Si të qeverisësh në Ballkan në shekullin e 21

Ose, si të menaxhosh vuajtjet dhe të fitosh më shumë vota njëkohësisht

Kushdo që mendon se një popull që po vuan shumë – ose krahasimisht më shumë  se sa më parë – do të reagojë ndaj qeverisë, harron mjetet që kanë qeveritë në vende jodemokratike për ta përdorur vuajtjen në avantazh të vet. Ja një listë me veprime të këshillueshme për aspirantët për politikanë.

MakiaveliËshtë krizë! Krizë në të gjitha drejtimet. Megjithatë, nëse je politikan në pushtet, kriza nuk do të thotë asgjë. Ajo vështirë se do të ketë pasoja në aftësinë tënde për të grumbulluar vota në zgjedhje. Përkundrazi, në disa drejtime, kriza dhe vuajtjet e popullsisë mund të përbëjnë avantazhe, pasi njerëzit në vuajtje, si të thuash, janë të prirur ta shesin votën më lirë se sa njerëzit me mirëqenie.

Le të shohim një seri me taktika që një politikan mund të përdorë për ta kthyer krizën në avantazh.

  1. Ballkani është sot ndryshe nga sa ka qenë në 25 vitet e fundit. Është ndryshe nga sa ka qenë qoftë edhe pesë vite më parë. Ndërsa pesë vite më parë supozohej se integrimi europian dhe demokratizimi e sundimi i ligjit që shoqërojnë integrimin, qe një udhëtim i pashmangshëm dhe i detyrueshëm për të gjithë, sot ky rrezik për pushtetin tuaj është zvenitur. Askush, madje as populli më naiv, nuk beson se diçka e tillë do të ndodhë. Por ndërsa presioni mbi ju ka ardhur në rënie për shkak të telasheve të brendshme të Brukselit, integrimi mbetet platforma më e rëndësishme politike, ëndrra më e madhe e popujve të Ballkanit, ëndërr që ju, me pak aftësi, mund ta ktheni në avantazhin tuaj pa pësuar ndonjë dëm. Situata me kriza të shumëfishta vërdallë krijon gjithashtu mundësi, sido që, shfrytëzimi i këtyre mundësive nga ana juaj mbetet thuajse i pamundur. Rusia, Kina, kriza e refugjatëve dhe krimi që shoqëron dhe ushqehet me këtë krizë, rreziku i ISIS e të tjera si këto, janë mundësi për ty që të hysh si pykë dhe të vendosësh veten në pozicion tregtues përballë Europës ose asaj që ka mbetur nga Europa. Gjithsesi mos i mbaj shpresat shumë të larta në këtë drejtim. Vendi yt ka rëndësi qesharake në kriza të tilla dhe nëse e tepron në shpresën për të përfituar nga to, rrezikon të bëhesh edhe ti qesharak.
  2. Relativizo vuajtjet. Nëse njerëzit ankohen se nuk kanë punë, krijo përshtypjen se kjo është një situatë pak a shumë e përkohëshme dhe se do të zgjidhet shpejt. Jep krahasime negative, si p.sh, njerëzit në Greqi po vuajnë edhe më shumë, pabarazia në SHBA është shumë e lartë, etj., etj. Ose thuaj se situata qe edhe më e keqe në të shkuarën, kështu që sot, ajo duhet të konsiderohet ‘drejt përmirësimit’.
  3. Ndaje popullin në sherrxhinj dhe të fjetur. Populli mbi të cilin do të duhet të sundosh mund të ndahet fare mirë në dy kategori: a) në ata që kanë qenë keq, e janë bërë më mirë, por ndjehen sot keq e shpresojnë për më mirë, të cilët, për konveniencë po i quajmë ‘sherrxhinjtë’ dhe; b) në ata që kanë qenë keq, janë keq e ka pak gjasa të bëhen më mirë në të ardhmen. Këtë kategorinë e dytë po e quajmë ‘të përgjumirit’. Këta, për shkak se nuk kanë parë ditë më të mira, nuk janë në gjendje të dallojnë se çfarë është mirë e çfarë keq, kështu që, efektivisht nuk kanë halle, siç kanë sherrxhinjtë.

