Skicë e parlamentit përpara se të fillonte seanca

 

albanian_politics_people_2014905Xhabyni

Salla qe e mbushur me deputetë ndërkohë që gazetarët po vinin një e nga një. I kisha përballë të gjithë ato që ligji i quan përfaqësuesit e mi, popullit, të qeshur dhe të gëzuar.  Salla e ngrohtë dhe kostumet që shndrinin, shakatë dhe kunjat që lëshoheshin sa nga njëri krah në tjetrin ndërkohë që nuk mungonin dhe ato që ishin seriozë dhe qëndronin në karriget e tyre.

Në të majtën time, qe ulur përpara se të vija dhe unë, Baca Berisha. Nuk kishte nevojë të kryente ndonjë gjest të tepruar sepse kushdo nga opozita që futej në sallë shkonte një herë ta takonte apo t’i thoshte një batutë.

Ai qëndronte i ulur dhe i përgjigjej të gjithëve, dëgjonte duke tundur hera herës dhe kokën në shenjë aprovimi, ngrinte dorën e tij duke përcaktuar mendimin e tij me një siguri thuajse të barabartë me të vërtetën. Rreth tij ishin deputetët e rinj, atyre që u ka rënë barra të mbrojnë këtë opozitë të vogël në numra gjithaq dhe në ide, që i shihje edhe të komunikonin me liderin.

Ndërkohë që biseda qe e ngrohtë në krahun e djathtë, në hyrje të sallës u shfaq buzagazi i përhershëm Majko. Ai tundi kokën duke përshëndetur të pranishmit të cilët vazhduan bisedën e tyre thuajse askush nuk kish ardhur, i vetmi që lëshoi një batutë ishte Berisha. Nuk arrita të kuptoj se çfarë shkëmbyen sepse Majko vazhdoi të ishte i qeshur dhe Berisha u kthye sërishmi nga pionierët duke u folur. Në krah të tij pashë një zonjë, me flokë të zeza e cila e shihte atë në dritë të syrit duke tundur kokën për çfarëdo lloj gjëje që ai nxirrte nga goja. Nuk po e kuptoja se kush qe, vetëm në çastin kur ajo qeshi pa qeshur ende i pari arrita ta njoh, ishte Jozefina.

Dritat e prozhektorit ranë mbi një burrë jo fort të gjatë, mbante syze, kishte një buzëqeshje gjysmë të vërtetë. Ai nuk e pa Kryetarin por eci në drejtim të të majtëve, atje e ndaloi Fatmir Xhafa që me atë xhufkën e tij mbulonte fjalët që lëshonte nga goja; i qeshi dhe i rrahu shpatullat. Burri qëndronte përballë Fatmirit dhe i zgjati dorën një tjetër Fatmiri dhe me një gjest i tundi kokën duke i kërkuar diçka. Në ato çaste Haxhinasto zbriti nga podiumi dhe iu drejtua me hap të shpejtë burrit me syze, i preku shpatullat dhe i foli duke buzëqeshur. Mes gjithë kësaj hareje që po bëhej në mesin e parlamentit dëgjohen hapat e Ballës i cili i ndali ato mu pas shpatullave të burrit me syze që ka buzëqeshjen e shtirur. I dha dorën dhe pasi shkëmbeu disa fjalë me Xhafën u largua si pa të keq.

Në sallë, nga hiçi u shfaq nje burrë që nuk kishte hije, me flokët e lëshuar, një tullë mu në toç dhe mjekër, eci disa hapa dhe ktheu kokën pas për të pritur dikë që askush s’e shihte përpos tij. Gjatë kësaj kohe të pritjes, në këmbë brofi Tahiri i cili me një shpejtësi të habitshme rendi drejt burrit pa hije duke iu hedhur në qafë. Ky i fundit qeshi aq shumë, nga dashuria e njërit prej bijve, saqë zëri i tij u dëgjua të kumbonte në gjithë sallën, të gjithë i panë të dy dhe vërejtën që po nga hiçi erdhi njeriu i çantës së zezë. Me disa hapa që nuk bënin zhurmë ai i hodhi dorën në qafë Tahirit dhe e pa ngultas në sy duke i folur pa lëvizur buzët.

E gjithë kjo skenë nuk kaloi pa u vënë re dhe nga i bukuri i grave të PS-së, i cili qëndronte i rrethuar në një kënd me gratë e partisë së tij duke ndarë hallet dhe qokat që kish vendosur të trajtonte në ministrinë e tij. Edhe në ato çaste nuk e ndante ende veten nga imitimi i gjesteve të kryetarit. Njësoj si Majko edhe rookie Veliaj vazhdonte të buzëqeshte për gjithçka dhe në gjithçka që i thuhej, shihte me endje dhe të jepte përshtypjen e një personi që ose kupton gjithçka që i thonë (e kjo i duket qesharake) ose nuk kupton asgjë por gjithsesi qesh. Vazhdoi të buzëqeshte edhe kur pa nja dyzet hapa larg qoshes të tij Muhedinin e Çamëve që ecte më në paqe nga të gjithë tamam si qengji i mirë që e di se pi në shumë sisa.

