Si u bë Njëqind Vjet Vetmi një roman klasik

Kur Gabriel García Márquez publikoi romanin e tij më të famshëm 50 vjet më parë, ai përballej me një mjedis shumë të vështirë dhe me vlerësime të dobëta.

 

lead 960

Më 1967, Sudamericana Press publikoi romanin Njëqind Vjet Vetmi (Cien años de soledad), një roman i shkruar nga një shkrimtar pak i njohur Kolumbian me emrin Gabriel García Márquez. As shkrimtari dhe as botuesi nuk kishin shumë pritshmëri nga libri. Ata e dinin, siç e shpjegoi një herë gjigandi i publikimeve Alfred A. Knopf, se “një roman vdes ditën që publikohet.” Papritur, Njëqind Vjet Vetmi vijoi dhe shiti mbi 45 milionë kopje, solidifikoi staturën e vet si një klasik i letërsisë dhe i dha García Márquez famë dhe lavde si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të gjuhës spanjolle në histori.

Pesëdhjetë vjet pas publikimit mund të jetë tunduese të besosh se suksesi qe i pashmangshëm po aq sa edhe historia e Familjes Buendia në qendër të historisë. Përgjatë rrjedhës së një shekulli, vendbanimi i tyre Makondo qe skena e katastrofave natyrore, luftërave civile dhe ngjarjeve magjike; ajo në fund u shkatërrua pasi i fundmi i Buendiave lindi me një bisht derri, siç qe profetizuar nga një manuskript që gjenerata të Buendiasve qenë përpjekur ta deshifronin. Por në vitet 1960, Njëqind Vjet Vetmi nuk qe menjëherë i njohur si Bibla e stilit tashmë të njohur si realizmi magjik, i cili prezanton ngjarje fantastike si situata të zakonshme. As kritikët nuk qenë dakord me idenë që rrëfenja qe me të vërtetë novatore. Për ta vlerësuar siç duhet faktin që romani është i gjatë, me art dhe me kuptim botëror, është me rëndësi vendimtare të ekzaminojmë bashkimin e pagjasë të faktorëve që e ndihmuan atë të kapërcente vështirësitë e klimës së botimeve dhe anonimatin relativ të autorit në kohën kur u botua.

* * *

Më 1965, Sudamericana Press në Argjentinë qe publikuesi udhëheqës i letërsisë bashkëkohore Latino-Amerikane. Redaktori i blerjeve këtu, në kërkim të talenteve të reja, ftoi ftohtë García Márquez për të publikuar disa nga veprat e tij. Shkrimtari u përgjigj me entuziazëm se ai po punonte mbi romanin Njëqind Vjet Vetmi, “një roman shumë i gjatë dhe shumë kompleks te i cili kam derdhur iluzionet e mija më të mira.” Dy muaj e gjysmë pas publikimit të romanit më 1967, entuziazmi i García Márquez u kthye në frikë. Pasi keqinterpretoi një episod aritmie nervozizmi për një atak kardiak, ai rrëfeu në një letër për një mik, “jam shumë i frikësuar.” Ajo që e shqetësonte atë më shumë qe fati i romanit të tij; ai e dinte se mund të vdiste pas publikimit të tij. Frika e tij qe bazuar në një realitet të ashpër të industrisë së botimeve për autorët e rinj: shitjet e pakta. Katër librat e mëparshëm të García Márquez shitën më pak se 2,500 kopje në total.

Më e mira që mund t’i ndodhte romanit Njëqind Vjet Vetmi qe që të pasonte një rrugë të ngjashme të librave të botuara në vitet 1960 si pjesë e një lëvizjeje letrare të njohur si la nueva novela latinoamericana. Suksesi si një roman i ri Latino-Amerikan nënkuptonte të shisje në edicionin e parë modest rreth 8 mijë kopje në një rajon me 250 milionë njerëz. Shitjet e mira rajonale mund të tërhiqnin publikues të rëndësishëm në Spanjë të cilët mund ta importonin dhe publikonin Romanin. Njohja ndërkombëtare mund të pasonte me përkthime në Anglisht, Frengjisht, GJermanisht dhe Italisht. Që të kapje xhekpotin më 1967 do të thoje të merrje çmime letrare të gjuhës Spanjolle: the Biblioteca Breve, Rómulo Gallegos, Casa de las Américas, dhe Formentor.