Për të dyja kategoritë, gjenden në literaturën e suksesit politik ilaçet përkatëse. Le ta nisim me të parët, ata sherrxhinjtë që kanë qenë me përmirësime në të shkuarën e kanë ambicien për t’u bërë më mirë në të ardhmen. Ata janë problematikë sepse kërkojnë pa fund. Si të tillë, ata shajnë pa fund. Problemi nuk është që të shajnë. Problemi është se mund të nxisin edhe të fjeturit dhe t’i bëjnë të ëndërrojnë. Plotësimi i ambicieve të tyre është një platformë e kotë. Nëse sherrxhinjtë përfitojnë çfarë kërkojnë, të fjeturit mund të ngrihen të kërkojnë gjithashtu. Kështu që është detyrë e atypëratyshme pas marrjes së pushtetit menaxhimi i sherrxhinjve. Mënyra e vetme e menaxhimit të tyre është kombinimi i korruptimit me dhunën. Identifiko disa elementë mes sherrxhinjve dhe ofroji poste, para apo pushtet. Njëkohësisht, identifiko disa të tjerë dhe dhunoji menjëherë. Nuk ka rëndësi se kë korrupton dhe kë dhunon. E rëndësishme është që të dyja të kryhen paralelisht. Nëse i korrupton të gjithë, rrezikon që ata në bllok të refuzojnë të korruptohen ndërsa nëse i dhunon të gjithë, rrezikon që ata të të kthehen sëbashku. Nga ana tjetër, nëse disa i korrupton dhe disa i dhunon, fuqia e tyre për të reaguar zgërlaqet për shkak se ata që mbesin mes sherrxhinjve që janë as të korruptuar dhe as të frikësuar nga dhuna, nuk kanë mundësi të reagojnë për shkak se para se të zgjedhin se si të reagojnë, janë të mbytur nga dyshimet se cili mund të jetë i korruptuar e cili i frikësuar. Kjo është arsyeja se dhuna dhe korruptimi janë dy anë të të njëjtës medalje që, nëse kryhen paralelisht, i japin dërmën të gjithë sherrxhinjve, ata që kanë qenë më mirë e shpresojnë të bëhen edhe më mirë nga sa kanë qenë. Kjo metodë njihet më së shumti me termin delikat dhe pjesërisht të vlefshëm të ‘korruptimit të elitave’. Çdokush që ka zë mund të blihet. Nëse blihet bashkë me zërin që ka në shoqëri, akoma më mirë, shërben si zhurmues. Por nëse blihet pa zë, sigurohu që të tjerët ta marrin vesh që ai është blerë për të heshtur.

Për kategorinë e dytë, të atyre që, për shkak se nuk kanë parë ditë të bardhë, nuk kanë halle, është imperative që të mos lejohet të krijojnë iluzione mbi këtë punë. Ata nuk ka nevojë t’i korruptosh, mjafton t’i dhunosh. Mendo se duhet të dhunosh një numër të mjaftueshëm prej tyre sa të gjithë të përgjumurit ta ndjejnë veten të rrezikuar nga dhunimi. Kuptohet, dhunimin do të duhet ta prezantosh si një ndëshkim të drejtë për një ose disa shkelje ligjore dhe ta theksosh se ky dhunim bëhet për të mirën më të madhe të përbashkët, pra se ia vlen barra qiranë. Dhuna e, fjala vjen, një në 20 apo një në 50 prej të përgjumurve është shumë e mirë për shkak se i shtyn të gjithë të tjerët të mendojnë se si t’i shpëtojnë dhunës në vend që të mendojnë se çfarë mund të bëhet më mirë me qeverisjen e vendit. Kjo mjafton për të futur në depresion të dyja kategoritë, si sherrxhinjtë, ashtu edhe të përgjumurit, por nuk mjafton për të qeverisur gjatë. Të duhet të krijosh një valvul shkarkimi.

