Të 300 (ditët)

Xhabyni

Mbas 300 ditësh në krye të qeverisë kryetari i saj, shpura e ministrave dhe kryetari i kuvendit (njëkohësisht gjysma e majme e qeverisë së djeshme dhe të sotme) u mblodhën për t’i treguar popullit se sa të mirë kanë qenë këto ditë në qeveri. I treguan qytetarëve se sa mirë kishin vepruar që votën ua dhanë atyre më 23 qershorin e vjetshëm, e pastaj gjetën fare pak vend për të lëvduar veten për aftësitë e treguara.leoniadas

Në fjalimin e vet lodhës dhe të mërzitshëm, kryeministri nuk la pa përmendur sa e sa arritje të administratës së tij, por ende nuk i ka kthyer përgjigje pyetjeve kryesore me të cilat ngriti për 4 vjet pa 4 muaj opozitën e tij. Këto shtylla të opozitarizmit të djeshëm mund të përkthehen në dosja e bllokut të zi, ajo e 21 Janarit dhe Gërdeci. Në 300 ditë kryeministri që dëshiron të hyjë në histori nuk ka bërë asgjë për këto themele të opozitarizmit të djeshëm.

Si të gjitha fjalimet bajate të kohëve të fundit edhe kësaj radhe ai u fokusua tek rastin Gjin Gjoni  përmes një humori de-mode filloi t’i binte në qafe Gjonit a thua se ai është fajtori që fjala vjen Ilir Meta nuk u dënua për bllokun e zi apo që Delijorgji doli i pafajshëm për Gërdecin. Gjithashtu u përpoq të na rikujtonte që në 300 ditët e ardhshme do të filloj të merret me Bujar Nishanin, sepse ai është i pakënaqur nga presidenti. Madje, shkëlqesia e tij, ishte i pakënaqur edhe nga vetë z. Llalla dhe sjellja e këtij të fundit.

Të gjitha këto pakënaqësi që në gjuhën e politikës duan të tregojnë se radhën për sulm e kanë këto dy institucione bien pak ndeshë me fjalinë “Sot është e lehtë të mendosh ndryshe e të shprehesh, është e lehtë të jesh kundër qeverisë, nuk të gjen asgjë, madje dëgjohesh me respekt, është realitet i 300 ditëve të para”. Nëse është një realitet që njerëzit janë të lirë të veprojnë dhe mendojnë ndryshe atëherë përse shkëlqesia e tij i vërsulet Presidentit dhe Kryeprokurorit?

Natyrisht që vërsulja nuk është ajo e kohës së Berishës, por duhet të kuptojmë që Rama i përket një tjetër shkolle politike ndaj nuk mund të imitojë në përpikmëri të parin. Por ama skema është po aq e vjetër sa edhe e konsumuar. Siç fjala vjen “lavdëroi” si në për të lëvizjen qytetare kundër Armëve Kimike, duke harruar se ai u soll njësoj si Hitleri dhe Enveri duke nëmur popullin për padijen e tij.

E në fund e mbylli me opiumin e këtyre 20 viteve, pra statusin, duke na e shitur si një arritje shqiptare kur është shumë e qartë dhe e dukshme që është një dëshirë evropiane për të na e dhënë atë 5 dhe jo sepse Rama apo ndokush tjetër ka ndonjë meritë të veçantë.

Për të folur më shkoqur për ministritë dhe arritjet e tyre

  • Ministria e Financave

Nuk ishte ministri Cani ai që doli në dhjetorin e shkuar për të lexuar se sa do të përfitonin Shqiptarët nga paketa e re fiskale që miratoi qeveria, kjo kishte një arsye. Shkëlqim Cani nuk ka karizmën e patosin e duhur për ta bërë një popull të besojë se do të jetojë më mirë.

Megjithëse nxorën një gazetar të rishpikur si ministër ekonomie, sërishmi skema e re financiare dështoi me sukses. Ministri Cani po tregohet shumë herë më i ngathët se sa paraardhësi jo vetëm në mbledhjen e taksave që i implementoi me skemën e re fiskale por edhe në mirëmanaxhimin e borxhit. Përmes një skeme abuzive për rimbursimin e TVSH-së ministria kinse reflekton një TVSH neto por në fakt ajo është një TVSH bruto, duke rritur kështu borxhin ndaj bizneseve si e si që vajzat e tatimeve dhe doganave të dalin një herë në kaq muaj përpara Rudina Xhungës.

Një nga premtimet e qeverisë ishte se do të shlyente borxhin ndaj biznesit, madje morri dhe huanë e shumëpërfolur nga FMN. Të dhënat nga MF flasin për mos shlyerje të borxheve edhe pse huaja është marrë, edhe pse kompanitë e auditit e kanë deklaruar borxhin edhe pse ministri Cani flet për një rritje të të ardhurave në botën e tij sërishmi nuk kemi shlyerje të borxhit.