Kjo qe një rrugë e ndjekur nga romanet e reja Latino Amerikane të viteve 1960, të tilla si Shpërthimi në një Katedrale nga Alejo Carpentier, Koha e Heroit nga Mario Vargas Llosa, Lojë me Peta nga Julio Cortázar dhe Vdekja e Artemio Kruz nga Karlos Fuentes. Njëqind Vjet Vetmi, natyrisht i eklipsoi këto vepra në shumë drejtime. Publikuar në 44 gjuhë, ai mbetet vepra letrare më e përkthyer nga Spanjishtja pas Don Kishotit dhe një vrojtim mes shkrimtarëve ndërkombëtarë e rendit këtë si romani që farkëtoi më shumë letërsinë botërore se çdo roman tjetër përgjatë tri dekadave të fundit. Megjithatë mund të jetë gabim t’i japësh kredite Njëqind Vjet Vetmi për nisjen e një revolucioni letrat në Amerikën Latine e më gjerë. Sudamericana e publikoi at ëkur romani i ri Latino-Amerikan, në atë kohë i njohur në gjuhë popullore si bumi LatinoAmerikan, pati arritur kulmin në të gjithë botën për nga shitjet dhe ndikimi. Nga viri 1961 e më pas, si një Homer i ringjallur, shkrimtari thuajse i verbër Argjentinas Jorge Luis Borges qarkullonte në të gjithë planetin si një celebritet letrar. Duke ndjekur gjurmët e tij qenë yje në ngjitje si José Donoso, Cortázar, Vargas Llosa, dhe Fuentes. Triumfi ndërkombëtar i Bumit Latino-Amerikan erdhi kur Çmimi Nobel ëpr Letërsinë iu dha Miguel Ángel Asturias më 1967. Njëqind Vjet Vetmi vështirë se mund të qe botuar në një vit më të mirë për letërsinë latino-amerikane. Deri në atë kohë, García Márquez dhe vepra e tij qe praktikisht e padukshme.

Në dekadat para se të mbërrinte në zenit, romani i ri LatinoAmerikan kërkonte vëmendje krahas tendencave të tjera letrare në rajon, në Spanjë dhe në të gjithë botën. Konkurrenca kryesore në Amerikën Latine qe indigenismo, e cila dëshironte t’i jepte zë popujve indigjenë dhe mbështetej nga shumë shkrimtarë që nga vitet 1920, përfshirë të riun Asturias dhe José María Arguedas, i cili shkruante në Spanjisht dhe në Kuençua (Quechua), një gjuhë vendëse në Ande.

Në Spanjë gjatë viteve 1950-1960, shkrimtarët përqafuan realizmin socialist, një stil i karakterizuar nga rrëfenja lakonike të historive të personazheve tragjike në mëshirë të kushteve të rënda shoqërore. Camilo José Cela dhe Miguel Delibes qenë mes mbështetësve kryesorë. LatinoAmerikanët që dëshironin të bënin karrierë letrare në Spanjë duhej t’i bindeshin këtij stili, një shembull qe i riu Vargas llosa i cili jetonte në Madrit, ku fillimisht shkroi tregime të shkurtra social-realiste.

Në arenën ndërkombëtare shkrimtarët Latino Amerikan e gjetën veten duke konkurruar me nouveau roman të Francës apo “romani i ri”. Mbështetësit, përfshirë Jean-Paul Sartre, e lavdëruan këtë rrymë si “anti-roman.” Për ta, objektivi i letërsisë nuk qe rrëfimi narrativ, por që të shërbenin si një laborator për eksperimentet stilistikë. Eksperimenti më trullosës i tillë qe romani ’A Void‘ i vitit 1969 nga George Perec, i shhkruar pa përdorur kurrë gërmën ‘e’, gërma më e përdorshme në gjuhën Frënge.