Atje në podium, karriget qenë thuajse bosh. Arben Ahmetaj vazhdonte të vallëzonte sa një lule në një tjetër, krenohej se kish nxjerrë i pari tabelën e taksës progresive mbi pagat, Ilir Beqja gajaste gratë ministre me barsoletat që kish mësuar së fundmi në ministri dhe përpiqej të blinte nëse këto duhet t’ia thosh dhe Kryetarit. Celibashi dhe Cani qëndronin ulur pa i hedhur aspak sytë njëri tjetrit, vështrimi i tyre qe i përhumbur derisa në sallë u shfaq Bode. Armiku që e kish akuzuar si llogaritar patatesh kishte mbërritur në sallë, hapi menjëherë bllokun e batutave të gatshme që kish marrë nga PR i shefit dhe filloi të shfletonte më të goditurën. Ndërsa Bode rendi me vrap t’i japë dorën kryetarit legjendar.

Nga e djathta e sallës u shfaq një hije e shkurtër, i hidhte hapat si një kodosh por për asnjë çast askush s’e vuri re. U kollit nja dy herë por si përgjigje mori një të sharë nga Ahmetaj. i cili nuk e pa kush qe por vetëm reagoi për t’u rënë në sy zonjave ministre. Burrin e shkurtër  vetëm pasi mbërriti tek podiumi dhe i hodhi një sy sallës të tjerët e vunë re. Ishte Erjoni tjetër, Ahmetaj iu afrua për t’i kërkuar ndjesë por me sa duket i këputi edhe një batutë me të cilën qeshën të gjithë përpos Braçes. Këtij duket se i qe tiposur në kokë që do mbante peshën e gjithë debatit dhe i kërkoj Gramoz Ruçit që t’i sillte listën e anëtarëve të PS-së që do flisnin në seancë. Ruçi pasi e pa një herë nga koka (se kokë e këmbë i ka një ky) i këputi një të sharë që dinë ta japin vetëm ato nga Tepelena, kjo mjaftoi që Braçe të zbriste pa bzajtur nga podiumi drejt vendit të tij duke u stërvitur me vokalica.

Ndërsa Braçe ikte dhe Doshi me Stërkaj futeshin në sallë duke parë myshterinë që rrinte para kryetarit legjendar dhe kujtonin veten kur një herë e një kohë bënin po ashtu në sallë shfaqet Imami që pasi rregulloi gjyzlykët e tij nxitoi të falenderonte doktorin për analizën dhe diagnozën e saktë që kish dhënë për piktorin. Pas tij në sallë vjen Ristani, duket që para se të hynte i kishin bërë kontrollin anti-alkool dhe ai kish rezultuar si kokrra e mollës, Bregu erdhi më vonë nga të gjithë. Qëndroi pak ftohtë dhe pastaj vendosi të takoi legjendarin, nën sytë e mprehtë të Topallit që është në kërkim të tradhtareve në parti.

Hapat filluan të shpejtoheshin…u hap fjala se i gjati dhe i shkurtri kishin mbaruar së ngrëni brioshin ke qoshku dhe tani do hynin në sallë. I pari erdhi i gjati, që pasi bëri apelin me sy, bëri inspektimin e veshjeve në ishin ashtu siç Endri kish sugjeruar, pa orën dhe ktheu kokën nga vendi i të shkurtrit. Nuk e pa aty. U kthye i shqetësuar, hodhi vështrimin nga e djathta dhe kur pa Berishën u qetësua dhe qeshi nga sikleti, kroi kokën dhe vuri re  Finon, me barkun e tij karakteristik që nga ditët e lumtura të 97’ (ku u bë kryeministër) e deri më tani se kish hequr, pastaj i pa buzët e tij që ishin akoma me yndyrë. Hodhi vështrimin dhe pa Stërkaj, iu kujtuan ditët kur ky mesoburrë i bëshëm e kish rrahur për vdekje. U ndje keq, kështu që u ngrit dhe iku për nga dera e të shkurtrit ndërkohë i shkurtri po hynte dhe u ndeshën. Kryetari i qeverisë qeshi, u çlirua, ai ende vazhdonte të ishte kryetar qeverie e rroku në gjirin e tij, të shkurtrin, e ftoi të ulej në postin që i takonte. Pastaj vërejti vëngër Jozefinën dhe Saliun “Nuk ma merr Lulka mua Liken!” dukej sikur thoshte.

Kaq mjaftoi….Likja nisi të fliste dhe teatri filloi!

You may also like...