Sistemi i grabitjes, kur politika gllabëroi shtetin modern

Ka raste në historinë e botës kur buxheti i shtetit dhe punësimet në administratë publike kthehen në një plaçkë lufte. Disa vende e kanë përjetuar këtë situatë dhe nuk kanë dalë kurrë shumë mirë dhe as shumë lehtë prej saj

Gjergj Erebara

Karikaturë nga Thomas Nast në gazetën Harper’s Weekly më 28 prill 1877 e titulluar: Në përkujtim të shërbimit tonë civil siç ai qe. Andrew Jackson kalëron një derr i cili gjendet mbi kocka ku shkruhet “mashtrime”, “ryshfete”, “plaçkitje”. Derri po ushqehet me plaçkitje. Memoriali shkruan: “Fituesit i takon plaçka e luftës”, A. Jackson.

Karikaturë nga Thomas Nast në gazetën Harper’s Weekly më 28 prill 1877 e titulluar: Në përkujtim të shërbimit tonë civil siç ai qe. Andrew Jackson kalëron një derr i cili gjendet mbi kocka ku shkruhet “mashtrime”, “ryshfete”, “plaçkitje”. Derri po ushqehet me plaçkitje. Memoriali shkruan: “Fituesit i takon plaçka e luftës”, A. Jackson.

Andrew Jackson është një nga të paktët presidentë që e ka fytyrën e tij te një nga kartëmonedhat e dollarit amerikan. Si presidenti i gjashtë i amerikanëve, (1829-1837), ai njihet si gjenerali që luftoi indianët dhe britanikët, dhe për mbështetjen e demokracisë popullore si ana e kundërt e një demokracie të dominuar nga aristokracia.

Kur u bë president, ai i premtoi mbështetësve të tij se nuk do të lejonte që burokracia shtetërore federale të kthehej në një lloj aristokracie e pathyeshme që vepronte jashtë pushtetit të popullit. Me këtë rast, ai premtoi se do të heqë burokratët me një sistem rotacioni krahas rotacionit të presidentit dhe qeverisë. E shitur në publik si një reformë kundër kalbëzimit burokratik, në fakt, ai u njoh në histori si themelues i sistemit të plaçkitjes (spoils sistem).

Një karikaturë iu bë atij Harper’s Weekly më 1877, një gjysmë shekulli pasi ai kishte ikur si president. Këtu Jackson paraqitet në një monument ku ka kalëruar një derr, ku derri gjendet mbi “mashtrime”, “ryshfet” dhe “plaçkitje” duke u nginjur me plaçkën e pushtetit. Memoriali shkruan “Fituesit i Takon Plaçkitja”.

Jackson nuk vinte nga një familje e njohur. Populizmi qe arma e tij politike. Sistemi i tij politik qe i thjeshtë: gjatë fushatës për t’u zgjedhur president, ai i premtoi mbështetësve të vet vende pune në administratën publike si dhe kontrata të majme qeveritare. Sapo u bë president, ai pushoi nga puna 919 zyrtarë, dhjetë për qind e të gjithë të punësuarve në administratën federale. Ky qe një ndryshim i madh nga sistemi i mëparshëm, që bazohej te karriera dhe profesionalizmi i administratës publike. Sistemi postal qe sektori më i prekur. Mbi 400 punonjës u hoqën nga puna pavarësisht se çfarë pune kishin bërë në të shkuarën, për t’u zëvendësuar me besnikët e Jackson.

Karikaturë nga Thomas Nast në gazetën Harper’s Weekly më 26 Janar 1878. Sekretari i Brendshëm po heton për korrupsion Byronë e Indianëve. Ai duhet të marrë një pjesë të korrupsionit për t’i lënë atyre pjesën e vet.

Karikaturë nga Thomas Nast në gazetën Harper’s Weekly më 26 Janar 1878. Sekretari i Brendshëm po heton për korrupsion Byronë e Indianëve. Ai duhet të marrë një pjesë të korrupsionit për t’i lënë atyre pjesën e vet.

Për shkak se presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara, George Washington, vendosi precedentin e pashkruar që thoshte se një president nuk mund të qëndrojë në zyrë për më shumë se dy mandate, Jackson doli në pension pas tetë viteve. Por sistemi i tij politik i favoritizmit mbijetoi edhe për disa dekada pas tij. Vetëm më 1883, u krijua akti i parë i shërbimit civil bazuar te meritat. Nga viti 1900, shumica dërrmuese e vendeve të punës në administratën federale u ndanë në bazë të meritës dhe ndryshimi politik u kufizua vetëm në nivelet e larta të administratës.