Kritika komentoi se Njëqind Vjet Vetmi qe një vepër arti tradicionaliste dhe anakronike.

Më 1867, tregu i librit qe më në fund gati, dukej, për Njëqind Vjet Vetmi. Në këtë kohë, shkrimtarët kryesorë Latino Amerikan qenë mërzitur me indigenismo, një stil i përdorur nga “provincialët e nënshtruar ndaj folkut,” siç e shau Cortázar. Një gjeneratë e re shkrimtarësh në Spanjë i kritikoi romanet e realizmit socialist si vepra arti të parashikueshme dhe teknikisht joorigjinale. Dhe në Francë, shkrimtarë në ngritje (të tillë si Michel Tournier me romanin Vendredi të vitit 1967) bënë thirrje për një rikthim te narracioni ndërsa joshja nga noveau roman u pakësua.

Mes viteve 1967 dhe 1969, kritikët argumentuan se Njëqind Vjet Vetmi kapërceu kufizimet në këto stile. Ndryshe nga lokalizmi i indigenismo, kritikët e panë Njëqind Vjet Vetmi si një histori kozmopolitane, e tillë që “mund të korrigjojë rrugën e romanit modern,” sipas kritikut letrar Latino-Amerikan Ángel Rama. Ndryshe nga gjuha e thatë e realizmit socialist, proza e García Márquez qe “purifikues atmosferik,” përplot me gjuhë të ndezur dhe poetike. Dhe në kundërshti me eksperimentet formale të nouveau roman, romani i tij u kthye te “narrativa e imagjinatës,” siç e shpjegoi poeti Katalan Pere Gimferrer. Pas përkthimit të librit në gjuhët kryesore, kritikët ndërkombëtarë e njohën këtë gjithashtu. SHkrimtarja Italiane Natalia Ginzburg me forcë e cilësoi Njëqind Vjet Vetmi “një roman të gjallë” duke shuar frikërat e kohës se romani qe në krizë.

Megjithatë kishte kritikë që thoshin se Njëqind Vjet Vetmi nuk qe një vepër revolucionare, d=por një vepër tradicionaliste dhe anakronike, fjalia hapëse e të cilës ngjasonte me formulën “Na ishte një herë” të përrallave. Dhe në vend që tq qe një roman serioz, ai qe një ‘kryevepër komike’, siç shkroi një kritik anonim i suplementit letrar të Times më 1967. Vlerësimet e hershme mbi këtë roman qenë me vërtetë shumë të ndryshme nga vlerësimet e mëvona. Më 1989, studiuesi i letërsisë në Jell Harold Bloom me solemnitet e quajti atë “Don Kishoti i ri” dhe shkrimtarja Francine Prose rrëfeu më 2013 se Njëqind Vjet Vetmi e pati bindur atë të ndërpriste studimet në Harvard.

Sot studiuesit, kritikët dhe lexuesi i përgjithshëm më së shumti lavdërojnë romanin si “shprehja më e mirë e realizmit magjik.” Më 1995, realizmi magjik shihej se po çante rrugën e vet në veprat e autorëve madhorë të gjuhës Angleze të tillë si John Updike dhe Salman Rushdie dhe për më tepër prezantohej si një “element i pazgjidhshëm dhe i papërjashtueshëm i jetës njerëzore,” sipas kritikut letrar në New York Times Michiko Kakutani. Por më 1967, termi realizmi magjik qe i pazakontë, madje jo shumë i njohur edhe në rrethet e studiuesve. Gjatë dekadës së parë të Njëqind Vjet Vetmi, për t’i dhënë kuptim kësaj “pune të paklasifikueshme,” siç e konsideroi një kritik, lexuesit zgjidhnin ta emërtonin atë si përzjerje të “fantazisë dhe realitetit,” një “roman realist përplot me imagjinatë”, “një rast i çuditshëm realizmi mitik,” suprarealizëm,” ose, siç e quajti një kritik i Le Monde, “simbolikë e mrekullueshme.”

