SOMNAMBULËT E BROCH-UT

Xhabyni

Letërsia Gjermane e para luftës së dytë botërore është një nga burimet më të pasura që jo vetëm shtroi pyetje të rëndësishme mbi njeriun dhe raportin e tij me të vërtetën dhe realitetin por qe dhe pararoja e asaj që do të quhej letërsia moderne si dhe ajo e absurdit. Somnambulët është një nga romanët më magjepsës që kam lexuar, autori i këtij romani është një personazh i çuditshëm i cili në moshën 30 vjeçare vendosi të mbyllë biznesin e tij edhe të merret me letërsi. Megjithëse më parë ai e kish konsideruar shkrimin e romanit si një aktivitet për plebenjtë, i cili qe një shkallë më poshtë se sa filozofia që qe në kërkim të të vërtetave. Por që si trashëgimi i la botës dy nga romanet më të bukura.Piktura e Pikasos ne Kopertinen e Librit "Somnambulet" ne anglisht

Por pakohësia e këtij romani vërehet jo vetëm në ndërtimin e personazheve dhe pleksjeve të tyre me realitetin por edhe në vetë pyetjet dhe përgjigjet që autori shtron. Jo më kot një nga shkrimtarët më të mirë të ditëve të sotme, Milan Kundera, do ta cilësonte Broch si “babain” e tij letrar dhe këtij romani ai do t’i dedikonte një kapitull të veçantë në esenë  tij “Arti i Romanit”. Sa më poshtë është një përjetim personal i librit.

Ndërkohë që lexoja tre pjesët, të cilat përbëjnë strukturën e romanit, më vinin ndërmend lidhjet që ai roman megjithëse i shkruar shekullin e shkuar kishte me realitetin e Shqipërisë. Romani është një trilogji e cila nuk mund të lexohet e ndarë. Arsyet e kësaj mos ndarjeje vijnë për shkak se për ta kuptuar të plotë mesazhin e romanit nuk mund t’i lexosh pjesët e shkëputura por ato duhet të lexohen të gjitha së bashku, njëra pas tjetrës.

Megjithëse narrativa hera herës duket e copëzuar, romani ka një lidhje të brendshme filozofike që i jep kuptim jo vetëm secilës trilogji por edhe gjithë frymës së tij në tërësi. Kjo e bën edhe më të veçantë si roman, personazhet e të cilit megjithëse kanë një farë lloj lidhje mes tyre kanë një narrativë dhe dinamikë tërësisht të ndryshme, karakteret dhe filozofia e cilësdo pjesë lidhet sa me tërësinë e romanit aq dhe me trilogjinë.

Pjesa e parë e romanit mban titullin “Romantiku” dhe si personazh kryesor ka Joachim von Pasenow, një oficer, i cili ka një gjendje të dyzuar nëse duhet të ndjekë dashurinë dhe ndjesitë për një vajzë punëtore të quajtur Ruzena apo për një zonjë të rangut të tij si Elizabet. Titulli “Romantiku” të jep përshtypjen se kjo pjesë ka të bëjë më së shumti me ndjesitë dhe emocionet e dyzuara që Pasenow do të ketë ndaj të dy grave. Në fakt kjo është vetëm një nga temat e tërthorta përmes së cilës Broch ngre gjithë rrjetën e tij të mendimit dhe narrativës. Mbi të ai do të përpiqet të na transmetojë frymën romantike por jo në kontekstin e thjeshtë të ndjenjës së dashurisë por në kontekstin e gjendjes së Gjermanisë së asaj kohe, fryma e romantizmit si një gjendje social-kulturore në periudhën në të cilën u shkrua ky roman. Kështu personazhi kryesor është një person i lidhur ngushtë ende me ato vlera dhe parime që Broch i konsideronte si në zhdukje. Parimet e epokës romantike si nderi, të qenurit kavalier  e kështu me radhë. I mbartur me këto vlera ai gjendej përpara një realiteti komplet tjetër, një realitet të mbushur me një mendim ndryshe për botën, moralin dhe marrëdhënieve që njeriu duhet të kishte me botën. Të gjithë këto cilësi të botës moderne, si antitezë e romantizmit të Pasenow, autori i mishëron në personazhin Bertrand, i cili përshkruhet si i dyshimtë, një kapitalist që nuk i intereson aspak nderi dhe vlerat.

Kjo është beteja morale dhe etike në të cilën ndodhet Joachim e të cilën e shtrin autori përgjatë gjithë pjesës së parë, personazhi kryesor pëson një krizë ndërsa kërkon lirinë apo liberalizmin që mishërohet nga ana e Ruzenës dhe vlerave tradicionale dhe konservative që përfaqësohen nga ana e Elizabetës. Vetë raporti mes Ruzenës dhe Pasenow është ndërtuar jo si një raport mes një prostitute dhe një klienti, por si një çështje ndjesie dhe emocioni.

Aftësia krijuese e Broch vërehet edhe në përshtatjen e karaktereve dytësore si ajo e Ruzenës, duke e sendërtuar atë në një formë të tillë që i jep gjithnjë e më shumë tipare përcaktuese jo vetëm për mesazhin që romani përpiqet të përcjellë por edhe për vetë dinamikën e narrativës.

