Si do të sillet Rama ndaj kapedan Gjikës?

Xhabyni

Një ditë përpara festës së 28 Nëntorit, gjykata e Tiranës liroi nga akuzat kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika, i akuzuar nga prokuroria për vepra penale si falsifikimi i procesverbaleve të KKRT-së. Me këtë vendim, gjykata përplasi para syve të shqiptarëve të cilët për një moment shpresuan se mbase dikush do ta pësojë nga ndëshkimi kur abuzon me pasurinë publike.

Të themi të vërtetën, ne jemi mësuar me këtë emocionin që na vjen sa herë shohim një zyrtar pas hekurave, emocion që pasi kalojnë sekondat e para të ndodhisë e shuajmë më ujin e eksperiencës që na tregon përherë se askush nuk është dënuar në këtë vend. Ndoshta, kësaj radhe shpresuam pak më shumë sespe Edi Rama, përherë ka pasur në CV-në e tij politike atë kokë shkarjen që e kthente atë në një kamikaz për hir të një qëllimi të caktuar. Prandaj, menduam se kësaj radhe, ndoshta Gjika do të ishte realisht një kurban i Ramës, që ai t’i tregonte të gjithëve se nuk pyet për askënd, nuk pyet as për njerëzit e partisë së tij.

Një tjetër shpresë, për vendosjen e drejtësisë vinte edhe për shkakun se Gjika ishte përgjegjës në një mënyrë apo në një tjetër me lejen që i është dhënë pallatit të vjehrrit të kryetarit të opozitës. Pallat, që Rama u përkujdes që ta prishte mes sa më shumë reflektorëve dhe pompoziteti. Gjithsesi edhe kësaj radhe drejtësia nuk zhgënjeu parashikimet e skeptikëve, madje as Edi Rama nuk foli asnjë fjalë për këtë drejtësi. Por, ka një gur prove të cilën gjykata duket se ia ka lënë Ramës për të provuar vërtetësinë e pohimeve të tij për respektimin e ligjit ndaj të gjithëve.

Në faqen 50 të vendimit për Shpëtim Gjikën, gjygjtari Arben Micko shprehet “Akuzat jo vetëm që nuk provohen në tërësinë e tyre sikundër paraqiten nga akuza (nuk provohet që të pandehurit të kenë bërë shtesa në protokoll në një kohë të mëvonshme nga mbledhja), por edhe ato që provohen (sikundër është mosrespektimi rigoroz i procedurave ligjore në lëshimin e lejeve të ndërtimit) përbëjnë shkelje me karakter administrativ dhe jo penal” Kjo do të thotë që z. Gjika është një kryetar bashkie që ka kryer një shkelje administrative kur ka qenë në krye të bashkisë, sipas nenit 42 në ligjin e komunave një Kryetar Bashkie shkarkohet në 3 raste kur;

  1. a) kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve;
  2. b) dënohet për kryerjen e një vepre penale me vendim të formës së prerë nga gjykata;
  3. c) propozohet për shkarkim nga këshilli komunal ose bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë

Megjithëse Shpëtim Gjika nuk është dënuar për një vepër penale, sërishmi ai është një person i cili ka kryer një shkelje administrative, ashtu sikundër edhe ish guvernatori Fullani është akuzuar. Ky i fundit u largua me një vendim nga Bordi Drejtues i Bankës së Shqipërisë, që vështirë se ka ardhur nga një reflektim i tyre. Duke patur parasysh gjendjen e drejtësisë në vendin tonë, mund të shtrojmë pyetjen nëse Rama do të shkarkojë apo jo Shpëtim Gjikën?!

 

Kryeministri, kuptueshëm që do t’i shmanget kësaj zgjedhjeje, ai është i prirur që të zgjedhë kurbanin një personazh pa shumë komplikime elektorale dhe është e qartë që Shpëtim Gjika nuk është një i tillë.

You may also like...