Të pathënat e marrëveshjes së qeverisë me FMN, taksa pa fund

Fondi publikon raportin për Shqipërinë, propozohen rritje të tjera taksash dhe rritje e moshës së pensionit

Kushtet e FMN për ndihmën, pensionet dhe CEZ

Gjergj Erebara

Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi dje raportin e vet për Shqipërinë, raportin mbi programin e ndihmës për vendin tonë si dhe reformat e kërkuara në këmbim të parave. Raporti reflekton atë çfarë është rënë dakord me qeverinë shqiptare dhjetorin e kaluar, por që detajet u mbajtën të papublikuara.

Raporti thekson se çdo tre muaj do të ketë një rishikim të situatës për të vlerësuar nëse Shqipëria i ka plotësuar kushtet e vëna apo jo. Raporti thekson se paketa e ndihmave ka një kushtëzim me disa reforma që duken se janë të panegociueshme.

Kushtëzimet kryesore lidhen me reformën e pensioneve, deficitin buxhetor dhe zgjidhjen e krizës së sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri.

Reforma e pensioneve

Qeveria shqiptare ka rënë dakord të krijojë një grup pune para marsit të këtij viti dhe të arrijë një platformë finale të miratuar në dhjetor. Katër janë ndërhyrjet e propozuara nga FMN: 1. Rritja e moshës së daljes në pension në 65 vjeç për gratë dhe 67 vjeç për burrat. 2. Kufizimin e rritjes së pensioneve aktuale me masën e inflacionit, pra jo më shumë se sa 2 për qind në vit. 3. Heqjen e kufizimeve të pensionit minimal, për të nxitur shqiptarët e punësuar të deklarojnë dhe paguajnë kontribute për pagat e tyre reale përkundrejt premtimeve për pensione më të larta. 4. Ndarjen e pensioneve të pleqërisë nga pensionet sociale, të cilat duhet të mbulohen nga buxheti i shtetit (taksimi direkt) dhe jo nga kontributet aktuale.

Rritja e moshës së daljes në pension, veçanërisht për gratë, të cilat me ligjin aktual dalin në pension kur mbushin 60 vjeç, pritet të ndalojë mijëra shqiptarë nga përfitimi i pensionit çdo vit. Problemi dukshëm nuk qëndron te fakti që të punësuarit e sotëm do të punojnë më gjatë, por te fakti se Shqipëria ka një numër të madh njerëzisht pranë moshës së tretë, të cilët janë të papunë dhe pa shpesë se mund të gjejnë një vend pune dhe që presin vetëm mbushjen e moshës së pensionit për të patur të ardhura. Alternativa është rritja e numrit të kontribuesve në skemë përmes rritjes së punësimit, por FMN duket se nuk ka shumë shpresa se diçka e tillë mund të ndodhë realisht. Për këtë arsye kalohet në formulën e thjeshtë të rritjes së moshës së pensionit.

Rekomandimi i FMN-së bie ndesh me shumë deklarata të zyrtarëve të ndryshëm, të cilët gjatë muajve të fundit kanë deklaruar në mënyrë të përsëritur se reforma e pensioneve nuk përfshin rritje të moshës së daljes në pension.

Kufizimi i rritjes së pensioneve aktuale me masën e inflacionit është një masë tjetër që synon ngadalësimin e rritjes së barrës së pensioneve në buxhetin e shtetit. Në këtë rast, afro 500 milionë eurot që buxheti i shtetit shpenzon te pensionet çdo vit, do të rriten më ngadalë se sa janë rritur deri tani.

Masa e tretë e propozuar synon të zgjidhë një problem të rëndë të akumuluar përgjatë dekadës së fundit. Ligji aktual sanksionon që shqiptarët të paguajnë sigurime shoqërore për deri pesëfishin e pagës minimale, pra për paga deri në 100 mijë lekë. Por masa e përfitimit të pensionit është e kufizuar deri te dyfishi i pensionit minimal, pra pensionet nuk mund të jenë më të mëdha se sa 25 mijë lekë pavarësisht se pensionisti mund të ketë paguar sigurime për pagë 100 mijë lekëshe. Pjesa dërrmuese e shqiptarëve që punojnë në sektorin privat deklarojnë paga prej rreth 35 mijë lekësh, duke shmangur pagesat e sigurimeve shoqërore për të ardhurat mbi këtë pagë. Besohet se duke i premtuar shqiptarëve një pension në raport më të drejtë me kontributet, të punësuarit do të kenë më shumë incentivë për të paguar kontribute mbi pagat reale. Masa e katërt ecën gjithashtu në drejtim të përshtatjes së kontributeve me përfitimet, duke ndarë llogaritë e buxhetit të shtetit në pensione sociale, dhe në pensione pleqërie.

Reforma e pensioneve klasifikohet nga FMN si një nga pikat nme të cilat “kushtëzohet” paketa e ndihmave. Përveç 330 milionë eurove të premtuara nga FMN për tri vitet e ardhëshme, Banka Botërore ka ofruar rreth 170 milionë euro të tjera kredi të butë, më së shumti për sektorin e energjisë elektrike. Por paketa e ndihmave të BB kushtëzohet gjithashtu nga marrëdhëniet e Shqipërisë me FMN-në.