Pjesa e dytë e romanit quhet, Anarkisti, e është e zhvilluar pas viteve 1903 duke patur në përbërje personazhe të tjerë edhe pse në vazhdën e ngjarjeve hasemi me personazhe të pjesës së parë si rasti i Bertrandit. Personazhi kryesor August Esch është një llogaritar i cili humbet punën e tij dhe gjen një punë në Kompaninë e Lundrimit të Rhinit Qendror, kompania është në pronësi të Bertrandit. E gjithë narrativa e pjesës së dytë zhvillohet pikërisht nën raportin e Esch me eprorin e tij bashkë me lidhjen dashurore mes të parit me një grua në moshë, zonjës Hentjen. Por siç e shënova dhe më sipër, qëllimi i autorit është raporti që personazhi ka me veten dhe krizën ekzistenciale që ai ka në raport me vlerat e botës. Krizë që në vetvete përfaqëson Austro-Hungarinë dhe thuajse gjithë botën perëndimore në atë periudhë, vlera tw cilat autori i vendos në pikëpyetje e që vazhdojnë të shtrohen edhe sot e kësaj dite pa patur një përgjigje bindëse. Ky është fokusi i vërtetë i shkrimtarit në romanin e tij.

Anarkia që është dhe titulli i pjesës së dytë përshkruan gjendjen psikologjike të personazhit kryesor dhe atë moralo-kulturor të Gjermanisë e Austro-Hungarisë. Ndryshe nga Joachim, jeta e të cilit kishte një perspektivë të qartë nëse ai bënte zgjedhjen e duhur, jeta e personazhit të pjesës së dytë është e pasigurtë. Jeta, puna janë të pasigurta sepse vendi i punës mundet të humbet në ç’do moment, jeta social-politike është tërësisht e pasigurtë dhe e paqartë. Ndërkohë që vendi jeton nën frymën kapitaliste, idetë socialiste e kanë pushtuar mendjen dhe shpirtin e të rinjve dhe qytetarëve si një pozicion oponent ndaj frymës shtypëse dhe abuzuese të parës. Nëse në pjesën e Romantikut personazhi kryesor, Joachim, është i dyzuar mes dy zgjedhjeve të cilat ai i di se kush janë por duhet t’i zgjedhë, personazhi i pjesës së dytë nuk i di se cilat janë zgjedhjet e tij. Kriza e tij buron pikërisht nga kjo padije dhe pasiguri. Koha qe karakterizuar nga një zymtësi morale dhe kulturore, një ambiguitet, ndërkohë që Esch përpiqet të gjejë qartësinë, sigurinë, ai kupton (sikundër shumë prej nesh e kuptojnë sot e kësaj dite), i lënë në mëshirë të fatit pa drejtim, pa dikë për ta udhëzuar atë.

I lënë në vetmi, në kuptim Sartrian të fjalës, ai duket se i drejtohet meditimit gati religjioz.  Mendime që në fundin e pjesës së dytë puqen përballë filozofisë të Bertrand (që është një farë figure profetike), gjatë dialektikës së tyre preket figura mesianike që pritet të vijë. Kjo ide, e shprehur nga goja e Bertrand, është ajo se gjindja mund të kthehet në udhën e duhur me ardhjen e një njeriu i cili do të sjellë shkatërrimin total, e kështu kur shoqëria që ka arritur pikën e saj më të ulët mund të rindërtohet nga ky njeri. Kjo është ideja me të cilën përfundon pjesa e dytë duke u përgatitur për pjesën e fundit të triologjisë.

Pjesa e tretë quhet “Realisti” dhe ndodh gjatë zhvillimi të Luftës së Parë Botërore. Ndryshe nga dy pjesët e para të romanit, pjesa e tretë ka një stil rrëfimi tërësisht të ndryshëm nga ato. Narrativa e pjesës së tretë ndërthuret hera herës me qasje historike të gjendjes së luftës, pjesë filozofike që fokusohen në gjendjen e shoqërisë.

Në këtë pjesë vërehet se si dy personazhet kryesore (pra filozofitë që mbijetuan në dy pjesët e mëparshme) bashkohen për t’u vënë në lëvizje në antitezë filozofike ndaj personazhit të ri që Broch krijon, Huguenaut. Huguenau,  ndryshe nga Pasenow, e madje ndryshe edhe nga anarkisti Esch, nuk ka asnjë princip. Ai është i përgatitur për të vepruar pa ndërgjegje duke përshkruar kështu progresin e gjindjes njerëzore drejt gjendjes së të qenurit tërësisht në shërbim të egos personale është i përmbushur. E për ta përforcuar akoma më tej këtë filozofi dhe veprim të personazhit të ri të HermannBrochTypingpaskrupullt autori i mundëson atij të dezertojë nga ushtria duke vazhduar më pas në udhën e mashtrimit dhe vrasjes për hirë të të mirës personale.

Ashtu siç August Esch shprehet në roman “E gjitha bota ecën me paterica…..një çalim i shëmtuar …” në këtë mënyrë mund të lexojmë degradimin e vlerave të Evropës që Herman Broch përpiqet ta paraqesë në romanin e tij. Duke ndërthurur narrativën letrare me thellimet e tij filozofike mbi degradimin e vlerave morale dhe njerëzore të një shoqërie që rrëshqiti në një tjetër luftë. Hera herës thellësia dhe filozofia që paraqesin personazhet e këtij romani më kujton jo pak frymën dhe filozofinë në të cilën ka rrëshqitur edhe shoqëria jonë. Një roman që nuk duhet humbur, një roman që të godet si një grusht në stomak nga i cili zor se e merr veten shpejt pa reflektuar mbi gjendjen dhe frymën që të rrethon.

You may also like...