Sistemi fiskal i bananes së përmbysur ose demagogji pa fund

 

Meqë qeveria refuzon të japë të dhëna reale mbi taksimin, kjo banane shpjegon më mirë kurbën e ngarkesës fiskale. Në krahun e majtë janë shqiptarët me të ardhura të ulëta, në qendër ato me të ardhura të mesme dhe djathtas, ata me të ardhura të larta. Mund të konsiderohet edhe si “Sistemi i taksimit të bananes së përmbysur”.

Meqë qeveria refuzon të japë të dhëna reale mbi taksimin, kjo banane shpjegon më mirë kurbën e ngarkesës fiskale. Në krahun e majtë janë shqiptarët me të ardhura të ulëta, në qendër ato me të ardhura të mesme dhe djathtas, ata me të ardhura të larta. Mund të konsiderohet edhe si “Sistemi i taksimit të bananes së përmbysur”.

Gjergj Erebara

Ka një barsaletë mes gazetarëve të ekonomisë nga viti 2007, kur Berisha vendosi të zbatojë ideologjinë e tij të sapozbuluar, neoliberalizmin. Pasi u shpjegua se si do të funksiononte sistemi i ri i të ardhurave personale, një gazetar doli në konkluzionin se ajo që u bë, nuk qe një sistem takse të sheshtë, siç shkruajnë librat e ekonomiksit, por qe një taksë me gungë.

Do ca fantazi për ta kuptuar. Fantazi e mërzitshme ekonomistësh me të dhëna të ardhurash e taksimi të shfaqura në grafikë të statistikës deskriptive. Shumicës së njerëzve  mund të mos u bëjë sens ky humor i hollë, por për hir të shkrimit të historisë së shtetit të dështuar shqiptar, unë po marr përsipër ta shpjegoj.

Taksimi progresiv nënkupton që të ardhurat kombëtare të vendit të ndahen në fasha, dmth që të shihet se sa për qind të të ardhurave kombëtare fiton 10 për qindëshi më i varfër, (aktualisht në Shqipëri afro 3.4 për qind të 14 miliardë dollarëve, sa fiton 10 për qindëshi i dytë më i varfër, dhe natyrisht, sa fiton 10 përqindëshi më i pasur i popullsisë, në rastin e Shqipërisë 30 për qind të të ardhurave kombëtare. Mbi këto të dhëna duhet të përcaktohen se sa para do t’i marrin shtresës së pasur për t’ia dhënë shtresës së varfër në mënyrë që këta të varfrit të ngrihen nga niveli i mbijetesës (njohur nga Banka Botërore si varfëri absolute) te niveli i varfërisë relative, dmth që kanë para për bukë, ngrohje e veshje, por nuk kanë para për shpenzime luksi. Gënjeshtra më e madhe është pretendimi i qeveritarëve të sotëm që e ashtuquajtura taksë progresive po bën pikërisht këtë. Jo, sistemi fiskal shqiptar mbetet me gungë.

Aktualisht në Shqipëri afro 15 për qind e popullsisë ka nevojë për këtë lloj transferimi të ardhurash nga të pasurit te të varfrit. Por qeveria nuk i ka paratë dhe dukshëm nuk ka as vullnetin të taksojë të pasurit për të ndihmuar të varfrit. Dukshëm qeveritarët tanë mendojnë se e vetmja transfertë e nevojshme për të varfrit është ndonjë thes me miell për t’i blerë votën.

Nuk ka rëndësi nëse je liberal, neoliberal, smithsonian, marksist apo çfarëdolloj ideologjie tjetër. Kjo që po bëhet nuk ka asnjë lidhje me taksën progresive.

Taksimi i sheshtë, mendon ndryshe. Njerëzit, thonë, janë dembelë nga natyra. Tregu është perfekt, kush fiton më shumë, punon më shumë. Shërbimet publike kanë një kosto që duhet të ndahen në mënyrë të barabartë mes përdoruesve. Në teori ngjan e saktë. Vetëm se ajo që u vendos në vitin 2007, nuk qe taksë e sheshtë. Ajo qe taksë me gungë.

Taksë me gungë, do të thotë që të varfrit paguajnë pak ose aspak taksa, të pasurit paguajnë pak ose aspak taksa. Shtresa e mesme ngopet me taksa dhe tarifa të të gjitha llojeve duke e polarizuar shoqërinë në të pasur dhe në të varfër, sepse ky lloj taksimi nuk bën që tjetër veçse vret shtresën e mesme, atë të profesionistëve apo punëtorëve të kualifikuar që janë në gjendje të fitojnë dy apo tre herë më shumë se sa mesatarja kombëtare dhe i realizojnë këto të ardhura me punë apo me biznes të vogël.