FMN gjykon se masat e ndërmarra nga qeveria paraardhëse qenë një dështim katastrofal. Ulja e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore gradualisht nuk solli rritje të numrit të kontribuesve në mënyrë të mjaftueshme sa për të kompensuar uljen.

Dritat “për jetë a vdekje”

Mbledhja e faturave të papaguara të dritave dhe reduktimi drastik i vjedhjeve dhe humbjeve teknike në rrjet janë masa gjithashtu të kërkuara nga FMN si kusht për paketën e ndihmës.

FMN është më pak e qartë te paragrafi për energjinë elektrike nga sa është te reforma e pensioneve. Ajo flet për “kufizimin e subvencionimeve të çmimeve të energjisë për vetëm konsumatorët me të ardhura të ulëta”. Aktualisht për konsumatorët familjarë, Shqipëria përdor dy tarifa. Për konsumin deri në 300 kËh, pavarësisht nëse konsumatori është i pasur apo i varfër, paguhet 7.7 lekë për kËh, ndërsa për konsumin mbi këtë fashë, paguhet më shtrenjtë. Në rast se qeveria nuk arrin të mbledhë faturat e energjisë, (aktualisht vetëm gjysma e energjisë së hedhur në rrjet paguhet), ka gjasa që do të duhet të kalojë te masa e thjeshtë e “kufizimit të çmimit të subvencionuar të energjisë te konsumatorët me të ardhura të ulëta”. Kjo mund të bëhet duke e ngritur çmimin për 300 kilovatorët e parë për konsumatorët me të ardhura më pak të ulëta.

Taksa të reja gjithandej

Përveç taksave shtesë të prezantuara me paketën fiskale në dhjetor, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka propozuar edhe një listë tjetër masash në drejtim të rritjes së taksave për efekt të ruajtjes së stabilitetit fiskal. Këto masa janë klasifikuar si “të mundshme” për t’u ndërmarrë në të ardhmen, në rast se rritja aktuale e taksave nuk mjafton për të vënë nën kontroll deficitin buxhetor dhe borxhin publik të vendit.

Të shënuara si “masa për t’u ndërmarrë në terma afatshkurtët”, dmth brenda këtij viti, si të mundshme janë renditur këto rritje taksash: 1. Reduktimi i statusit të biznesit të përjashtuar nga TVSH për shërbimet arsimore. 2. Vendosjen e një takse 2 për qind për të ardhurat e kompanisë koncesionare të autostradës Durrës-Kukës. 3. Rritje të pagesës vjetore për makinat e përdorura me 50 për qind. 4. Vendosjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar mbi ndërtesat e reja, përfshirë vlerën e tokës për ndërtimet me përqindje. 6. Zbatimin t Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për telefonatat që vijnë nga jashtë vendit. Duke qenë se Shqipëria ka një popullatë të madhe emigrantësh që zakonisht merr në telefon familjarët në Shqipëri, propozimi është që këta emigrantë të paguajnë përveç TVSH-së për telefonatat që kryejnë nga vendet ku janë, edhe TVSH kur telefonata e tyre mbërrin në territorin e Shqipërisë. 7. Një taksë e sheshtë mbi të gjithë banorët që udhëtojnë jashtë vendit. 8. Rritje të taksave mbi të ardhurat nga interesat, aksionet, dividentët, qeratë apo pagesat për pronësi intelektuale nga 10 në 12 për qind.

Nuk ka rritje pagash

Ndërsa për pensionet FMN sugjeron rritjen e tyre vetëm me të njëjtën masë që rritet inflacioni, për pagat e sektorit publik propozohet që të mos ketë rritje fare. DMTH që pagat e sektorit publik në terma reale, të mund të reduktohen në krahasim me vitet e shkuara për shkak se gërryhen nga inflacioni dhe se inflacioni nuk do të kompensohet nga qeveria.

 

Qeveria ka propozuar ndërkohë një ndryshim të sistemit të pagave për ta “bërë shtetin më konkurrues” duke rritur paga në sektorë apo pozicione të konsideruara si “kyçe”.

Pushteti vendor i zhytur në korrupsion

Gjuha e raportit të FMN është më e ashpër kur vjen puna për të folur për pushtetin vendor. Sipas FMN “strukturat e dobëta të qeverisjes vendore përbëjnë rrezik fiskal. Të ardhurat e qeverisjes vendore kanë ardhur në rënie nga 1.4 për qind të PBB-së që qenë më 2005 në 0.7 për qind të PBB-së më 2013. Qeverisja vendore është e dobët, nuk ka transparencë dhe vuan nga korrupsioni”. FMN propozon që qeveria të vijojë me shpejtësi me programin e reformës administrative, që nënkupton uljen e numrit të njësive të qeverisjes qëndrore me më shumë se 70 për qind dhe rrjedhimisht edhe uljen e numrit të zyrtarëve e shpenzimeve, si dhe, më e rëndësishmja, kushtëzimin e transfertave të fondeve nga buxheti i shtetit drejt qeverisjes vendore me rezultatet e mbledhjes së të ardhurave fiskale nga qeverisja vendore.

Edhe praktika e sapofilluar e huamarrjes së pushtetit vendor, sipas FMN-së, duhet të diskurajohet.

Kërkohet së pushteti vendor së paku të fillojë të raportojë të ardhurat dhe shpenzimet në përputhje me standarde statistikore të qarta dhe në mënyrë periodike.

Botuar ne Gazeten Shqip

You may also like...