I njohur si “spoils system” në SHBA, favoritizmi dhe nepotizmi është i njohur në të gjithë botën. Modeli funksionon si sundim i pakicës mbi shumicën dhe shkulja e këtij sistemi për t’u zëvendësuar me administratë publike funksionale në shërbim të qytetarëve nuk ka rezultuar kurrë e lehtë. Pasojat ekonomike janë gjithmonë të rënda.

Italia psh është një nga shembujt më të këqij. Kur Italia përjetoi procesin e njohur si Bashkimi, në shekullin e 19, ky bashkim në emër të nacionalizmit u krye duke u bazuar më së shumti te Mbretëria e Piemontes. Pas bashkimit, për shumë dhe shumë dekada, piemontezët dominuan jetën ekonomike dhe politike të vendit. Deri në mes të shekullit të 20, pothuajse i gjithë korpusi i oficerëve të ushtrisë qenë nga Piemonte. Edhe sot e kësaj dite, Jugu i Italisë është i diskriminuar.

Në Greqi, ka një periudhë në shekullin e 19 që njihet si “korrupsioni sistemik”. Ndryshe nga korrupsioni i zakonshëm, ku zyrtarët përfitojnë para nën tavolinë nën këmbim të favoreve të ndryshme, korrupsioni sistemik krijohet kur të gjitha hallkat e shtetit përdoren si një tra dogane ku duhet të paguash për të kaluar. Në Greqi, dy palë politike hynë në garë me njëra-tjetrën dhe dy njerëz shkëmbyen postet e kryeministrit mbi gjashtë herë. Charilaos Trikoupis qe djali i një kryeministri dhe qe përgjegjës e sinonim i korrupsionit sistemik. Në drejtim të administratës publike, çdo punonjës duhej të kishte një marrëveshje shkëmbimi favoresh me kryeministrin e vendit. Në termar e korrupsionit, të korruptuarit duhet të ndanin një pjesë të plaçkës me të.

Litografi pas grushtit të shtetit nga ushtarakët në Greqi më 1909. Greqia paraqitet si një ushtarak që shkel gjarprin e madh të korrupsionit politik.

Litografi pas grushtit të shtetit nga ushtarakët në Greqi më 1909. Greqia paraqitet si një ushtarak që shkel gjarprin e madh të korrupsionit politik.

Zgjedhjet e shpeshta që përjetoi vendi në këtë periudhë bënë që uria për korrupsion të qe më e madhe. Ai shpenzoi shumë për të ndërtuar objekte infrastrukturore, shpesh pa ndonjë llogjikë ekonomike por me synimin për të krijuar tendera dhe për të marrë pjesë. Në fund, Greqia falimentoi. Financat e vendit u morën nën kontroll nga fuqitë kredituese. Oficerët e ushtrisë, të zemëruar me dobësinë e shtetit nga etja për korrupsion, bënë një grusht shteti dhe e prezantuan veten si shtypës të politikanëve të korruptuar.

Një sistem i ngjashëm i krijua në Kroaci pas pavarësisë. Në fund, shteti kroat, nën trysninë e Bashkimit Europian, e futi në burg kryeministrin Ivo Sanader, i cili qe edhe një hero i luftës për pavarësi, nën akuzën e krijimit të një organizate kriminale. Kjo organizatë kriminale përdorte ryshfetin për të financuar partinë. Edhe në këtë rast, vendi përjetoi një bum ndërtimi, qindra kilometra autostrada u krijuan me borxhe, shumë shpesh, krejtësisht të panevojshme. Zgjedhjet manipuloheshin rëndë duke përdorur këtë pushtet ekonomik të akumuluar përmes korrupsionit sistemik.

Shtypja e korrupsionit sistemit qe një parakusht për anëtarësimin. Kroacia e bëri. Sanader u dënua me 10 vite burg. Gjatë gjyqit, emri i tij rezultoi përgjegjës për korrupsion në pothuajse çdo privatizim të rëndësishëm të ndërmarrjeve shtetërore dhe çdo tender publik të madh.

You may also like...