  1. Eksporto krizën. Metoda e eksportimit të pakënaqësive është përdorur me sukses prej kohësh. Kuba e Fidel Castro thuhet se në vitet 1960-1970, me qëllimin për të eksportuar të pakënaqurit, i hapi burgjet, i vuri në dispozicion varka e gomone me synimin final për t’i nxitur të iknin. Lufta është mjeti më i vjetër i eksportimit të krizës të përdorur nga qeveritë. Të gjithë të pakënaqurit, ata që mendojnë se janë përjashtuar pa të drejtë nga pjesa që i takon nga plaçkitja e të mirës publike, dërgohen të grabisin të mirën publike të një vendi tjetër. Kuptohet se sot nuk është e mundur për ty që të nisësh një luftë si valvul shkarkimi, kështu që emigrimi është një nga të paktat valvula shkarkimi që të mbetet në dispozicion.

Ndërsa për ekonominë, largimi i njerëzve është një katastrofë, për pushtetin, ai është një avantazh i madh. Ata që ikin janë në shumicë rebelë, egoistë, energjikë dhe krahasimisht më të arsimuar se sa ata që mbeten. Kështu që, pasi ata të ikin, pjesa e mbetur përbëhet nga njerëz gjithnjë e më të pafuqishëm, pa ambicie, pa energji e krahasimisht më injorantë. Kështu që, kur ka krizë, sa herë që shfaqet mundësia, mund të nxitet emigrimi me synimin e eksportimit të problemit. Imagjinoni që, në vend që të vrasësh mendjen të kujdesesh për mijëra rebelë, të detyrosh vende të tjera të kujdesen për ta. Në këtë mënyrë, ti e eksporton telashin dhe je rehat deri sa telashi të riatdhesohet.