Aktualisht shtresa e mesme është më e formalizuar përballë tatimeve se sa të varfrit dhe të pasurit. Të varfrit nuk paguajnë sepse nuk ke çfarë t’i marrësh. Ndonjë cigareshitës në rrugë por nuk kapen nga tatimet sepse nuk ka kuptim. Të pasurit janë njëkohësisht ata që kanë pushtetin dhe rrjedhimisht bëjnë evazion fiskal pa teklif. Jo vetëm që bëjnë evazion fiskal, sepse në fund të fundit, korrupsioni nuk tatohet, milionat e gjykatësve nuk tatohen, ryshfetet e mjekëve, nuk tatohen, por kanë edhe avantazhe të ligjshme nga sistemi fiskal aktual. Psh, ata që kanë mundësi të blejnë një makinë të re, ligjërisht nuk paguajnë taksë për këtë makinë. Ndryshe ndodh për ata që blejnë një makinë të përdorur. Ata duhet të paguajnë më shumë. Të varfrit nuk taksohen sepse nuk kanë makinë.

Shtresa e mesme paguan gjithashtu faturat e dritave, të cilat, të varfrit i paguajnë më pak. Sa i paguajnë të pasurit, nuk e di, por di që një punonjës i CEZ më shpjegonte para do kohësh se si një kryebashkiak dhe një shef policie qe në listat e atyre që nuk e paguanin.

Kjo është situata: vitin e ardhshëm qeveria ka ndër mend të mbledhë mes 176 dhe 212 milionë dollarë taksa më shumë. Pjesa dërrmuese e këtyre taksave do të vijnë nga Bankers Petroleum, rreth 70 milionë dollarë.

Por më shumë do të paguajnë ata që janë në gjendje të pijnë një paketë cigaresh në vend që të pijnë duhan me të dredhur, do të paguajnë ata që mund të përballojnë një gotë birrë apo një shishe verë, ata që janë në gjendje të mbajnë një makinë, ata që mund t’i lejojnë vetes të marrin makinën dhe të shkojnë deri në Durrës për drekë apo ata që mund të shkojnë një fundjavë jashtë Tirane. Të varfrit dhe të pasurit do të vijojnë të mos paguajnë. Thjeshtë dhe pastër se Shqipëria nuk ka një problem fiskal, apo një krizë buxhetore.

Kjo që po përjetojmë është një krizë korrupsioni, evazioni fiskal dhe mungese shteti ligjor. Qeveria thotë se ka nja 1 miliardë dollarë fatura të papaguara për biznese e individë, përfshirë punonjësit e shtetit që qëllimisht pushohen “padrejtësisht” nga puna, sepse dihet që do të shkojnë në gjykatë, ku do të ndajnë vjedhjen me gjykatësit.

Nga ana tjetër, vetëm për dritat, popullsia i ka mbi gjysmë miliardi dollarë fatura të papaguara shtetit, të cilat shteti nuk ka ndër mend t’i mbledhë. Dhe të mos mendojë ndokush se këto fatura të papaguara i përkasin të varfërve. Studimet në të shkuarën kanë treguar se pjesa më e varfër e shoqërisë shqiptare, pensionistët, janë paguesit më të rregullt të energjisë.

Në vend që të merret me mbledhjen e taksave, qeveria ka vendosur të taksojë shtresën e mesme. Dhe nuk po i takson që të ndihmojë të varfrit. Prioriteti është shlyerja e faturave të biznesit dhe e rrogave për pushimet nga puna të administratës së mëparshme. Qeveria e vendosi prioritetin e vet. 5 milionë dollarë për të paguar pak familje të pasura te pallati i Lulit. Asnjë lek për të paguar ndihmën ekonomike.

Tani, janë nja 20 mijë vetë në Shqipëri që do të paguajnë më shtrenjtë me sistemin e ri fiskal të tatimit mbi të ardhurat personale. Nga këto, pjesa më e madhe punojnë në shtet. Por për këtë shtresë, ekspertët e kryeministrisë mësohet se e kanë shpikur një kleçkë për t’i shpëtuar. Një pjesë punojnë në sektorin privat dhe janë nga të paktit shqiptarë që deklarojnë me të vërtetë të ardhurat e tyre aq sa i kanë.

Kuptohet, pjesa tjetër e shoqërisë do të paguajë më shtrenjtë gjithashtu, përfshirë edhe të varfrit. Pjesa më acaruese është kur një rritje taksash prezantohet si ulje taksash.

Por për shkak se besojnë seriozisht se propaganda do t’i ndihmojë të gënjejnë shqiptarët, kanë nxjerrë lloj-lloj tabelash me të ashtuquajturat “taksim progresiv” apo “taksim i ndershëm”.

Sa për info, matematika dhe shkenca e administrimit fiskal nuk ka zbuluar deri më sot asnjë lloj formule që të meritojë emrin “i ndershëm” apo “e ndershme”. Në thelb, ky është një sistem i ndershëm… vetëm se është pak me barrë.

Edhe ky vizatim i doktor Antoine de Saint-Exupéry i një boa konstriktor që ka ngrënë një elefant funksionon si grafik. Në krahun e majtë janë shqiptarët me të ardhura të ulëta, në qendër ato me të ardhura të mesme dhe djathtas, ata me të ardhura të larta.

Edhe ky vizatim i doktor Antoine de Saint-Exupéry i një boa konstriktor që ka ngrënë një elefant funksionon si grafik. Në krahun e majtë janë shqiptarët me të ardhura të ulëta, në qendër ato me të ardhura të mesme dhe djathtas, ata me të ardhura të larta.

You may also like...