Javën e shkuar ministri Cani dhe stafi i tij propozuan një rishikim të ligjit të TVSH-së, i cili na qenka konsultuar me kompanitë auditore. Kjo është sikur ministria e drejtësisë të rishikojë një ligj për një vepër penale dhe ta shqyrtojë atë në bazë të këshillave të shoqatës së avokatëve. Kështu ligji i ri i TVSH jo vetëm që nuk premton rritjen e të ardhurave nga TVSH-ja por siguron një thellim edhe më të madh të evazionit fiskal. Edhe këtë të fundit e kuptoi dhe Erjon Braçe, i cili në mungesë të opozitës në atë seancë iu desh t’i thoshte disa fjalë më shumë ministrit Cani.

Megjithëse ministri flet për financat publike që bënë përmbysjen e madhe na duhet t’i rikujtojmë se borxhi i qeverisë ka kapërcyer limitet e mundshme dhe përmes manovrave me rimbursimin e TVSH mund të flasin për një marifet në borxh duke e deklaruar atë më pak se sa ç ‘është.

Në 300 ditët e këtij viti qeveria ka dështuar të mbledhë akcizën megjithëse importi i naftës në vend është rritur dhe megjithëse të dhënat tregojnë se janë 16.7% më pak se sa vetë plani i përcaktuar nga ministria (që bëjmë mirë ta kujtojmë se ishte jo shumë optimist), keni pritur rreth 450 milion lekë më shumë nga rritja e akcizave por me sa duken gjasat po krijoni një gropë të re në buxhetin e shtetit.

Dështimi i mbledhjes së të ardhurave vazhdon të vërehet edhe tek Tatimi mbi të Ardhurat Personale, ku qartazi vihet re dështimi jo vetëm në krahasim me atë çka është mbledhur një vit më parë por edhe me vetë planin që juve kishit parashikuar. Sot pas 300 ditëve qeveria ka arritur të mbledhë 3% më pak se sa plani i parashikuar dhe rreth 9% më pak se sa qeveria e shkuar kishte mbledhur. E gjitha kjo përkthehet në krijimin ose të një ekonomie më informale ose në mbyllje biznesesh e rrjedhimisht rritje të papunësisë.

Me paketën e re fiskale qeveria ia hoqi të drejtën njësive vendore të mbledhin të ardhurat dhe tani ato po mbledhin më pak se sa vendorët një vit më parë. Akoma pa përgjigje mbetet se si ka mundësi që me gjithë taksën ekstra prej 3.4 për qind për mbi mijëra shqiptarë me paga mbi 90 mijë lekë, por të ardhurat nga këto kontribute vazhdojnë të bien me 1.9 për qind. Në muajin maj të ardhurat nga sigurimet shoqërore janë afro 4 miliardë lekë duke rënë në nivelin e serisë së muajve më të dobët të periudhës 8 mujore fiskale të kësaj qeverie.

  • Ministri i Energjetikës

Në fjalën e tij ministri Gjiknuri u përpoq të ritheksonte se ai ka përmisuar së tepërmi furnizimin me energji elektrike, por ende sot e kësaj dite shtrohet një pyetje që nuk ka përgjigje. Çfarë do të ndodhë me çmimin e Energjisë Elektrike? Çfarë po kryhet për përmisimin e rrjetit?

Nëse ka një arritje z. Damian ajo është pikërisht pagesa që ai do t’i bëjë CEZ ashtu që ne të merrnim statusin në BE. Por, fundja kush nuk do ta paguante atë lek apo jo?

  • Ministria e Drejtësisë

Nëse ka një ministri që është një tregues i degradimit tonë e degradimit që në gjenezë të kësaj mazhorance kjo është ajo e drejtësisë. Nasip Naço është anëtari i një partie që është e lidhur në të gjitha tentakulat e saj me korrupsionin dhe gjithçka tjetër. Pikërisht kjo drejtësi, që Naço sulmon, e shpalli kryetarin  e LSI si të pafajshëm për një vjedhje me zë e me figurë.

Vallë Meta do të ndëshkojë sistemin që e nxori të palarë e që i dha mundësinë të shijonte ngjalat? Pohimi i kësaj pyetje është po aq e vërtetë sa edhe që toka është në qendër të universit, ndaj eufemizmat e Nasipit për një drejtësi si në BE janë jo vetëm pjesë e një propagande të vjetër por dhe stimul për të kuptuar fytyrën e vërtetë të kësaj mazhorance.

  • Ministri Bravo

Nëse ka një ministër që e ka pasur karrierën e tij në fije të perit ky ka qenë Tahiri. Gjatë këtyre 300 ditëve shpatullat e tij të vogla i janë dashur të mbajnë shumë peshë. Për të shmangur vëmendjen nga betejat kryesore të ministrisë së tij ai e fokusoi vëmendjen tek gjobat që hera herës policët (sipas vendimit të gjykatës) i vendosnin arbitrarisht. Por kur sfidat e mëdha i erdhën para portës Tahiri jo pak herë gaboi goditjen. Ishte vetë shefi i tij i cili me një sms e këshillonte të flinte më pak natën dhe të mendohej më shumë për autokritikën sepse kriminaliteti qe rritur ndjeshëm.