  1. Dhuna dhe korruptimi janë multifunksionalë. Kjo do të thotë se ndërsa ti zgjedh të dhunosh të përgjumurit, kjo dhunë ofron edhe një mundësi të artë për të imponuar diskursin publik sipas dëshirës tënde. Ti je ai që identifikon problemet. Ti je ai që dhunon për të mirën më të madhe tëzgjidhjes së problemeve. Rrjedhimisht askush tjetër nuk ka kohë të të drejtojë gishtin dhe të të thotë se po qeveris keq.
  2. Blije median, por jo të tërën! Media është një mjet i rëndësishëm komunikimi por jo mjeti i vetëm i komunikimit. Kontrollimi i saj është njëkohësisht i lehtë dhe i nevojshëm. Me paratë e popullit, ti blen median që gënjen popullin. Vetëm kujdes! Që të heqësh qafe rrezikun që populli të informohet jashtë medias, është e domosdoshme që të mos e blesh të gjithë median. Lë disa gazeta e televizione të dobëta që të përfaqësojnë një alternativë të keqe ndaj teje. Mos e bëj kurrë gabimin që të blesh të gjithë median. Madje, nëse je shumë inteligjent, t’i mund të zgjedhësh mes medias kë të kesh armik duke e bërë të qartë vetë, duke e sulmuar personalisht atë media. Rrjedhimisht, populli do të shohë nga ajo media si shprehëse e vullnetit të vet, pa e kuptuar fare se je ti që ke zgjedhur se cila nga media do të përfaqësojë vullnetin opozitar. Në fund, ki parasysh se media është mjet. Qëllimi final është dominimi i diskursit publik. Ti ke në dorë dhunën, si verbale ashtu edhe fizike, për të mos lejuar që dikush tjetër të ngrejë probleme dhe të të akuzojë për fajtor për ekzistencën apo moszgjidhjen e problemeve.
  3. Hiperbolizo luksin. Në këtë botë ka dy lloje pushtetesh. Pushtet të fortë dhe pushtet të butë. Ajo që përshkruam më sipër është pushtet i fortë. Por gjendet edhe pushteti i butë, është ai që ia tërheq vëmendjen popullit duke ia përpunuar shijen. Arti, sporti, reklamat për dobësim të shpejtë, sallonet e bukurisë, telenovelat. Kujdesu gjithmonë që të gjitha këto të jenë me bollëk në sytë e njerëzve.
  4. Hidhja fajin popullit. Dhuna ndaj të përgjumurve është një mjet që shërben jo thjeshtë për t’i detyruar të mendojnë për hallet e përditshme të shmangies së dhunës, por edhe për ta bërë që të mendojnë se e kanë fajin vetë.
  5. Vuajtja del me vuajtje – Fute popullin në burg! Ndërsa populli ka frikë se do të bjerë në burg, nuk ka kohë të mendojë se sa po vuan. Ai e kupton se ka gjithmonë rrezik ta pësojë edhe më keq.
  6. Kritiko ‘panikun’! Nëse gjendesh para situatës kur ajo media që ti ke zgjedhur si armike ngre zërin, akuzoje se po dëmton ekonominë duke hapur panik.
  7. Kritiko kritizerët! Kritizerët janë pjesë e pandashme e shoqërisë. Diskutimi i çdo kritike është një gabim i madh. Zgjidhja më e mirë është që t’i përgjigjesh kritikës me kritikë. Mund t’i thuash p.sh., se kritikët janë në përgjithësi njerëz pa halle që duan të bien në sy, ose janë njerëz me halle që thjeshtë duan të bien në sy dhe mjaftohu duke thënë për kritikat se ato janë pa vend, jashtë kontekstit, shumë larg sfidave reale të vendit dhe krejtësisht jashtë proporcionit.
  8. Promovo ‘shembujt pozitivë’. Nëse ke 20, 30 apo 40 për qind të popullsisë të papunë, është e lehtë të nxjerrësh në pah disa që janë të suksesshëm, ose duket se janë të tillë. Reklamimi i rasteve të tilla shërben për një qëllim të thjeshtë: i shtyn të tjerët të besojnë se fajin për vuatjet nuk e ka qeveria, siç hamendësohet, por e kanë ata vetë. Në këtë mënyrë, jo vetëm që reklamon veten, por e shtyn opozitën në depresion, pasi publiku i gjerë do të fillojë të shajë njëri-tjetrin.
  9. Ji gjithmonë në sytë e të gjithëve! Një politikan në një rast tha: nëse nuk dal në televizor, unë nuk ekzistoj. Kjo është tërësisht e vërtetë. Për mirë a për keq, pavarësisht nëse shahesh apo lavdërohesh, duhet të jesh gjithmonë në sytë e të gjithëve. Nëse nuk del ti, do të dalë diskush tjetër që të të rrezikojë. Mos lër asnjë rast pa dalë në televizor.

Konkluzione

Të gjitha sugjerimet e mësipërme, siç mund ta kesh kuptuar, sorollaten në dy boshte kryesore: dhunë fizike dhe dhunë verbale. Në fund të fundit, këto janë dy mjetet e politikës në të gjithë historinë e njerëzimit. Gëzoju faktit se, për shkak se në vendin tënd mungon sundimi i ligjit, ke mundësi të përdorësh dhunë pa e vrarë mendjen nëse po e bën në mënyrë të ligjshme apo të paligjshme. Imagjino se sa shumë vuajnë kolegët e tu në Europë, të cilët janë të detyruar nga limitet kushtetuese e ligjore që të përdorin vetëm dhunën verbale dhe kupto se sa lehtë e ke ti dhe se pse ti je në gjendje të qeverisësh fare kollaj për katër apo tetë vjet, ndërkohë që, fjala vjen, në Itali apo Greqi ndërrohet qeveria gati një herë në vit.

 

Vizito diaryoftirana.com nesër për të lexuar pjesën e dytë: Si të qeverisësh në Ballkan në shekullin e 21.

You may also like...