ushtrua dhunë, argumenti është se protestuesit sot rrihen më pak se sa në kohën e qeverisë paraardhëse.

Shkurt, njësoj si Berisha më 2007, edhe Rama sot, refuzon të reflektojë. Pak nga pak, Berisha Urban ka filluar të izolohet në kullën e tij të ngujimit nga ku gjuan me pushkë çdo kritikë, sheh teori komploti në çdo anë dhe i mbush mendjen vetes se e gjithë bota e ka gabim, por jo ai vetë.

Rama gjithsesi e ka një zgjidhje. Ai mund të reflektojë. Është ende në kohë që të reflektojë.

You may also like...