Nga ana tjetër avioni që i ra ditën për diell mu në mes të Divjakës tregoi dhe një herë se sa pak kontroll brenda territorit kemi, nervin e gjithë këtyre golave që po pësonte e shfryu në një aksion policor në Lazarat. Në fshatin më famëmadh të vendit tonë Ministri Bravo nuk zbuloi asgjë më shumë se sa një Gate, i cili assesi nuk mund t’i ngjasojë një Vito Corleone maksimumi ai mund t’i ngjasojë Fredi Corleones.

Por edhe pse ministria e tij në bashkëpunim me PR e kryeministrit e shitën këtë aksion me bujë të madhe sërishmi një gjëmë e madhe u ra në duar. Një nga bankierët më të rëndësishëm të vendit u vra ditën për diell 300 metra nga zyra e Kryeministrit dhe polici rrugor nuk mundi (sipas dëshmisë së tij) të lajmëronte askënd sepse i mungonte radio.

  • Ministria e Integrimit

Ministria Gjosha u mburr me arritjen e marrjes së statusit, megjithëse për muaj me radhë ajo nuk rreshti së lëvduari paraardhësen e saj për punën e bërë në marrjen e këtij statusi sot ajo i merr meritat vetë. E nuk ka faj përderisa në 300 ditë jo vetëm se nuk ka bërë asgjë por ka folur rreth 2 herë në parlament. Fundja nuk mund të presësh më shumë nga ajo!

  • Ministri Reformës Territoriale

Z. Çuçi ka qenë zëdhënësi i dy partive mazhoritare në reformën e tyre alla Gerimandër për të përcaktuar zonat e reja elektorale.

  • Ministri i Buzëqeshjes Cinike

Ministri i cili duket se po pompohet më shumë, nuk po kryen asnjë nga premtimet e tij. jo vetëm që numri i të papunëve sipas vetë INSTAT është rritur në këto muaj, por edhe reforma e famshme e pensioneve nuk na doli vetëm se një vrimë në ujë. Në blogun tonë jemi marrë hollë e gjatë me këtë reformë.

Rishikimi i ligjit për ish të përndjekurit politik nuk përmbush asnjë nga pikat e premtimit të qeverisë për këtë shtresë. Ndërkohë që vihet re një rritje e madhe e punësimit në të zezë dhe një ulje e vendeve të punës përpos vendeve në call center.

Ministri vazhdon të propagandojë për dëmshpërblimet ndaj të përndjekurve politikë ndërkohë që qeveria ka akorduar shumë herë më pak se sa qeveria e shkuar për këtë shtresë. Përmes ndryshimeve ligjore që ajo ka vendosur të implementojë, me gjasë shpejtimin e dëmshpërblimit për këtë shtresë vihet re që vetëm faktori moshë është pozitiv. Pra, që gratë në moshë më të madhe se 75 vjeç marrin më shpejtë dëmshpërblimin ndërkohë që projektligji nuk respekton aspak premtimet e qeverisë për këtë shtresë. Temë kjo gjithashtu e trajtuar në këtë blog.

Nën vazhdën e këtyre aksioneve z. Veliaj është kthyer në një promotor të asaj shprehjes së urtë popullore “shto ujë e shto miell” apo edhe asaj tjetrës “shtatë ujë e një kos”.

  • Ministria e Arsimit

Ministria e Arsimit llogariti si arritje të saj unifikimin e teksteve me Kosovën, se çfarë kuptimi ka unifikimi i teksteve të Shqipërisë me Kosovën është një temë e gjerë që duhet trajtuar në veçanti. Por, gjatë kësaj periudhe 300 ditore, zj. Nikolla është marrë vetëm me reformën në arsim. Megjithëse qeveria pati premtuar që do të dërgonte në 5% të PBB shpenzimet për arsimin ajo u dorëzua që në vitin e parë të saj mandatues.

Për të justifikuar pamundësinë e saj që ta kthente në 5% shpenzimet për arsimin ajo krijoi një grup pune që do të merrej me reformën në Arsimin e Lartë. Grupi i punës botoi një draft i cili u kundërshtua nga të gjithë studentët dhe pjesa më e madhe e pedagogëve të fakulteteve shtetërore. Në pak fjalë Drafti që do të paraqitej si Reformë e më pas si Projektligj do të rriste tarifat e studentëve në shtetëror. Do të shpërndante fondet e taksapaguesve si për shtetërorin dhe për privatin e në këtë mënyrë jo vetëm që nuk do të zgjidhte krizën universitare por do ta thellonte akoma më tej.

Megjithëse Reforma u kundërshtua ajo sërishmi po përpiqet të kalojë në parlament, opozita deri më tani ka heshtur por gjasat janë që studentët do ta kundërshtojnë këtë reformë nëse do të miratohet tani në seancat e fundit. Dukshëm zj. Nikolla nuk ka arritur ende të kuptojë se sa e papëlqyer është ajo çfarë ajo e konsideron reformë për Arsimin e Lartë.

You may also like...