Të shpëtojmë Universitetin

Projektligji, duket sikur synon të sugjerojë që qeveria duhet të kontrollojë gjithcka

Xhabyni

Kur disa studentë morën përsipër të hapnin një faqe në rrjetet sociale me emrin “Për Universitetin” qeveria kish paraqitur një draft të ligjit për Arsimin e Lartë, i cili në dukje ishte mëse liberal por vetëm në dukje ama. Thelbi i draftit ishte përkëdhelja e Universiteteve Private nga ana e qeverisë dhe shndërrimi i Institucioneve të Arsimit të Lartë Publik në formate private të një të mire publike.

U desh një protestë e zgjatur në kohë, që qeveria të reflektonte për të dërguar në parlament (tempullin e demokracisë teorikisht) një projektligj i cili ndryshon katërcipërisht nga drafti i propozuar nga e njëjta qeveri muaj më parë. Kësaj radhe, qeveria ka ndërtuar një projektligj ku shteti ka kontrollin mbi gjithçka. Që të jemi korrekt dhe t’i japim Çezarit tonë atë që i takon, përgjatë gjithë fushatës si kur u propozua drafti “liberal” ashtu edhe projektligji etatist na jepen argumente të vërteta mbi gjendjen e Universiteteve në vendin tonë.

Askush nuk vë në dyshim përfundimin se Universitetet tona janë në gjendje të mjerueshme, fajtor për këtë gjendje janë qeveritë dhe institucionet përgjegjëse të cilat asnjëherë nuk e kanë menduar seriozisht ndërtimin e një sistemi arsimor në shërbim të komunitetit. Por, sa e shëron apo e fut në udhën e shërimit arsimin e lartë ky projektligj i propozuar?!

Që në krye të projektligjit ballafaqohemi me një pasion të qeverisë për të patur kontrollin absolut jo vetëm mbi fondet financiare që duhet t’i përdorë universiteti por edhe tek kërkimi shkencor që kryhet në universitete. Kjo dëshirë dhe pasion që shfaq qeveria nuk shpjegohet aspak në lëmin e ligjërimeve publike të mbrojtësve të këtij projektligji. Ndoshta, kjo mund të përputhet me pasionin kryeministror për të patur autoritetin dhe kontrollin e tij në çdo cep të qeverisë, që tani ka vendosur ta zgjerojë edhe tek institucione të tjera.

Është larg mendsh që problemet e Arsimit të Lartë të zgjidhen përmes një qeverie që fut hundët gjithandej, sidomos nëse kjo futje hundësh kryhet përmes disa institucioneve burokratike që nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se zbatojnë dëshirën dhe vullnetin e kryetarit të qeverisë. Projektligji flet për një Bord Administratorësh të emëruar nga qeveria gjithashtu, ky do të jetë grupi i cili çdo vit do të përcaktojë çfarë vlen dhe çfarë nuk vlen në një Universitet. Akoma më tej, këto 7 persona do të jenë përcaktuesit e asaj që vlen apo nuk vlen në një kërkim shkencor.

Shteti, kështu shndërrohet në një treg i cili përcakton çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të ndodhë në kërkimin shkencor. Por a shëron kjo problemin e dijes akademike? Zor, se mund të shërojë diçka të tillë kur jo më larg se 25 vite më parë qeveria kontrollonte dijen dhe përfundimi qe një grup intelektualësh që raportonin me gojën e tyre atë që qeveria propagandonte nga salla e madhe e Komitetit Qendror.

Në një kuptim më të thjeshtë, ky projektligj vetëm sa kutërbon era qeveri në punët e një instituti arsimor të lartë që është në degradim e sipër. Nuk zgjidh hallet kryesore të tij, por vetëm përpiqet të vendosë gjithnjë e më shumë ndërmjetësues që do të kryejnë vullnetin e kryetarit të qeverisë. Ndërkohë që krijon një trupë akademike më apatike (duke qenë se është Bordi Administratorëve që do të vendosë dhe do të vlerësojë gjithkënd) dhe më të lidhur me pushtetin politik.

Akoma më shkoqur, projektligji premton që sa herë që do të kemi ndërrim të qeverive edhe institucionet e Arsimit të Lartë do të ri formatohen me stafe të mbushura me militantë ndërkohë që fasadat e këtyre institucioneve do të ri lyhen me ngjyrën e partisë apo aleancës në pushtet. Po dija? Dija, si në kohën e Sokratit, do t’u takojë sofistëve ndërkohë që njohuria e vërtetë me shumë mundësi do të kërkohet rrugëve tek ndonjë Sokrat apo Diogjen që do të dalë me llampë në dorë për të kërkuar njeriun e vërtetë, jo atë të formatuar në laboratorin qeveritar të kavjeve me arsim të lartë.

You may also like...