Tashmë e parë si një rrëfenjë që i flet lexuesve në të gjithë botën, Njëqind Vjet Vetmi qe në origjinë i parë si një histori mbi Amerikën Latine. Studiuesi i Harvardit Robert Kiely e quajti atë “një gjenezë Amerikano Jugore” në vlerësimin e tij për Neë York Times. Përgjatë viteve, romani u rrit për të pasur “një teksturë të vetën,” për të përdorur fjalët e Updike, dhe ai u bë më pak një rrëfenjë për Amerikën Latine dhe më shumë mbi njerëzimin në tërësi. William Kennedy shkroi për National Observer se ky është “teksti i parë i literaturës që nga Libri i Gjenezës që duhet të bëhet lexim i detyrueshëm për të gjithë racën njerëzore.”

Ndoshta edhe më surprizuese, shkrimtarë të respektuar dhe publikues qenë mes atyre shumë të fuqishmëve krikë kundër Romanit. Asturias deklaroi se teksti i Njëqind Vjet Vetmi qe një plagjaturë e romanit të Balzakut të vitit 1834 Kërkimi për Absuluten. Poeti meksikan dhe fitues i çmimit Nobel Octavio Paz, e quajti atë “poezi e holluar.” Shkrimtari Anglez Anthony Burgess pretendoi se ai nuk mund të “krahasohej me eksplorimet e pastra letrare të Borges dhe [Vladimir] Nabokov”. Botuesi më me ndikim i letërsisë në Spanjë në vitet 1960, Carlos Barral, jo vetëm që refuzoi ta importojë romanin për publikim, por më vonë shkroi “nuk qe romani më i mirë i kohës së tij.” Në të vërtetë, kritikat këmbëngulëse ndihmojnë për ta bërë një vepër letrare si Njëqind Vjet Vetmi më të dukshme për gjeneratat e reja të lexuesve dhe kontribuojnë më shumë për shenjtërimin e saj.

Me ndihmën e kritikëve të vet, pesëdhjetë vjet më vonë romani ka hyrë tërësisht në kulturën popullore. Ajo vijon të lexohet nëpër të gjithë botën, nga njerëz të famshëm si Oprah Winfrey dhe Shakira, dhe nga politikanë si presidentët Bill Clinton dhe Barack Obama, i cili e quajti atë “një nga librat e mi të parapëlqyer nga koha kur isha i ri.”

Më së fundmi, me ndihmën e lexuesve dhe studiuesve të shqetësuar për ekologjinë, Njëqind Vjet Vetmi papritur fitoi rëndësi të re si ndërgjegjësues për ndryshimet klimaterike. Pasi platforma e shpimit për naftë të BP Deepwater Horizon shpërtheu në vitin 2010 në Gjirin e Meksikës (duke shkaktuar një nga katastrofat mjedisore më të rënda në histori), një advokues i politikave mjedisore iu referua aksidentit si “realizmi tragjik” dhe një gazetar amerikan e quajti atë “bishti i derrit i Petro-Botës.” Ku qëndronte lidhja me Njëqind Vjet Vetmi? Shpërthimi ndodhi në një vendburim gazi dhe nafte të quajtur Makondo nga një grup inxhinierësh të BP dy vjet më herët, kështu që kur sonda shpërtheu, realiteti u lidh me fantazinë. Disa lexues dhe studiues filluan të pretendojnë se shpërthimi dhe rrjedha e naftës zbuloi një profeci të ngjashme me atë të fshehur në manuskriptin e Buendiasve: një paralajmërim mbi rreziqet e shkatërrimit njerëzor të natyrës.

García Márquez jetoi sa për ta parë emrin e Makondos të bëhej pjesë e rëndësishme, sido që tmerruese, e historisë gjeologjike të botës, por jo për të festuar pesëdhjetëvjetorin e kryeveprës së tij. Ai u nda nga jeta më 2014. Por përjetori i romanit të tij më të njohur do të festohet në të gjithë botën.

 

Ju pëlqeu? Nëse po, ju mund të abonoheni me email te ky blog për të marrë njoftime mbi publikimet e reja.

You may also like...